Politika shqiptare ka ndarë urime për shqiptarët për Vitin e Ri 2020. Kryefjalë e urimeve të tyre është ringritja pas goditjes që pësoi vendi nga tërmeti i 26 nëntorit, dhe bashkimi për t'i sjellë Shqipërisë begati e për ta ndërtuar të ardhmen në atdhe.
TIRANE- Një urim për vitin e ri 2020, me dëshirën për të lënë pas tërmetin e 26 nëntorit dhe me sytë nga një e ardhme më e bukur.
Ky është mesazhi që përcjell mes rreshtash ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në ditën e parë të vitit, teksa përgëzon Forcat e Armatosura për punën dhe gatishmërinë e treguar mëngjesin që shënoi tragjedinë më të madhe të dekadave të fundit në Shqipëri.
Xhaçka thotë se pavarësisht asaj që kaluam sot kemi një arsye për t'u ndjerë mirë dhe për të qenë optimistë, ndërsa bën thirrje për më shumë punë besim dhe solidaritet në këtë vit.
"Ju uroj të gjithëve gëzuar vitin e ri 2020! Ju uroj të gjithëve që viti që vjen të jetë më i mirë, më i begatë, më i suksesshëm për ju, për familjet e të dashurit tuaj!
E di që ky fundvit është shumë ndryshe. Tragjedia që goditi vendin në 26 nëntor është ende e freskët. Është ende e freskët dhimbja për jetët e humbura. Është ende e freskët trauma dhe frika. Janë ende mes nesh pasojat e asaj ngjarje, sepse sot mijëra qytetarë, burra, gra, fëmijë e të moshuar janë të detyruar ta kalojnë festën e Vitit të Ri larg shtëpive të tyre.
Urimet e mia shkojnë mbi të gjitha për ta. Nuk jeni vetëm. Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm dhe do të bëjmë gjithçka që së shpejti jetët tuaja t’i rikthehen normalitetit.
Është e lehtë të humbasësh kurajën e optimizmin kur përballesh me një fatkeqësi të tillë. Por është kjo arsyeja përse ne sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të besojmë tek e ardhmja, të kemi shpresë.
Unë besoj që pavarësisht tragjedisë që kaluam, ne kemi sot shumë arsye për t’u ndjerë mirë e për të qenë optimistë.
I gjej këto arsye tek shfaqja solidariteti mbresëlënës që treguan shqiptarët pas tragjedisë.
I gjej këto arsye tek fakti, që ne s’jemi vetëm, por kemi miq e partnerë në mbarë botën që na u gjendën e do të na gjenden për ta kaluar këtë fatkeqësi së bashku!
Por një arsye e gjej edhe mes mijëra burrave grave që punojnë në Forcat e Armatosura e që mëngjesin e 26 Nëntorit u ngritën në lartësinë e detyrës.
Vetëm 1 orë pas goditjes së tërmetit, ata lanë familjet e tyre dhe ishin në terren, duke ndihmuar qytetarët, duke shpëtuar jetë!
Kurrë nuk jam ndjerë krenare për Forcat e Armatosura sesa atë mëngjes.
Dhe sot, në këtë pragfillim viti kam bindjen, që të gjithë së bashku do t’ia dalim ta kapërcejmë këtë situatë të vështirë dhe t’i hapim rrugë një të ardhmeje më të mirë, më të bukur për të gjithë.
Me shumë punë, shumë besim, shumë solidaritet dhe duke punuar së bashku!
Gëzuar vitin e ri! Gëzuar 2020!", thotë Xhaçka.
Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kanë festuar bashkë me fëmijët e tyre natën e ndërrimit të viteve. I pranishëm në tryezën e fundvitit ka qenë i pranishëm edhe babai i kreut të shtetit Rexhep Meta.
Meta ka ndarë foto edhe në rrjetet sociale duke ndarë edhe një urim për vitin e ri 2020.
“Gëzuar e mbarësi në cdo vatër shqiptare”, shkruan Meta në foton krah babait të tij, ashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre fëmijëve, Bora, Besarti dhe Era.
Një bilanc për vitin që lamë pas dhe një premtim se 2020 do jetë më i mirë. Ky urim i Bledi Çuçit vjen si një ministër i Bujqësisë dhe ministri fuqiplotë, që drejton operacionin për tërmetin. Me një ndjesë për fermerët, ai u ka dedikuar vëmendjen më të madhe banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, që la pas 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra persona në qiell të hapur.
Ai premton se qeveria nuk do të braktisë askënd në këto momente të vështira për ta kapërcyer së bashku këtë tragjedi, e ndërsa ka një urim ndaj qindra punonjësve të kërkimit dhe shpëtimit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit, personelit të urgjencës, profesionistëve të mjekësisë dhe çdo personi që kontribuoi në mbrojtjen e jetëve
“Ne eksportuam këtë vit 20% më shumë produkte produktet bujqësore dhe blegtorale krahasuar me një vit më parë. Për herë të parë shpërndamë përmes programit IPARD grande për financimin në bujqësi e blegtorisë, më një vlerë 40 milionë euro. Mbi 9000 mijë fermerë përfituan ndihmë nga skema kombëtare e mbështetjes. Por, të dashur fermerë dhe sipërmarrës jam i sigurt se kamë mirëkuptimin tuaj që sot t’ju drejtohem, së pari mbi të gjitha motrave dhe vëllezërve tanë të cilët në 26 nëntor u tronditën më së shumti nga tërmeti që goditi rajonin e Durrësit, Tiranës e Lezhës. Ky akt i dhunshëm dhe i pamëshirshëm i natyrës shkaktoi, fatkeqësi, humbjen e 51 jetëve dhe la pas shkatërrimin dhe vuajtje të mëdha. Të gjithë jemi prekur thellë nga kjo ngjarje dhe jetojmë përditë me dhimbjen dhe vuajtjen tuaj.
Por sot dua të ndajë me ju besimin e palëkundur se së bashku do t’ja dalim dhe do ta mundim këtë fatkeqësi natyrore. Lajm i mirë është se shkatërrimi dhe rrëzimi i ka hap tashmë rrugë dallimit të një udhëtimi të gjatë, por të sigurt. Ky është udhëtimi që na çon nga gërmadhat dhe dëshpërimi drejt shpresës dhe mundësive të reja. Do jetë një udhëtim i vështirë, por ringritja është e sigurt për Durrësin, Tiranën, Vorën, Shijakun, Kurbinin, Lezhën dhe çdo zonë të prekur. Në emër të qeverisë më lejoni t’ju siguroj se askush nuk do të ecë i vetëm në këtë rrugëtim. Çdo shqiptarë është sot krah jush. Të dashur bashkëqytetarë. Sot dua të përulem me respekt e t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë qindra punonjësve të kërkimit dhe shpëtimit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit, personelit të urgjencës, profesionistëve të mjekësisë dhe çdo personi që kontribuoi në mbrojtjen e jetëve, në shpëtimin e bashkëqytetarëve të mbetur në rrënojat e shkaktuara nga tërmetit dhe në trajtimin e të lënduarve. Faleminderit nga zemra këtyre heronjve të vërtetë mes nesh. Dua gjithashtu të falenderoj partnerët tanë të vyer ndërkombëtarë si dhe organizatat jofitimprurëse ndërkombëtare dhe shqiptare për gatishmërinë dhe ndihmën e tyre të pakursyer që prej momentit të parë dhe në çdo hap të përballjes me pasojat e tërmetit. Rndërtimi i jetëve të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore do jetë sfida kryesore gjatë vitit që po vjen.
Por së bashku do t’ia dalim. Do të rindërtojmë banesat e dëmtuara e të shkatërruara e bashkë me rindërtimin, do t’ju kthejmë jetën dhe do t’ju ringjallim shpresën familjeve, komuniteteve dhe qytetarëve për t’i kapërcyer këto sfida e për të ecur përpara dhe më të fortë. Gëzuar Vitin e Ri 2020! Qoftë ky vit i mbarë për secilin nga ju, për njerëzit tuaj të dashur", shkruan Çuçi.
Një urim në Natën e Ndërrimit të Viteve ka ardhur edhe nga Ambasada Amerikane në Shqipëri. Me një mesazh të shkurtër Ambasada uron: "Gëzuar Vitin e Ri, nga të gjithë ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë".
Postimi i Ambasadës Amerikane
Edhe për liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 2019-a ishte një vit i vështirë që e përballi vendin me sfida të shumta, por edhe me goditjen nga tërmeti i nëntorit që mori jetë e shënoi dëme të mëdha. Në urimin e tij vëmendje të veçantë zënë edhe ata banorë që Viti i ri i gjen të pastrehuar, apo në çadra, në pritje të procesit të rindërtimit të gjithçkaje që u rrënua nga tërmeti.
Teksa uron që 2020-a të sjellë gëzim e mirëqenie për familjet shqiptare, Basha thotë se me mbështetjen e njëri-tjetrit mund të ndryshohet realiteti. Basha veçon shqiptarët që ndodhen në emigrim dhe uron që ata të kthehen në atdhe, përmend veçantë edhe ekipet mjekësore, të policisë, zjarrfikësit, median, dhe të gjithë ata që natën e ndërrimit të viteve e kalojnë në punë në shërbim të njerëzve.
"Një urim të veçantë kam për të rinjtë dhe të rejat, mos e humbisni shpresën dhe besimin tek vetja juaj dhe tek Shqipëria! Forca dhe energjia juaj është frymëzim për çdo shqiptar. Së bashku do ta bëjmë Shqipërine vendin e mundësive për të gjithë ju", uron Basha.
Urimi
Të dashur bashkëqytetarë,
Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve dhe unë nga zemra dua t’ju uroj të gjithëve, kudo ku jeni: Për shumë vjet Gëzuar! Viti që po lemë pas ishte i vështirë, dhe na përballi me sfida të shumta. Tërmeti që goditi vendin tonë e vështirësoi edhe më shumë jetën e mijëra familjeve. 26 nëntori gjunjëzoi vendin dhe la pas një dhimbje të madhe për 51 bashkëqytetarë që sot nuk janë më mes nesh, dhe për dhjetëra mijëra të tjerë që po e kalojnë këtë natë mes vështirësish, në të ftohtë, me tavolina të zbrazura e dhimbje në shpirt.
Ky vit do të mbetet gjatë në mendjen e çdo qytetari, e kjo natë natyrisht nuk do të festohet si çdo vit. Por ajo që dëshiroj me shpirt e për të cilën lutemi të gjithë është që 2019 të marrë me vete gjithë dhimbjen, pamundësinë dhe krizën që përjetuam, e viti i ri të sjellë mbarësi, gëzim, e më shumë mirëqenie në çdo vatër shqiptare.
Së bashku si një familje e madhe me ndihmën e Zotit dhe duke u mbeshtetur tek njëri tjetri do ta ndryshojmë këtë realitet të dhimbshëm në vitin që po vjen. Sot dua të uroj nga zemra çdo qytetar që është në vështirësi që 2020 të sjellë lehtesim, shpresë dhe mirëqenie për ta. Dua të uroj çdo shqiptar që gjendet në emigrim që 2020 të sjellë ditë më të mira, dhe mundësi që të ktheheni e të ndërtoni siç e dëshironi jetën tuaj në Shqipëri!
Dua të uroj sot çdo familje të prekur nga tërmeti që 2020 tu sjellë mbylljen e plagëve në familjet tuaja dhe tejkalim te vështirësive. Dua të uroj sot në veçanti ekipet mjekësore, punonjësit në detyrë të policisë, zjarrfikësit si dhe punonjësit e medias që janë në krye të detyrës, një vit të mbarë e të gëzuar! Një urim të veçantë kam për të rinjtë dhe të rejat, mos e humbisni shpresën dhe besimin tek vetja juaj dhe tek Shqipëria! Forca dhe energjia juaj është frymëzim për çdo shqiptar. Së bashku do ta bëjmë Shqipërine vendin e mundësive për të gjithë ju.
Gëzuar e një vit të mbarë për çdo shqiptar! Zoti e bekoftë Shqiperinë!
Kryebashkiku i Shijakut, Elton Arbana, urimin e tij për vitin e ri 2020, e nis për fëmijët, nënat, baballarët, gjyshet e gjyshërit, teksa më tej fjalët e tij për më shumë begati e mbarësi shkojnë për banorët e zonës së Shijakut, për ditë më të bukura nga ato që kaluan. Tërmetin e 26 nëntorit, jetët e humbura dhe dëmet që la pas i quan një sprovë, por thotë se Shijaku i vitit 2020 do të shkojë drejt progresit.
"Prioritet i yni në 2020 do të jetë rindërtimi i shtëpive, pallateve dhe shkollave që u dëmtuan nga tërmeti", thotë Arbana.
Urimi
Iku një vit kalendarik dhe po troket një tjetër.
Urimi im nis për ju FËMIJË:
T'ju gëzohet zemra gjithmonë!
Kam urim dhe për ju NËNA për devotshmërinë që i falni çdo ditë familjes tuaj duke e lumturuar atë, për BABALLARËT që me përkushtim punojnë për fëmijët e vet, për ju GJYSHE e GJYSHËR që ia bëni më të bukur e më të lehtë jetën mbesave dhe nipërve tuaj. Le të jetë viti 2020 për të gjithë banorët e Shijakut, Xhafzotajt, Maminasit, Gjepaljat, një FILLIM i ri. Ti japim shpresë ditëve tona dhe të përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, ditë më të bukura nga këto që kaluam.
Tërmeti na sprovojë të gjithëve, por nuk shkundi shpresën tonë. Me BINDJE të plotë ju them se gjithmonë ka shpresë për të PËRMIRËSUAR JETËN. Thjesht duhet t'i bëjmë gjërat ME DASHURI. Nëse duam që familja jonë të jetë perfekte, të njëjtën gjë duhet të dëshirojmë edhe për qytetin, shtëpinë tonë të përbashkët. Të jemi altruistë, të solidarizohemi dhe të kontribuojmë me sa mundemi për komunitetin ku jetojmë.
Shijaku i 2020 patjetër do të shkojë drejt PROGRESIT. Është privilegj për mua që në këto pak muaj, së bashku kemi bërë shumë punë të mira. Ndihem me fat, që si djalë Shijaku, do vazhdoj t'i shërbej qytetarëve të mi si kryebashkiak. Prioritet i yni në 2020 do të jetë rindërtimi i shtëpive, pallateve dhe shkollave që u dëmtuan nga tërmeti.
Me ndihmën e bizneseve, pa shpenzuar asgjë nga taksat do të ndërtojmë një KOPSHT dhe ÇERDHE të re sepse fëmijët tanë meritojnë më të mirën. Do të përmirësojmë jetën artistike të qytetit e cila ishte lënë në harresë, duke u përpjekur të nisim ndërtimin e një PALLATI të ri KULTURE, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, shfaqjeve artistike, teatër, kinema etj.
Me pak fjalë, na pret një vit i ri plot sfida dhe suksese! Ju uroj nga zemra Gëzuar 2020! Qoftë një vit sa më i mbarë me shëndet dhe harmoni për familjet tuaja, një vit i suksesshëm dhe plot energji pozitive!
Ju meritoni më të mirën!
Përzemërsisht,
Elton Arbana
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka ndarë video-mesazhin e tij për shqiptarët me një urim për vitin e ri 2020. Nuk ka lënë pas politikën, ky thotë se ky ishte viti më i zi dhe i vështirë për popullin shqiptar. Ish-kryeministri i bën thirrje shqiptarëve të bashkohen që ky vit të mos përsëritet në 2020-ën por të jetë i mbarë. Berisha nuk lë pas akuzat për qeverinë ku përmend koncensionet e shumta, edhe 'narkoshtetin', siç i referohet ai lidhjes së shtetit me krimin dhe trafikun e drogës. Me vit i zi Berisha i referohet edhe humbjes së mundësisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa kryeministrin Edi Rama në videomesazhine tij e quan "monstra e integrimit". "Të ngrihemi e të hedhim mënjanë këtë regjim", thotë Berisha.
"Viti që po lëmë pas ishte për ne shqiptarët viti i rekordeve më të zeza në këto 27 vite pluralizëm. 2019-ta duhet të na ftojë ne të gjithëve të bashkohemi që ky vit të mos na kthehet në 2020. Por 2020 të jetë një vit i bardhë, një vit i mbarë, një vit siç e duam, në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët të shpëtojnë nga rekordet e zeza, të çelin rrugën e bllokuar drejt Europës, kombi të qëndrojë i bashkuar në idealet e tij europiane. Shqiptarët, të frymëzuar nga parimet e lirisë por dhe në shembullin e bolivianeve që përmbysën narkoshtetin e tyre të paketojnë Zoografin bis apo Esad Toptanin në Beograd, të rikthejnë në Shqipëri vlerat e lirisë dhe demokracise!
Uroj çdo shqiptar kudo që gjendet dhe feston ndërrimin e viteve, në shtëpi, lokal, detyrë në kujdes shëndetësor apo dhe vuajtje dënimi, të gjithve: Gëzuar Vitin e Ri 2020! Një vit të bardhë shprese dhe mbarësie për shqiptarët, fëmijët, familjet, miqtë e tyre kudo që festojnë këtë natë! GËZUAR!", shkruan Berisha, teksa shpërndan në rrjetet sociale Video-mesazhin e urimit.
Sali 2020 viti qe qe te urolj te gjeje pa goje ,te meremi vesh me gishta
PërgjigjuBajgat e Vicidolit shporruni nga Shqiperia
PërgjigjuMe mire mos te kishe fol.. se paku sot
Përgjigju