Barrikadat e Lulit dhe skenarët ogurzi të tij

Barrikadat e Lulit dhe skenarët ogurzi të tij

Partia Demokratike po e kthen në ritual organizimin e mbështetësve të saj për t’i ngritur barrikada kryeministrit Rama gjatë itinerarit të tij nëpër qytetet e Shqipërisë në turin e takimeve “Bashkia që duam”. Ajo përpiqet t’i paraqesë këto barrikada, si organizime spontane popullore, pra jashtë partiake, që kërkojnë largimin e Edi Ramës si kreu i ekzekutivit. Vetëm se e tradhtojnë veten kur në krye vendosin ish-deputetët e saj apo kryetarët e degëve të PD-së në rrethe.

Që ai grumbull njerëzish njoftohen me mesazh për vendin dhe orën ku do i zënë “pusi” kryeministrit, kjo nuk diskutohet. Çështja është se përse PD-ja përpiqet të fshihet duke u paraqitur si mbështetëse e tyre, e jo si organizatore.

Gjithsesi, ajo ku dua të ndalem është shqetësimi që kam për të tilla barrikada. Barrikada që në fund të fundit nuk janë as ekologjike, por që me djegien e gomave çlirojnë në ajër ndotje të lartë karboni, e rrezikshme edhe për shëndetin e pjesëmarrësve në protestë.

Jemi në vitin 2019 dhe mentaliteti i opozitës është kthyer pas në kohë, në vitet e mbrapshta ku kundërshtarit politik i pamundësohej takimi me mbështetësit e vetë. Mund të duket paradoksale, sepse logjikisht është qeveria ajo që pengon opozitën në këtë drejtim. Por sot, në kushtet e një “diktature” të egër që ka vendosur në Shqipëri kryeministri Rama, atij po i bëhet pengesë opozita.

Nuk është thjesht çështja se ka edhe rrugëkalime të tjera për të mbërritur në destinacion. Kryeministri mund të shkojë edhe me helikopter dhe ja ku i kapërceu barrikadat. Problemi është se Partia Demokratike përpiqet të krijojë një perceptim të rremë se, ashtu si ajo, edhe  populli nuk e do kryeministrin Rama.

Jo vetëm kaq, por në këtë plan organizativ janë rekrutuar edhe kryebashkiakët demokratë, të cilët (jo të gjithë) s’e kanë për gjë t’i thonë shefit të ekzekutivin që “nuk je i mirëpritur në bashkinë tonë”. Spikat si më agresivja ndër to, kryetarja e Shkodrës, që çfarëdo që të bëjë për t’i hyrë në zemër Bashës me këto manovra jo demokratike, e ka të kotë se ai nuk e rikandidon më. Kuptohet, nëse PD-ja do hyjë në zgjedhje.

Nuk mbaj mend ndonjë rast që kryebashkiakët socialistë në kohën e qeverisjes së djathtë t’ia bënin këtë gjë ish-kryeministrit Berisha. Bile, më kujtohet që ata e prisnin atë edhe me shiritin ceremonial kuqezi hedhur krahë-qafë, pavarësisht se ai nuk bënte asnjë investim nëpër qytete siç ka bërë qeveria “Rama” tash 5 vjet.

Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha, duhet ta dinë se liria e lëvizjes është e garantuar me ligj. Pengimi i kujtdo politikani për të shkuar në terren ku e presin mbështetësit e vetë, nuk përbën thjesht një vepër penale, por rrezaton një mentalitetet të rrezikshëm në kushtet kur kjo parti është ende në opozitë.

Pastaj, Edi Rama në turin e tij nuk kontakton vetëm socialistë. Aty ka njerëz me bindje të ndryshme që i shfrytëzojnë takimet me kryeministrin për të shpalosur problemet personale nga ku jo në pak raste ai u ka dhënë zgjidhje të drejtpërdrejta.

T’ua mohosh qytetarëve të vendin takimin me kryeministrin, vetëm e vetëm se kështu do Partia Demokratike, është një absurditet që nuk di çfarë emri t’i vësh.

Nuk besoj se PD-ja fiton ndonjë pikë në elektorat me këto veprime anarkiste. Mbase në kushtet e opozicionit të rrugës që ka zgjedhur, ajo e ka gjetur këtë si mënyrë për të qenë e faktorizuar. Personalisht më duket një formë jo produktive, bile e dëmshme politikisht, sepse nxjerr në pah destruktivitetin e saj. Gjithsesi, kjo është rruga që kanë zgjedhur dhe le t’i mbajnë mbi supe kusuret që rrjedhin.

Por PD-ja duhet të ketë parasysh se sa më shumë të avancojë në këtë drejtim, kjo mund të çojë në një provokim të përkrahësve të kampit tjetër, Partisë Socialiste. Ndërkohë që ata presin liderin e tyre në takim dhe marrin vesh se i është ngritur barrikadë që i pamundëson vajtjen tek ta, ekziston rreziku që çështja të kalojë në tregim force e muskujsh dhe konflikti të degjenerojë në dhunë midisi civilëve që mbështesin secilën parti.

Deri më tani, si kryeministri Rama, ashtu edhe vetë Partia Socialiste, e kanë trajtuar me qetësi dhe vetëpërmbajtje këtë situatë. Ai ka devijuar edhe rrugë, mbase në ndonjë rast ka anuluar edhe takime të planifikuara, por kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Unë deri diku e kuptoj këtë mosreagim nga PS-ja, me qëllim që të mos e acarojë situatën. Por dua t’i them se, po t’ia bënin këtë gjë mbështetësin e PS-së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, nuk di se cila kancelari në botë s’do kish mbetur pa e marrë vesh.

Askush nuk e ka penguar opozitën të protestojë kundër kryeministrit edhe në qytetet ku ai shkon. Por të protestojë ama, jo ta pengojë që të ushtrojë të drejtën e tij për të takuar mbështetësit e vetë.

Prandaj, le të jetë ky një apel për opozitën që ta ndalë këtë aksion të shëmtuar. Modele si ai i  kryetarit të PD-së Fier, që këmbëngulte që me ata që kishte marrë me vete të shkonin doemos tek lokali ku ndodhej kryeministri Rama, se demek i ishte tekur Luan Baçit ta pinte kafen posaçërisht aty, janë skenarë tejet provokues e jashtëzakonisht të rrezikshëm, sepse turmat që ndërsehen vetvetiu për sherr, të çojnë në ngjarje të paparashikuara. Nëse Lulzim Basha po kërkon me çdo mënyrë që të shpikë dëshmorë, ta harrojë se kjo është rruga që të çon drejt pushtetit. Drejt burgut, mbase! (TemA)

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Popull: 09/03/2019 19:44

    Shumë saktë, kjo mënyrë e Bashës për protesta nuk dihet fundi.. Dhe mundet një ditë të ndezi konflikte që e dimë shumë mirë se si përfundojn.. Turp për Bashën.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim