Për herë të parë një protestë paqësore. Protesta e gjashtë kombëtare e opozitës joparlamentare kundër qeverisë, u mbajt ndryshe nga të tjerat. E nisur në orën 19:00 me mbledhjen e simpatizantëve në bulevard, protesta kulmoi me një fjalim të liderit demokrat Lulzim Basha para godinës së kryeministrit Rama rreth orës 20:00. Pati vendosmëri nga ana e tij se nuk do të ketë asnjë hap drejt zgjidhjes politike të krizës, nëse kreu i qeverisë nuk largohet nga pushteti. Basha përmendi sërish qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme.

Një ndryshim të dukshëm nga protestat e tjera që kanë shpërthyer në dhunë, e bëri edhe vetë Lulzim Basha, teksa tashmë e quajti një miting.

Më tej pati një marshim drejt Parlamentit të Shqipërisë, ku u shënua një incident i vogël, të cilën u mundua ta shuajë shumë shpejt sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi pas thirrjes së policisë për qetësi.

Tubimi u mbyll në 21:30, pas dy orë e gjysmë, me një fjalim të liderit demokrat Lulzim Basha në selinë blu. Ndërsa më tej në një takim me ish-deputetët në seli, u vendos që protesta e radhës të jetë më 31 maj, ditën kur nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, garë të cilën opozita joparlamentare e ka bojkotuar dhe deklaron se nuk do të lejojë që këto zgjedhje të zhvillohen.

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi bëri thirrje për të mos pasur akte dhunë në protestë, pasi këto veprime nuk do të ishin gjë tjetër, veçse pikë për Edi Rama. Ajo tha se dialogun Rama duhet ta zhvillojë me popullin dhe për këtë duhet të qëndrojë në kryeministri kur poshtë zyrës së tij protestohet.

Ndërkombëtarët njëzëri, bënë sërish apel që protestat të jenë paqësore, dhe vetë udhëheqësit politikë të opozitës të garantojnë që protesta të mos ketë akte dhune, në të kundërt pjesëmarrësit do të vihen përballë përgjegjësisë. Ambasadat e SHBA-ve dhe e BE-së bënë apel që palët të ulen në dialog konstruktiv, ndërsa kryesuesi i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, bëri thirrje që palët "të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synim për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente".

Protesta erdhi në një moment ndryshe nga tubimet e tjera, pasi ndërkombëtarët, konkretisht Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar krizën politike në Shqipëri, por Basha i ka vendosur kusht Berlinit për dialogun duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama. Kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur i gatshëm për dialog, por se data 30 qershor nuk negociohet. Presidenti Meta shprehu gatishmërinë për të shtyrë datën e zgjedhjeve nëse ka vullnet politik duke dorëzuar edhe mandatin e tij për zgjidhjen e krizës.

Në gatishmëri për mbarëvatjen e protestës ishin mbi 1300 efektivë policie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
Report TV sjell përmbledhjen e pamjeve me dron të protestës së gjashtë kombëtare të opozitës

Report Tv sjell një përmbledhje të pamjeve me dron nga protesta e opozitës jo parlamentare, sot pasdite tek Kryeministria, që u zhvendos më tej me një marshim drejt Parlamentit.

Ora 22:06
PD vendos: Protestë më 31 maj kur çelet fushata elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit

1558814879_mbledhjetepd.jpg

Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur në selinë e Partisë Demokratike ish-deputetët pak pas përfundimit të protestës. Mësohet në takim është vendosur se data e protestës së radhës do të jetë në 31 Maji. Është zgjedhur pikërisht 31 maji, si dita kur Edi Rama ka deklaruar se nis zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 të cilat opozita jokuvendore i ka bojkotuar.

Ora 21:35
Protesta mbyllet me himnin kombëtar, Basha i kalon 'stafetën' tenorit (VIDEO)

Ashtu si protestat e mëparshme edhe ajo e sotmja është mbyllur me himnin kombëtar. Ajo është kënduar nga një tenor duke qenë se edhe më herët kryedemokrati Basha është kritikuar për stonaturë gjatë 'performancës' së tij

Ora 21:33
Basha: Është koha për zgjidhje politike...të largohet Rama, zgjedhje të parakohshme (VIDEO)

Lideri demokrat e përmbylli protstën pas rreth 2 orë e 30 minutash me një fjalim në selinë blu. Ai tha se zgjidhja politike do të vijë vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama.

"Me këtë thirrje kemi nisur qëndresën tonë dhe bashkimin tonë më 16 shkurt, që ka kulmuar sot në pjesëmarrjen më masive popullore në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresës që ka lindur e nuk do të fiket derisa beteja me të keqen të fitohet plotësisht. Zoti ju bekoftë. Mesazhi qartë dhe i prerë ndaj miqve, aleatëve, kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë, se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Evropa, Evropa e dëgjoi zërin tonë, dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme. E vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Evropës. Ky bashkim ka forcën për ta çuar këtë betejë deri në fund. Ne nuk do të pranojmë kurrë më dhunën e krimit të organizuar në kutitë e votimit që kthehen në kutitë e plaçkitjes së shqiptarëve, votime të manipuluara nga krimi. Nuk do të pranojmë zgjedhën kriminale të këtij kryeministri të kapur në krim.

Për ata që i shkon në mendje se me 30 qershor do ta mbysë demokracinë e shqiptarëve, kjo nuk ka për të ndodhur. Forca jonë është përballja dhe përballje do ketë deri në fund të kësaj beteje. Por sot në këtë mbrëmje të mbushur me shpresë, të shkrirjes në një të vullneteve tuaja dhe të Europës dhe miqve tanë për ta çliruar Shqipërinë le të ndahemi me një mesazh të qartë dhe të prerë se jemi gati ta çojmë këtë deri në fund por edhe me paralajmërimin se do thyhet kjo vendosmëri gabohet rëndë. Shkaktari do largohet dhe kjo do i hapë rrugë zgjidhjes politike. Këtë nuk e di vetëm unë apo ju. Këtë e di Europa dhe bota. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracaktoi historia, drejt konkluzionit që iu premtova që ditën e parë, drejt çlirimit të Shqipërisë nga krimi. Beteja jonë po shkon drejt stacionit europian për Shqipërinë si e gjithë Europa. Teksa zëri jonë u dëgjua dhe bota hapi sytë, e kuptuam se kriminelët mbahen në pushtet me kriminelë ma katër klasë shkollë dhe me lobistët e fëlliqur. Kërkesa imë është të qëndrojmë në këmbë dhe gati për ta çuar misionin tonë deri në fund", tha Basha.

Ora 21:14
Shënohet incidenti i vetëm gjatë protestës së opozitës, mbyllet 'ende pa filluar' (VIDEO)

Një incident i vetëm është shënuar para Kuvendit të Shqipërisë, ku simpatizantët kanë tentuar të largojnë hekurat rrethues tek Parlamenti, ndërsa është shënuar edhe një zjarr i vogël. Policia bëri thirrje për qetësim në radhët e protestuesve, ndërsa me ndërhyrjen e sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, incidenti u shua. Ky ishte i vetmi moment tensioni në protestën pa akte dhunë të opozitës këtë 25 maj.

Ora 21:13
Berisha-Ramës: Edhe 300 metra nën tokë të futesh, do të krehin

1558807651_saliberiha.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dhënë nje mesazh kryeministrit Rama që ai të largohet.

Qytetarët tha Berisha do ti bëjnë gjyqin politik që ta mbajë mend gjithë Europa.

Berisha: Kam një mesazh për mostrën që këta burra e kanë shpallur sot moster. 

Ti vejë gishtin kokës sepse durimi ka një kufi, edhe 300 pashë nën tokë të futet do ta krehin, do t’i bëjnë një gjyq publik ta mbajë mend gjithë Europa nëse vazhdon me idenë për të rrëmbyer pluralizmin politik.

Nuk ka forcë në botë që ti mposhtë qytetarët.

Si ju duket qëndrimi i ndërkombëtarëve?

Berisha: Kryetari i opozitës ka dhënë përgjigjen më të ndershme dhe më të drejtë dhe unë e mbështes përgjigjen e tij.

Ora 20:52
Basha: Miting madhështor, mjerë kush e sheh si shenjë dobësie...Ndizini dritat dhe mposhteni errësirën

Lideri demokrat Lulzim Basha e quajti miting tubimin e sotëm para kryeministrisë, duke thënë se askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie. Basha tha zgjidhja politike mund të vijë vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama, teksa u kërkoi simpatizantëve që të luten bashkë me të që kundërshtari të arsyetojë.

"Ky miting madhështor është mesazhi i popullit evropian të Shqipërisë. Ky mesazh është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie, pasi ne jemi më të fortë se kurrë.  Liri a vdekje! Demokraci a vdekje! Le të jetë kjo mbrëmje preludi fatlum i zgjidhjes së kësaj krize, përmes diktatit të normave dhe parimeve të Evropës. Pa asnjë kompromis për parimet dhe normat euroatlantike. Le të jetë preludi i zgjidhjes politike për t'i hapur rrugën Shqipërisë si e gjithë Evropa. Le ti lutemi Zotit, se arsyeja e njerëzve të arsyeshëm edhe në kampin kundërshtar do t'i mbivendoset verbimit të syve të atij që është kapur peng nga krimi në sofrën e qeverisë dhe sundon me krimin.

Por le t'i themi po kështu se ora po troket tik-tak tik-tak dhe se çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor popullin perëndimor të Shqipërisë, çdo ëndërr për të imponuar me krimin zgjedhje moniste dhe çdo përpjekke për të mos u larguar por për të vijuar të qeverisë me krimin, do të marrë përgjigjen e merituar nga ky shesh.

Marshim me dritat e celularëve, ndizini dritat, mposhteni errësirën, e duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Është madhështore kjo pamje, është madhështor mesazhi i popullit. Asnjë hap pas, më ndiqni në marshimin me dritat ndezur drejt Kuvendit", tha Basha.

Ora 20:45
Report TV sjell pamjet me dron nga protesta e opozitës te kryeministria, ora 20:35
Ora 20:40
Kryemadhi: Siç është treguar Zoti bujar me mua, të tregohet edhe politika me shqiptarët

1558809908_MONIKA.jpg

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se shqiptarët duhet të kenë mundësi që të jetojnë në Shqipëri që të mos largohen nga vendi i tyre.

"Siç është treguar Zoti bujar me mua të tregohet politika me shqiptarët. Që çdo shqiptar të ketë mundësi të jetojë në vend. Shqiptarët janë heronj në jetën e tyre. Ne nuk do të lejojmë Edi Ramën dhe bandat e tij të destabilizojnë Shqipërinë", tha Kryemadhi.

Ora 20:32
Protestuesi tenton të sulmojë gardhin metalik, Klevis Balliu e largon

Një protestues është afruar pranë gardhit metalik të vendosur pranë kryeministrisë. Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu është afruar duke e larguar atë që të bashkohet me protestuesit e tjerë.

Të rinj të Partisë Demokratike ishin në protestë me një shirit të bardhë në krah, që simbolizon sipas tyre se protesta është paqësore.

Edhe në tubime të tjera ka pasur përfaqësues  të Forumit Rinor të PD-së si "paqeruajtës" vendosur para forcave të policisë, por as kjo nuk i ka shmangur aktet e dhunës. 

Ora 20:26
'Qeveria e krimit', opozita shkruan mesazhe në murin e kryeministrisë

Në murin e kyeministrisë, janë shfaqur sërish mesazhe të pasyqruar përmes video-projektorit ku është shfaqur simboli i shqiponjës por edhe akuza të opozitës e cila e quan atë qeveria e krimit dhe kryeministria e PPP-ve.

Ora 20:25
Report TV sjell pamjet me dron nga protesta e opozitës para kryeministrisë, ora 20 : 15
Ora 20:17
Basha ndalon fjalën në respekt të iftarit: Sakrifica e besimtarëve u bëftë bekim për shqiptarët

"Më lejoni në emër të të gjithëve, teksa vjen momenti i thyerjes së agjërimit, për vëllezërit dhe motrat tanë në agjërim, tju uroj nga zemra, Zoti jua shpërbleftë sakrificën. Zoti e shndërroftë këtë bekim hyjnor për të gjithë shqitparët dhe Shqipërinë sakrificën tuaj. Ju ftoj të falemi e të lutemi bashkë me ta për një minutë, teksa thyejnë agjërimin në një akt hyjnor të sakrificës dhe të bindjes vetëm ndaj të Madhit Zot si autoriteti suprem i qenieve të tjera mbi tokë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, dritë e bekim për shqiptarët u bëftë sakrifica e besimtarëve", tha Basha.

Ora 20:07
Pas kritikave të CDU/CSU, opozita shpalos në protestë flamurin gjerman

1558808387_basha.jpg

Në protestën e sotme përveç flamunjve të partive politike dhe atij shqiptar janë shpalosur edhe flamuri gjerman, flamuri i BE dhe ai i shteteve të bashkuara të Amerikës. Kujtojmë se në protestat e mëparshme protestuesit nuk ka përdorur në protestë, flamunj të shteteve të huaja.

Kjo vjen pak dite pasi grupimi politik CDU/CSU ne Gjermani kritikoi protestat e dhunshme te opozites.

Ora 20:04
Basha: Jepjani përgjigjen ta dëgjojë deri në Surrel: Rama ik! Zgjedhje pa opozitën, nuk ka! (VIDEO)

Me nisjen e fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha para kryeministrisë, demonstruesit e mbledhur kanë nisur të shpërthejnë kapsollë, ndërsa fjalët e kryedemokratit janë dëgjuar me vështirësi për shkak se protestuesit ishin pajisur me vuvuzela. Ish-deputetët e PD-së, mes të cilëve edhe Klevis Balliu, janë parë teksa vendosen para kordonit të sigurisë së forcave të policisë, për të shmangur përplasje të mundshme mes tubuesve dhe forcave të policisë. Militantët kanë hedhur edhe disa tymuese dhe shashka në drejtim të derës kryesore të godinës së kryeministrisë.

"Nuk ka në Evropë kryeministër që të kapet duke vjedhur zgjedhjet e të mos shporret një orë e më parë. Nuk ka në Evropë politikanë që e ka mbushur parlamentin me trafikantë drogë e të vajzave shqiptare, që të mos shporret e të shkojë para drejtësisë. Vlerat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi Ramës në këto gjashtë vite e gjysmë krim e korrupsion, babëzi dhe dhunë ndja qytetarëve shqiptarë. Sot e derisa të bëhet realitet, e shumë shpejt do të bëhet, ka një mesazh nga populli: Rama ik!", u shpreh kryedemokrati.

Lideri demokrat Lulzim Basha u tregua i vendosur për të mos bërë asnjë hap pas nëse nuk largohet kryeministri Edi Rama, duke thënë se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.

"Zëri juaj u dëgjua, po dëgjohet, nuk do të ketë asnjë fund tjetër për këtë betejë përvec largimit të qeverisë së krimit. Mjerë ai që nuk ka vesh dhe nuk dëgjon, e dëgjoi gjithë Shqipëria, e dëgjoi gjithë bota. Zgjedhje demokratike pa opozitën nuk do të ketë. Jepjani përgjigjen ta dëgjojë deri në Surrel, ta dëgjojë në çdo bunker që futet: Rama ik. Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Në këtë orë vendimtare kur qytetarët evropiane u drejtohen kutive të votimit le ti shtrijnë sytë në këtë shesh e të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores. Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar ti jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet ti thërrasë mendjes dhe të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para kushtetutës e ti hapë rrugë zgjidhjes politike. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit  dhe pengmarrësit ët demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare. Ja ku është bashkimi dhe mesazhi ynë: Rama ik.", u shpreh Basha.

Ora 19:59
Kryemadhi: Nëse Edi Rama do dialog të rrijë në zyrë, ne prandaj shkojmë atje (VIDEO)

Kreytarja e LSI Monika Kryemadhi foli për dialogun me partive politike teksa tha se Edi Rama duhet të qëndrojnë në zyrë nëse do dialog me opoziten.

"Edi Rama duhet të rrijë në zyrë që të dialogojë me popullin. Ja ne po shkojmë atje, pse nuk vjen aty të dialogojë", u shpreh Kryemadhi.

Ora 19:56
Protestuesit sulmojnë me bojë kryeministrinë (VIDEO)

Protestuesit e mbledhur përpara kryeministrisë kanë sulmuar me bojë në drejtim të godinës së qeverisë.

Ora 19:54
Kryemadhi: Protesta të jetë paqësore, dhuna i rrit pikë Edi Ramës

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi deklaroi pak para nisjes së protestë së sotme teksa marshonte nga selia e LSI drejt Kryeministrisë. Ajo tha se protesta duhet të jetë paqësore pasi në këtë mënyrë i rriten pikët Edi Ramës.

"Përveç emocionit ndjen edhe një përgjegjësi për të gjithë këta qytetarët që na përgjigjen sot. Protestojmë edhe për socialistët të cilët nuk mund të jenë aty, por kanë një jetë të vështirë. Ne do tregojmë se jemi qytetarë dhe jemi më të fortë se kurrë, Ne sot tregojmë se jemi europianë dhe dëshira për të qenë pjesë e BE është shumë më shumë se çdo flamur politik. Protesta e ka arritur qëllimin e saj, numri i protestuesve shtohet cdo ditë. Rama nuk duhet t'i provokojë më protestuesit, por t'i lërë ata të  qetë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të distancohen nga çdo akt dhune pasiv viktimat nuk është Edi Rama por ata 500 mijë shqiptarë që janë larguar nga vend. Cdo dhunë që do bëjmë ne sot i jep pikë Edi Ramës, Rama e di shumë mirë se vetëm dhuna i shton jetën atij.  Dua të them se sot kjo protestë e jashtëzakonshme është clirim shpirtëror . E ka bërë të qartë edhe Basha se dialogu ynë është dialog kombëtar. Nuk ka më dialog me partitë politike. Ka dialog me shqiptarët për t'i dhënë zgjedhje probleme të tyre. Dialog fillon duke ofruar alternativën për të qene pjesë e dialogut. I bëj thirrje Edi Ramës të jetë i sinqertë. Deklarata e deputetëve të Bundestagut gjerman ishte shumë i qartë kur thotë se shtyrja e zgjedhjeve dhe largimi i kryeministrit nuk është tabu. Duhet të mbyllim tranzicionin njëherë e përgjithmonë. Është shume e rëndësishme të dimë se nuk jemi vend i botës së tretë dhe kemi djem dhe vajza që duan të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri", u shpreh Kryemadhi.

Ora 19:43
Basha del nga selia, marshim drejt kryeministrisë me të rinjtë e FRPD-së (VIDEO)

Në orën 19:40, lideri demokrat Lulzim Basha ka dalë nga selia blu, shoqëruar nga vajza dhe djem të forumit Rinor të partisë. Një mardhim drejt bulevardit për tu bashkuar me protestuesit tek kryeministria. Në disa tubime këtë marshim kreu i opozitës e ka bërë disa herë me bashkëshorten e tij, e cila në këtë protestë nuk është e pranishme.

Ora 19:40
Kërkojnë largimin e Ramës nga 'qielli', e shkelin me këmbë duke ngrënë makarona! (FOTOT)

Në protestën e opozitës, grupet e të rinjve demokratë kanë organizuar disa mënyra të protestuari. Janë ngritur balona me mbishkrimin Rama Ik, të cilat kanë fluturuar në qiell, ndërsa një formë tjetër proteste ishin edhe tepsitë jo vetëm me mbishkrimin Rama ik, por edhe me një foto të kryeministrit duke ngrënë makarona. Disapërfaqësues të forumeve rinore të PD-së kanë vendosur këmbët mbi tepsinë me foton e kreut të qeverisë.

Ora 19:40
Protesta e opozitës para kryeministrisë, pamjet me dron ora 19:30
Ora 19:32
Jorida Tabaku shtatzënë në protestë: Nuk ka skenar dhune, s'kam pse të jem e rrezikuar (VIDEO)

Në protestën e sotme të opozitës merr pjesë edhe ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku e cila është në pritje të një fëmije. Tabaku deklaroi se ndonëse shtatzënë nuk mund ta humbiste atmosferën e sotme të protestës pasi është e bindur se nuk do ketë dhunë nga ana e protestuesve.

"Sot ka dalë e gjithë Shqipëria. Atmosfera është e jashtëzakonshme. Është një mundësi që ndodh njëherë në jetë dhe nuk mund ta humbja. Jam e bindur që PD nuk ka përgatitur asnjë skenar dhune dhe unë nuk ndihem e rrezikuar të jem këtu", u shpreh Tabaku për Report TV.

Ora 19:30
Protesta e opozitës para kryeministrisë, pamjet me dron ora 19:20 (VIDEO)
Ora 19:21
Hidhen tymuese dhe kapsolla tek Ministria e Brendshme dhe Kryeministria

Disa militantë të opozitës kanë hedhur tymuese dhe kapsolla tek Ministria e Brendshme ku ishin grumbulluar. Disa raste sporadike ndërsa më tej kanë marshuar drejt bulevardit për tju bashkuar simpatizantëve të mbledhur para kryeministrisë.

Ora 19:17
Risi në protestën e opozitës, protestuesit shfaqen me vuvuzela dhe daulle (FOTO)
Ora 19:08
Parrulla: 'Rama ik! S'ka zgjedhje pa opozitën'

"Rama ik" dhe "Nuk ka zgjedhje pa opozitën", janë disa nga mesazhet në pankartat e protestuesve.

Ora 19:08
Partia e Legalitetit zbret në 'sheshin' e protestës me 10 përfaqësues (VIDEO)

Me kapele të verdha në kokë, afro 10 përfaqësues të Partisë së Legalitetit kanë marshuar drejt kryeministrisë teksa pritet t'i bashkohen pjesës tjetër të protestuesve.  

Ora 19:00
Agron Duka apel para protestës: Jemi kundër dhunës (VIDEO)

Kreu i PAA, Agron Duka deklaroi për Report TV se opozita po lufton për një kauzë të drejtë tkesa deklaroi se është kundër dhunës pavarësisht se zemërimi popullor nuk mund të menaxhohet lehtë.

"Ne luftojmë për një kauzë të drejtë dhe përveçse janë dokumentuar që zgjedhjet janë të vjedhura, politika është e lidhur me krimin. Edhe unë kam të njëjtin apel. Jemi kundër dhunës. Nuk është shumë e lehtë për arsye të zemërimit popullor", deklaroi Duka për gazetarin e Report TV Arsen Rusta.

Ora 18:47
Protestuesit me daulle dhe vuvuzela përpara kryeministrisë (VIDEO)

Një 'instrument' i cili nuk është parë në protestat e mëparshme të opozitës janë vuvuzelat. Mbështetësit e djathtë të cilët kanë nisur të mblidhen përpara kryeministrisë mbajnë në duar edhe vuvuzela të cilat do të përdoren përgjatë protestës së sotme. Ndërsa një prej tyre mban edhe një daulle teska qëndron përpara godinës së kryeministrisë.

Ora 18:42
Kreu i PD-së së Fierit mohon faktet: Nuk kemi përdorur molotov, por mos të presin që të hedhim lule

Kreu i PD në Fier Luan Baçi deklaroi për gazetarin e Report TV Arsen Rusta se protestat e opozitës nuk kanë qenë të dhunshme dhe shishet që pretendohen se kanë qenë me molotov nuk kanë qenë molotov. Ai tha se një protestë mund të jetë gjithmonë me tensione dhe nga nuk mund të presin që protestuesit të hedhin lule.

"Për protestën e sotme vendosin qytetarët. Protestat duhet të jenë jo të dhunshme. Protestat e PD nuk kanë qenë të dhunshme. Nuk mund të quhen të dhunshme ato shishet që i quajnë si molotovë. Policia është provokatore e dhunës. Nga një opozitë  në kushte depresioni, ka dalë në rrugë dhe ka në mbështetje popullin, nuk mund të presin që t'i hedhim lule. Mund të ketë edhe tensione të cilat gjithmonë janë prezent në një protestë. Këto qytetarët që vijnë pas opozitës nuk vijnë vetëm për ndërrim pushteti", u shpreh Baçi.

Ora 18:40
PD jep sinjalin e parë për protestë paqësore (FOTO)

Të rinj të Partisë Demokratike do të jenë në pjesë e protestës me një shirit të bardhë në krah, që simbolizon sipas tyre se protesta do të jetë paqësore. Edhe në tubime të tjera ka pasur përfaqësues  të Forumit Rinor të PD-së si "paqeruajtës" vendosur para forcave të policisë, por as kjo nuk i ka shmangur aktet e dhunës. 

Ora 17:04
PD: Policia postbllok autobusëve të protestuesve në Korçë, shoqërohen dy militantë

Sipas Partisë Demokratike në postbllokun e policisë të ngritur në Çiflig të Korçës, është ndaluar autobusi i militantëve të opozitës dhe dy prej tyre janë shoqëruar në ambientet në komisariatit për verifikim.

Ora 16:23
Militanti i PD: Sot janë centimetrat e fundit të bishës (VIDEO)

Një militant i PD nga Lezha i cili do të marrë pjesë në protestën e sotme thotë sot Shqiptarët do të mblidhen në Tiranë pasi janë centimetrat e fundit të bishës. Ai thotë se fasadat që gënjejnë duhen zhdukur për të mirën e popullit.

"Po pres që të gjithë Shqiptarët të shkojnë në Tiranë. Historia po përsëritet. I çmenduri i parë pati thënë ta bëjmë Shqipërinë hekur e beton, ky i dyti po e bën helm. Njerëzit dhe drogaxhinjtë drejtohen nga një i çmendur. Tani besoj se janë centimetrat e fundi të kësaj bishe. OSBE nuk është Zoti. Këta janë si juda, janë fasadë që gënjejnë popullin. Duhen zhdukur për të mirën e popullit", thotë një protestues.

Ora 16:20
Kreu i PD në Fier: Policia na ka bërë presion, i kemi identifikuar (VIDEO)

Kreu i Partisë Demokratike në Fier Luan Baçi thotë vetëm pak orë para nisjes së protestës së opozitës se militantët e PD janë kërcënuar nga policia për të mos marrë pjesë në protestë. Ai thotë se Rama duhet të japë dorëheqjen dhe t'i hapë rrugën një qeverie tranzitore.

"Letrat Rama i bën vetë dhe i lexon vetë. Rama është një delir madhështie dhe nuk arrin të kuptojë që qytetarët shqiptarë janë ngritur kundër tij, kundër arrogancës së tij. Unë nuk dua të merrem me letrat e Ramës. Ai duhte ta japë dorëheqjen dhe të ndërtohet një qeveri tranzitore. Protesta e sotme do jetë në rritje. Dua të bëj një denoncim për policinë. Kryetari i grupseksionit Besnik Skënderi i kanë shkuar të shtëpia dhe i kanë bërë presion se nuk duhet të marrë pjesë në protestë. I bëj thirrje drejtorit të policisë dhe ministrit që t'i lënë presionet dhe këta inspektorë rendi që bëjnë presion janë identifikuar", u shpreh Baçi.

Ora 15:30
Zbardhet skenari i protestës së opozitës

Zbardhet skenari i protestës së opozitës! Burime për Report Tv bëjnë me dije se edhe protesta e 25 majit do të jetë një marshin më institucionet qeveritare më të rëndësishme. I njëjti skenar është përdorur nga opozita edhe në protestën e 13 majit. 

Ora 15:23
Protesta e opozitës/ Demokratët e Beratit të parët për të mbërritur në Tiranë

1558790723_nisenprotestuesiteberatit.jpg

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e protestës së opozitës, janë demokratët e Beratit të parë që kanë marrë rrugën për në Tiranë. Siç raporton gazetari i Report Tv, katër autobus janë vënë në dispozicion anëtarëve, simpatizantë të PD. Nisja është bërë jashtë mjediseve të selisë blu.

Ora 11:22
Sot protesta, Berisha paralajmëron Ramën: Po vjen cunami i historisë

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëron qeverinë Rama.

"Sot Cunami i historisë. Shqipëria vërshon drejt Tiranes! Rama ik! Fitore!|" shkruan ai.