Lideri demokrat Lulzim Basha përcjell një tjetër mesazh refuzues për ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit i dërgoi sot letrën e pestë publike teksa i bën thirrje të dialogojnë për zgjidhje të krizës politike. Me një video të postuar nga protesta e djeshme e opozitës Basha deklaron se ëndrrat për të sunduar si lindor popullin perëndimor të Shqipërisë do të marrë përgjigjen e merituar.

Ai deklaron se nuk do të pranojë më zgjedhje false të kryeministrit të kapur nga krimi pasi tani është koha për largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

"Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa! 
Europa e dëgjoi zërin e shqiptarëve të bashkuar. Çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor, popullin perëndimor të Shqipërisë, do të marrë përgjigjen e merituar. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë më paligjshmërinë e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e faktuara të vjedhura. Nuk do të pranojnë më zgjedhje fallso të kryeministrit të kapur në krim. 
Tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme",
shkruan Basha.