Basha bën bilancin: S’realizova
hipotekat, PS: Vetëm mashtrime

Basha bën bilancin: S’realizova <br />hipotekat, PS: Vetëm mashtrime
TIRANE - Kryetari Lulzim Basha kreu sot bilancin e punës së tij në Bashkinë e Tiranës ku evidentoi si të vetmin premtim të pambajtur çështjen e hipotekave. Bashkia ka realizuar pjesën të cilën ajo mbulon, tha Basha.

“Ndryshimi nuk vjen brenda ditës, por progresi është i qartë. Ky është bilanci i vitit të parë dhe jo mandatit të parë. Jam i sigurt që të gjitha premtimet do realizohen; disa janë realizuar dhe një pjesë do realizohen në vijim e sipër. Në raport me premtimet brenda një viti ka të bëjë me hipotekimet ku Bashkia ka realizuar atë që ka pasur brenda tagrit të vet, por edhe kur nuk kemi pasur tagër kemi marrë masa. Ne nuk do të lejojmë që qytetarët të mbeten peng i forcave të tjera. Ne e kemi marrë këtë përgjegjësi dhe çdo banor do ketë në dorë tapinë e hipotekimit”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se punësimi i qytetarëve ka qenë dhe mbetet prioritet ndërsa theksoi se gjatë këtij viti sektori privat ka punësuar 6091 qytetarë. Ndërsa bërja e Tiranës konkurruese, zhvillimi ekonomik, ulje e kostos së jetesës, plani urbanistik dhe infrastruktura kanë qenë disa nisma kyçe të renditura nga Basha për muajt në vijim.

“Ka nisur të funksionojë qendra e karrierës e cila po ofron stazhe dhe punësim. Një marrëveshje me Bashkisë së Tiranës do të bëjë të mundur punësimin e 400 personave deri në fund të verës”, tregoi kryebashkiaku, ndërsa përmendi edhe ndihmën e dhënë për bizneset e vogla përmes disa kredive të dhëna ndaj tyre.

PS: BASHA KA MASHTRUAR QYTETARET
Por sukseset e cituara nga Basha nuk kanë bindur Partinë Socialiste, e cila akuzoi kryebashkiakun se në 365 ditët e para në krye të Bashkisë nuk ka mbajtur asnjë premtim ndaj qytetarëve të Tiranës por vetëm i ka mashtruar ata.

Kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, zhvilloi një takim me qytetarët e Tiranës në ambientet e Akademisë së Arteve ku renditi premtimet e pambajtura nga kreu i Bashkisë. Ndër problemet e evidentuara nga Dalipi janë mungesa e uljes së çmimit të biletave të transportit urban, mungesa e ujit të pijshëm në Kodrën e Priftit ndonëse kryebashkiaku ka prerë shiritin e inaugurimit, kilometra të tëra rrugësh që nuk janë shtruar, dhuna e ushtruar ndaj komunitetit rom, spastrimin i punonjësve në Bashki dhe shkatërrimi i Parkut Kombëtar.

Të njëjtin qëndrim negativ ka mbajtur edhe deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, gjatë konferencës së parë të të zgjedhurve vendorë të kësaj partie, që u zhvillua në ambientet e Hotel Tiranës.

LICENCAT E FURGONAVE
Pas përfundimit të analizës një vjetore, kryebashkiaku Basha u përball jashtë ambienteve të institucionit të tij me drejtuesit e furgonëve të linjës Kamëz-Tiranë, të cilëve Policia Bashkiake e drejtuara nga Florenc Hoxha u ka bllokuar mjetet e tyre me pretendimin se nuk kanë licencë.

Por drejtuesit e furgonëve i thanë jashtë kameras gazetarit të A1Report se i kanë paguar të gjitha detyrimet dhe bashkia ende vazhdon t'i mbajë të bllokuara licencat.

Basha deklaroi se ishte në dijeni të problemit dhe do t'i jepte zgjidhje brenda 1 jave.

(kz/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Fitorja e mundshme e Le Pen/ Demonstrata në Paris: Fashizmi është gangrenë

Fitorja e mundshme e Le Pen/ Demonstrata në Paris: Fashizmi është gangrenë