Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se veç dpsjes '339' të Prokurorisë për dyshime të përfshirjes së kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako në vjedhje votash, tha se shumë shpejt zyrtarë të tjerë nga Partia Socialiste do të vihen në hetim në sajë të një tjetër dosje me numrin '184'. Sipas Bashës, kjo dosje flet për një tjetër skandal të qeverisë sipas tij, në Dibër. Ai nuk dha më shumë detaje, kur pas një mbledhje që pati në selinë blu me aleatët, i tha gazetarëve të interesuar, se detajet për këtë dosje duhet t'i kërkojnë në Prokurori.

"Ne do të vazhdojmë aksionin kundër këtij parlamenti ilegjitim, që është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar. Rama, dosja 339 është makthi yt, ti e di fare mirë se përtej minutave që janë botuar, uroj ta dish se ca përmban edhe dosja 184. Këto do zbardhen, politikanët e përfshirë me kokat e krimit të organizuar do të shkojnë para drejtësisë. Pyeteni prokurorinë pse janë vonuar hetimet dhe pse nuk zbardhen dosjet", tha Basha.

Lideri i opozitës jo parlamentare doli nga takimi me aleatët duke thënë se PD ka arritur të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe jo vetëm. Me asistencën e tyre - Basha tha se PD, do të nisë përgatitjen për zgjedhjet parlamentare, që sipas tij do të jenë të parakohshme, dhe jo në vitin 2021 kur përfundon mandati 4-vjeçar i qeverisë Rama. Basha tha se me asistencën e tyre do të zgjidhën deputetët e ardhshëm nga anëtarësia e partisë përmes parimit 1 anëtarë, 1 votë, -siç ai u shporeh - me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike.

"Për dy ditët e ardhshme, partnerët ndërkombëtarë të Institutit Republikan Amerikan dhe më pas partnerët e Partisë Konservatore Britanike, në bashkëpunim edhe me Fondacionin “KonradAdenauer” të partisë simotër të kristiandemokratëve gjermanë, do të përfshihen në një asistencë të vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike, që të nisë zbatimi i rregullit të kushtetutës tonë, kushtetutës së Partisë Demokratike, për përzgjedhjen e kandidatëve të ardhshëm për deputetë, me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike", tha Basha.

E quajti protestën e 16 shkurtit para Kryeministrisë nisjen e një rrugëtimi shprese, dhe tha se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë. Lideri demokrat ju drejtua edhe më një apel qytetarëve që t'i bashkohen protestës që opozita do të mbajë nesër në orën 10:00 tek Kuvendi i Shqipërisë, të cilin e quan ilegjitim, në të njëjtën orë që deputetët e mazhorancës do të mbajnë seancë plenare. Po nesër në këtë seancë do të betohen edhe 4 deputetët e rinj që morën mandatin sot nga KQZ, të ardhur nga listat e kandaidatëve të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. 

Basha deklaroi se “asnjë vendim i një Kuvendi ilegjitim që përfaqëson interesat e një grushti hajdutësh dhe kriminelësh, nuk njihet nga opozita”.

"Ftoj të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së njoftuar nga opozita për të shprehur mospajtimin total dhe kundërshtimin absolut me këtë parlament ilegjitim dhe me klonimet e dështuara që Edi Rama do te përpiqet të shesë nesër si “fasadë opozitë”, tha Basha.