Deputeti demokrat dhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi e cilësoi “pushkatim politik të elitës së PD” vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga PD dhe 8 anëtarëve të tjerë. Në një intervistë për “Sot live në Shqipëri” në Report Tv për gazetarin Andi Kapxhiu, Këlliçi tha se nuk ishte parë në Europë që selia e një partie politike të bunkerizohej dhe kryetari ta trajtonte atë si pronë private dhe jo si një aset kombëtar.

“Tentativa për të pushkatuar politikisht elitën e PD nga Basha, tentativa e Bashës për të shkatërruar PD nuk do të ketë sukses, pasi ai sot është një ish kryetar partie që nuk zbret dot në katin e parë të selisë së tij e jo më në bazë. Është bunkerizuar një seli politike, e padëgjuar më parë në Europë. PD është aset kombëtar nuk mundet Basha ta trajtoje si prone private, ku e gjen te drejtën te blindoje dyert e ti mbylli për demokratet. PD ishte ne vdekje klinike dhe largimi i Bashës është jetike një orë e më parë”, tha Këlliçi.

Lidhur me dhunën në protestën e 8 janarit, Këlliçi u distancua duke thënë se ato pamje nuk dëshiron të t’i shoh asnjë demokrat dhe dënon linçimin që i është bërë demokratëve (e vetmja kërkesë që u bë nga kryesia e PD për të hequr pezullimin e tij nga funksionet në parti dhe grupin parlamentar). Këlliçi tha se protesta nuk shkoi sipas planit ndërsa ai bëri thirrje prokurorisë që ka sekuestruar kamerat në selinë blu që të kërkojë personat e inkriminuar që rrinë pas Bashës dhe sulmuan demokratët më 8 janar.

“Nuk shkoi sipas planit pasi kjo ishte e vetmja protestë që nisi para orarit të  njoftuar pasi zakonisht nisin më vonë.  Basha mashtroi demokratët deri në minutat e fundit se nuk kishte dyer të blinduar, dënoj linçimin e demokratëve që ju janë bërë, veprim i shëmtuar edhe ndaj Roland Bejgos. Distancohem nga dhuna , asnjë demokrat nuk kishte dëshirë të shihte këto pamje. Demokratët e revoltuar kishin shuar në seli dhe panë dyert e blinduara.  Ky ishte një provokim që në PD të kishte gjak dhe jo incidente. Ne nuk jemi lejuar te hyjmë ne shtëpinë tone, ndërkohë që është normale që të inkriminuar të jenë brenda PD, prokuroria që ka marrë kamerat të shoh jo vetëm gjatë prostatës por edhe një ose dy ditë parë se aty ka njerëz që kërkohen nga drejtësia. Basha lejon kriminelët të hyjnë dhe pengon demokratët”, tha ai

Se çfarë do të bëjnë në të ardhmen lidhur me selinë blu dhe përçarjen mes tyre, për Belind Këlliçin “demokratët nuk do të ndalen pa u larguar Basha nga uzurpimi i PD”

Kryesia e PD ka përjashtuar përgjithmonë nga partia Sali Berishën dhe 8 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit. Pas 8 orësh mbledhje, kryesia e selisë blu ka përjashtuar Bujar Nishanin, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën. Ndërsa pezulloi 19 të tjerë, me kushtin që të distancoheshin nga dhunë e bërë në selinë blu. Më 8 janar në selinë blu u zhvillua një protestë e dhunshme mes militantëve të Berishës dhe demokratëve të Bashës, që u desh ndërhyrja e policisë për shpërndarjen e protestuesve.