Protestat që nisën në Tiranë pas incidentit të ndodhur në Zvërnec erdhën afro 9 muaj pasi qeveria “Rama 4” mori votëbesimin në Kuvend. Nëse do ta krahasonim politikën me një ndeshje futbolli, do të ishte njësoj sikur një ekip të pësonte gol diku rreth minutës së njëzetë të pjesës së parë. Është një goditje që kërkon reagim, ndërkohë që pjesa më e madhe e lojës është ende përpara.
Në realitetin politik, kjo do të thotë se qeverisja ka ende kohë, ditë pas dite, për të reflektuar dhe për të korrigjuar ato mangësi që tashmë edhe vetë kryeministri i ka evidentuar përmes ndërhyrjeve të tij publike, por edhe përmes zërave kritikë që vijnë nga vetë kampi i saj.
Kryeministri Rama gjatë viteve në pushtet ka krijuar një profil politik ku krizat, edhe kur vijnë nga rruga, nuk i ka trajtuar si kërcënim, por si mundësi për reflektim, riorganizim dhe ndryshim kursi. Një krizë nuk e dobëson domosdoshmërisht një qeveri. Shpesh, mënyra se si ajo reagon ndaj saj përcakton nëse do të humbasë mbështetje apo do të dalë më e fortë prej saj.
Këtë e kemi parë pas protestave për armët kimike, por veçanërisht pas protestës së studentëve, kur Rama nuk iu shmang përballjeve të drejtpërdrejta me studentë dhe pedagogë në auditoret e universiteteve. Në vend të izolimit institucional, ai zgjodhi komunikimin dhe marrjen përsipër të problematikave që kërkonin zgjidhje.
Këto janë elementë që ndikojnë në perceptimin publik, sepse krijojnë idenë e një qeverisjeje që dëgjon, kupton dhe është e gatshme të korrigjohet kur situata e kërkon. Rama është investuar edhe me platformën “Besa”, por përtej saj, kapitali i tij politik është ndërtuar mbi perceptimin se di të menaxhojë krizat dhe të marrë vendime në momente të vështira.
Këtu qëndron edhe një nga dallimet kryesore me kundërshtarin e tij politik. Gjatë 8 viteve si kryeministër, Sali Berisha u përball shpesh me kritika për një raport konfliktual me opozitën socialiste dhe për një mungesë fleksibiliteti në situatat ku kërkohej kompromis politik.
Një episod i rëndësishëm i asaj periudhe lidhet me debatin për marrjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Në atë kohë pretendohej se miratimi i tre ligjeve, ai për Gjykatën e Lartë, ai për Shërbimin Civil dhe Rregullorja e Kuvendit, do t’i hapte Shqipërisë rrugën drejt këtij objektivi.
Edhe pse kam dyshime nëse vetëm këto akte ligjore do të mjaftonin për një vendim të tillë nga BE, për hir të argumentit po e marr këtë si një premisë të kohës.
Bllokimi i tyre u lidh me konfliktin politik mes mazhorancës së atëhershme të PD-së dhe opozitës socialiste. Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe konstituimit të Këshillit të Qarkut Fier, kandidati socialist rezultoi fitues për postin e kryetarit. Përplasja politike për mosnjohjen e këtij rezultati nga njerëzit e Berishës përfundoi në gjykatë, ku kandidati socialist fitoi edhe aty.
Edhe pasi rezultati ishte përcaktuar si në vota, ashtu edhe në rrugë gjyqësore, palët nuk arritën të gjenin një zgjidhje politike, sepse Berisha, me karakterin e tij të ashpër, nuk hapte udhë. Nga ana tjetër, edhe opozita ndodhej në kushtet kur liderit të saj, Edi Ramës, i ishte grabitur në tavolinë fitorja për Bashkinë e Tiranës. Të pranonte edhe humbjen e drejtimit të Këshillit të Qarkut Fier do të nënkuptonte kapitullim përballë një padrejtësie, aq më tepër kur për këtë çështje kishte folur tashmë edhe drejtësia.
Nëse luftën për Bashkinë e Tiranës arrij ta kuptoj deri diku nga këndvështrimi i Berishës, pasi me atë “fitore” synonte të zhvlerësonte goditjen politike të 21 janarit, duke e paraqitur rezultatin si një mbështetje të qytetarëve të Tiranës për qeverinë e tij, nuk arrij të kuptoj këmbënguljen për drejtimin e Këshillit të Qarkut Fier. Ishte një betejë që, për nga pesha e saj reale, nuk e justifikonte atë nivel përplasjeje politike.
Në këto kushte, një lider vizionar, jo vetëm që do t’ia njihte opozitës drejtimin e Këshillit të Qarkut Fier, por do të ishte i gatshëm të shkonte edhe më tej, duke i ofruar, pse jo, edhe kryesimin e Këshillit të Qarkut Shkodër, në këmbim të një kompromisi politik që do të zhbllokonte rrugën drejt miratimit të reformave të kërkuara.
Një veprim i tillë nuk do të ishte dobësi politike, përkundrazi, do tregonte shenjë sigurie dhe vizioni, sepse një lider i fortë është ai që di të heqë dorë nga beteja të vogla e banale politike që nuk përcaktojnë fatin e vendit, për të fituar një objektiv më të madh siç ishte statusi i vendit kandidat në BE.
Në ndryshim nga Berisha, kryeministri Rama shfaqi një tjetër qasje politike gjatë krizës së çadrës në Bulevard, ku i ofroi opozitës një marrëveshje që e përfshinte atë në qeverisje deri në zgjedhje. Madje, i besoi asaj disa nga portofolet më të rëndësishme qeverisëse, përfshirë ministritë e Brendshme, të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë, të Drejtësisë dhe të Punës, si dhe disa agjenci qendrore me peshë politike. Gjatë asaj periudhe, drejtimi i punëve të qeverisë iu besua zëvendëskryeministres demokrate, ndërsa Rama u tërhoq nga aktiviteti i përditshëm qeverisës deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
E solla këtë retrospektivë jo për të krahasuar vetëm dy individë, por dy modele politike. Një model, ai i Berishës, që e shihte dhe e sheh krizën si kërcënim dhe një tjetër, ai i Ramës, që përpiqet ta përdorë krizën si mundësi për riorganizim dhe forcim politik.
Prandaj, edhe kjo situatë e re politike që përjetuam kryesisht gjatë qershorit, mund të shihet si një provë për qeverinë Rama. Zgjedhjet vendore të pranverës së vitit 2027 do të jenë testi i parë real për të kuptuar nëse reagimi ndaj kritikave do të përkthehet në mbështetje të re elektorale.
Çdo krizë i jep një qeverie një mundësi të rrallë, të sillet sikur mandati sapo ka nisur dhe jo sikur gjithçka është fituar njëherë e përgjithmonë. Këto protesta mund të jenë pikërisht ai momenti që i ofron qeverisë, kryeministrit dhe shumicës socialiste mundësinë për një fillim të ri, një rikthim te ideja e ditës së parë në pushtet./TemA
Komente











