TIRANE- Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar pas takimit me raportuesit e KiE-së se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.  Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë, pasi një shtyrje tjetër e hapjes së negociatave do të ishte fatale për vendin tonë.

Basha tha se këto zgjedhje duhet të vijnë përmes programit të opozitës me 5 pika për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që të jenë të lira dhe të ndershme. Ai u shpreh se në vendimin e Këshillit të Europës, Maqedonia e Veriut u penalizua nga Shqipëria, por megjithatë ndërmori hapin për t'i kthyer mandatin qytetarëve, duke i bërë thirrje PS që të bëjë të njëjtën gjë.

"Zgjidhja e krizës politike, do të mundësohet prej zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Është çështje vullneti e të gjitha palëve. Opozita ka një plan me 5 pika për Reformën Zgjedhore. Një parlament legjitim, një qeveri legjitime si kushte për anëtarësim. Zgjedhjet nuk janë një çështje mendimi apo dëshire por një çështje vullneti e të gjitha palëve. Duhet garantuar liria e votës për qytetarët shqiptarë. Në Shqipëri janë dy qëndrime, ai i një shumice absolute me të cilën nuk mund të vazhdohet më dhe një pakice absolute që nuk do ndryshim. Të mbahen sa më parë zgjedhjet e parakohshme. Një grusht njerëzish përfitojnë në kurriz të shqiptarëve. Dështimin me ekonominë e paguajnë shqiptarët. Është koha për të marrë vendimet e duhura. Është koha që edhe pala tjetër të kuptojë se është në përplasje interesash me shqiptarët. Duhet të fokusohemi në faktin se ligjin nuk pa zbatohet se Kajmaku dhe Babani mbahen ende në detyrë.

Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë. Rivendosja e demokracisë është jetike. Ne jemi të hapur për instrumentet që garantojnë rrugën përpara. Ajo që ka rëndësi sot është që kemi një opozitë që përfaqëson shumicën e shqiptarëve. Kemi një qeveri që nuk ka më asnjë ofertë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Maqedonia e Veriut u bë viktimë për shkak të problemeve të Shqipërisë e megjithatë ndërmori hapin normal për t'i kthyer mandatin qytetarëve. Nuk është kurrë vonë për të reflektuar. PS të reflektojë sa nuk është vonë. Të jeni të sigurt se durimit të njerëzve po i vjen fundi. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci gjithëpërfshirëse me institucione që i takojnë gjithë shqiptarëve. Shqipëria ka humbur 4 herë rrugën drejt Europës dhe hera e 5 do të ishte fatale. Rruga përpara janë zgjedhjet e parakohshme që shqiptarët të mos ikin nga vendi. Nëse ne e hedhim këtë hap do të prodhojmë shpresë për çdo shqiptar", tha Basha.