TIRANE- Kreu i Partisë Demokryaike, Lulzim Basha është takuar dje me ambasadorin e Austrisë Jan Kickert, i cili shoqërohej nga drejtori i sektorit për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, Johann Sattler. Gjatë takimit, kryetari Basha theksoi se rekomandimi për marrjen e statusit është një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe është për të ardhur keq që statusi erdhi me kaq vonesë, për shkak të bllokimeve dhe qëndrimit jo konstruktiv të opozitës së Partisë Socialiste.

“Shqipëria e meriton statusin dhe Partia Demokratike do të japë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor dhe do të bëjë gjithçka, për hapjen e negociatave për anëtarësim”, deklaroi Basha. Më tej, në takim u diskutua mbi situatën aktuale politike në vend. Z. Basha shprehu shqetësimin jo vetëm të opozitës shqiptare, për sfidimin e hapur të shtetit ligjor, fushatën e sulmeve që mazhoranca ka ndërmarrë ndaj institucioneve të pavarura si dhe për klimën e panikut, për sa i përket situatës financiare e fiskale në vend. “Konceptimi i qeverisjes, si një fushatë kundër ligjit dhe kushtetutës, kundër institucioneve të pavarura, kundër konsensusit dhe kundër të vërtetave ka në themel jo vetëm mungesën e vizionit dhe programit të kësaj mazhorance por dhe përpjekjen për të instaluar me shpejtësi në Shqipëri, praktikën e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, si pararojë e instalimit të kleptokracisë” - theksoi Basha, gjatë takimit me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë.
 
Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)