Basha: 26 nëntori gjunjëzoi vendin! Mos e humbisni shpresën, bashkë sjellim Shqipërinë e mundësive

Edhe për liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 2019-a ishte një vit i vështirë që e përballi vendin me sfida të shumta, por edhe me goditjen nga tërmeti i nëntorit që mori jetë e shënoi dëme të mëdha.  Në urimin e tij vëmendje të veçantë zënë edhe ata banorë që Viti i ri i gjen të pastrehuar, apo në çadra, në pritje të procesit të rindërtimit të gjithçkaje që u rrënua nga tërmeti.

Teksa uron që 2020-a të sjellë gëzim e mirëqenie për familjet shqiptare, Basha thotë se me mbështetjen e njëri-tjetrit mund të ndryshohet realiteti. Basha veçon shqiptarët që ndodhen në emigrim dhe uron që ata të kthehen në atdhe, përmend veçantë edhe ekipet mjekësore, të policisë, zjarrfikësit,  median, dhe të gjithë ata që natën e ndërrimit të viteve e kalojnë në punë në shërbim të njerëzve.

"Një urim të veçantë kam për të rinjtë dhe të rejat, mos e humbisni shpresën dhe besimin tek vetja juaj dhe tek Shqipëria! Forca dhe energjia juaj është frymëzim për çdo shqiptar. Së bashku do ta bëjmë Shqipërine vendin e mundësive për të gjithë ju", uron Basha.

Urimi

Të dashur bashkëqytetarë,

Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve dhe unë nga zemra dua t’ju uroj të gjithëve, kudo ku jeni: Për shumë vjet Gëzuar! Viti që po lemë pas ishte i vështirë, dhe na përballi me sfida të shumta. Tërmeti që goditi vendin tonë e vështirësoi edhe më shumë jetën e mijëra familjeve. 26 nëntori gjunjëzoi vendin dhe la pas një dhimbje të madhe për 51 bashkëqytetarë që sot nuk janë më mes nesh, dhe për dhjetëra mijëra të tjerë që po e kalojnë këtë natë mes vështirësish, në të ftohtë, me tavolina të zbrazura e dhimbje në shpirt.

Ky vit do të mbetet gjatë në mendjen e çdo qytetari, e kjo natë natyrisht nuk do të festohet si çdo vit. Por ajo që dëshiroj me shpirt e për të cilën lutemi të gjithë është që 2019 të marrë me vete gjithë dhimbjen, pamundësinë dhe krizën që përjetuam, e viti i ri të sjellë mbarësi, gëzim, e më shumë mirëqenie në çdo vatër shqiptare.

Së bashku si një familje e madhe me ndihmën e Zotit dhe duke u mbeshtetur tek njëri tjetri do ta ndryshojmë këtë realitet të dhimbshëm në vitin që po vjen. Sot dua të uroj nga zemra çdo qytetar që është në vështirësi që 2020 të sjellë lehtesim, shpresë dhe mirëqenie për ta. Dua të uroj çdo shqiptar që gjendet në emigrim që 2020 të sjellë ditë më të mira, dhe mundësi që të ktheheni e të ndërtoni siç e dëshironi jetën tuaj në Shqipëri!

Dua të uroj sot çdo familje të prekur nga tërmeti që 2020 tu sjellë mbylljen e plagëve në familjet tuaja dhe tejkalim te vështirësive. Dua të uroj sot në veçanti ekipet mjekësore, punonjësit në detyrë të policisë, zjarrfikësit si dhe punonjësit e medias që janë në krye të detyrës, një vit të mbarë e të gëzuar! Një urim të veçantë kam për të rinjtë dhe të rejat, mos e humbisni shpresën dhe besimin tek vetja juaj dhe tek Shqipëria! Forca dhe energjia juaj është frymëzim për çdo shqiptar. Së bashku do ta bëjmë Shqipërine vendin e mundësive për të gjithë ju.

Gëzuar e një vit të mbarë për çdo shqiptar! Zoti e bekoftë Shqiperinë!


Lajmi kryesor:

Politika uron 2020-ën/ Basha: 26 nëntori gjunjëzoi vendin! Mos e humbisni shpresën, bashkë sjellim Shqipërinë e mundësive


G.M./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sot 5-vjetori i SPAK/ Zv.ndihmës sekretar i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Kasanof në Tiranë

Sot 5-vjetori i SPAK/ Zv.ndihmës sekretar i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Kasanof në Tiranë