Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht Kryetar i PD-së, priti të hënën në një takim kortezie ambasadoren e Republikës së Francës, Christine Moro, me rastin e përfundimit të misionit të saj në vendin tonë. Basha e falënderoi znj. Moro për gjithë mbështetjen që ajo dhe vendi i saj i kanë ofruar Shqipërisë, si në procesin e zhvillimit ekonomik, ashtu dhe në procesin e integrimit europian.

Një mirënjohje të veçantë, Basha i shprehu ambasadores franceze për mbështetjen financiare dhe me ekspertizë teknike që ajo dhe vendi i saj i kanë dhënë projektit të Tiranës moderne dhe evropiane dhe veçanërisht projektit të tramit, i cili pret garancinë sovrane nga qeveria për t'u realizuar, ndërsa u shpreh optimist, pavarësisht debatit politik.

Në lidhje me situatën politike në vend, Basha shprehu shqetësimin për paligjshmërinë që po shoqëron çdo vendimmarrje të kësaj qeverie, rënien ekonomike dhe tentativën për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura dhe e siguroi ambasadoren Moro, se opozita nuk do të merret vetëm me konstatime të problematikave të qeverisjes, por do të ofrojë vizionin e saj për sigurimin e një jete sa më të mirë për qytetarët.

Ndërsa, për sa i përket reformës territoriale, Basha ripërsëriti qëndrimin e PD- së, se kjo është thjesht dhe vetëm një hartë elektorale dhe jo një reformë e bazuar në realitetin e vendit dhe se Partia Demokratike do të vazhdojë konsultimet me qytetarët dhe do të ndjekë çdo instrument ligjor dhe kushtetues, për të bërë të mundur që qytetarët të vendosin vetë për një reformë territoriale administrative që t'u shërbejë atyre.

Gjithashtu, Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Basha zhvilloi një takim kortezie edhe me ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Janos Huszar, me rastin e përfundimit të misionit të tij në vendin tonë.
Basha i cilësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Hungarisë të shkëlqyera e që janë intensifikuar edhe më shumë kohët e fundit, duke vlerësuar dhe kontributin e ambasadorit Huszar në këtë drejtim."Hungaria, tha Basha ka qenë një mbështetëse e madhe dhe historike e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe për këtë, çdo shqiptar iu është mirënjohës", theksoi Basha.

Ambasadori hungarez ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë gjatë drejtimit të qeverisë nga PD të cilat bënë të mundur që Shqipëria të anëtarësohet në NATO dhe të hedhë hapa përpara në procesin e integrimit europian.
Ambasadori, Huszar falënderoi Bashën për vlerësimin e figurave të shquara të Hungarisë, siç është vendosja e emrit të heroit kombëtar të Hungarisë "Janos Hunyadi" një rruge të rëndësishme në Tiranë, si dhe mbështetjen e ofruar nga ana e tij për rikonstruksionin e ambasadës hungareze.

Ndërsa, Basha e siguroi ambasadorin se përtej historisë së shkëlqyer qindravjeçare që kanë vendet tona, do të vazhdojë bashkëpunimi në të gjitha fushat me Hungarinë./ATSH/