Me nisjen e fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha para kryeministrisë, demonstruesit e mbledhur kanë nisur të shpërthejnë kapsollë, ndërsa fjalët e kryedemokratit janë dëgjuar me vështirësi për shkak se protestuesit ishin pajisur me vuvuzela. Ish-deputetët e PD-së, mes të cilëve edhe Klevis Balliu, janë parë teksa vendosen para kordonit të sigurisë së forcave të policisë, për të shmangur përplasje të mundshme mes tubuesve dhe forcave të policisë. Militantët kanë hedhur edhe disa tymuese dhe shashka në drejtim të derës kryesore të godinës së kryeministrisë.
"Nuk ka në Evropë kryeministër që të kapet duke vjedhur zgjedhjet e të mos shporret një orë e më parë. Nuk ka në Evropë politikanë që e ka mbushur parlamentin me trafikantë drogë e të vajzave shqiptare, që të mos shporret e të shkojë para drejtësisë. Vlerat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi Ramës në këto gjashtë vite e gjysmë krim e korrupsion, babëzi dhe dhunë ndja qytetarëve shqiptarë. Sot e derisa të bëhet realitet, e shumë shpejt do të bëhet, ka një mesazh nga populli: Rama ik!", u shpreh kryedemokrati.
Lideri demokrat Lulzim Basha u tregua i vendosur për të mos bërë asnjë hap pas nëse nuk largohet kryeministri Edi Rama, duke thënë se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.
"Zëri juaj u dëgjua, po dëgjohet, nuk do të ketë asnjë fund tjetër për këtë betejë përvec largimit të qeverisë së krimit. Mjerë ai që nuk ka vesh dhe nuk dëgjon, e dëgjoi gjithë Shqipëria, e dëgjoi gjithë bota. Zgjedhje demokratike pa opozitën nuk do të ketë. Jepjani përgjigjen ta dëgjojë deri në Surrel, ta dëgjojë në çdo bunker që futet: Rama ik. Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Në këtë orë vendimtare kur qytetarët evropiane u drejtohen kutive të votimit le ti shtrijnë sytë në këtë shesh e të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores. Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar ti jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet ti thërrasë mendjes dhe të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para kushtetutës e ti hapë rrugë zgjidhjes politike. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe pengmarrësit ët demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare. Ja ku është bashkimi dhe mesazhi ynë: Rama ik.", u shpreh Basha.
Lajmi kryesor: