TIRANE - Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ndërsa ka uruar Presidentin e ri Bujar Nishani për zgjedhjen në këtë post, ka risjellë edhe njëherë në vëmendje të politikës shqiptare nevojën për bashkëpunim dhe implementim të plotë të marrëveshjes së nëntorit.

Në mesazhin e plotë të zyrtarit më të lartë të Komisionit Europian citohet qartë dhe prerë se vendi duhet të përmbushë reformat e nevojshme për integrim dhe se kryerja e plotë e këtyre reformave kanë nevojë për një konsensus kombëtar.

“Ky është një moment kritik për rrugën evropiane të Shqipërisë”, nis mesazhin e tij kreu i Komisionit Europian, ndërsa vë në dukje më poshtë se reformat në Shqipëri kërkojnë gjithëpërfshirje.

Barroso vlerëson rolin dhe pozicionin e kreut të shtetit si shumë të rëndësishëm në zbutjen e klimës politike në vend, por dhe në garantimin e pavarësisë dhe profesionalizimit të institucioneve shtetërore sidomos në fushën e gjyqësorit.

(ns/shqiptarja.com)