1. BAJRAM PEÇI, AUTOR
“FLUTURIMI I SHQIPONJËS”, HISTORIA E SIMBOLIT KOMBËTAR
Historia e shqiponjës, simbolit më të njohur të identitetit shqiptar, vjen e dokumentuar në librin "Fluturimi i Shqiponjës", monografia më e re studimore e autorit Bajram Peçi. Vepra mbështetet në një punë shumëvjeçare kërkimore dhe në fondin e pasur të koleksioneve private të autorit, ku përfshihen pulla postare, monedha, kartëmonedha dhe medalje.
“Studimi buron nga njohja ime e gjatë me pullat postare, monedhat, kartëmonedhat dhe medaljet që kanë qenë pjesë e koleksionit tim privat. Përmes tyre kam ndjekur historinë e shqiponjës, mënyrën si u bë simbol i familjeve feudale shqiptare dhe më pas simbol kombëtar. Libri ilustrohet me pulla postare, monedha dhe medalje që dëshmojnë vazhdimësinë e këtij simboli nga vitet e para të shtetit shqiptar e deri në ditët tona",- thotë Peçi.
Në studim trajtohet rrugëtimi historik i shqiponjës në heraldikën shqiptare, duke ndalur te familjet feudale si Kastriotët, Muzakajt, Dukagjinët dhe Zahariajt, si edhe te ndikimi i Perandorisë Bizantine në përdorimin e këtij simboli.
“Kombi shqiptar u bashkua rreth derës së Kastriotëve. Me Lidhjen e Lezhës, flamuri i Kastriotëve u pranua si flamuri i bashkimit të arbërve. Edhe pas pushtimit osman, kujtesa për këtë flamur mbeti gjallë dhe u ruajt deri në Rilindjen Kombëtare",- thotë Peçi.
Monografia sjell edhe një pasuri ilustrimesh, duke treguar se si shqiponja është pasqyruar ndër shekuj në dokumente, harta, pulla postare, medalje e kartëmonedha. Sipas autorit, secili element heraldik: ngjyrat, forma e krahëve apo numri i pendëve, mbart një domethënie të veçantë historike.
“Burimi kryesor i librit është fondi im i koleksioneve, por edhe revista 'Koleksionisti' dhe studimet e koleksionistëve shqiptarë. Përmes këtyre materialeve është ndërtuar një panoramë e plotë e historisë së shqiponjës shqiptare",- thotë Peçi.
Libri ndalet edhe te gjurmët që kanë mbijetuar jashtë Shqipërisë, në Itali, Zvicër e vende të tjera, ku ruhen dorëshkrime, harta dhe objekte që lidhen me familjen e Kastriotëve. Në Shqipëri, ndër dëshmitë e pakta të kësaj periudhe, autori përmend shqiponjën e ruajtur në Kishën e Rodonit.
“Fluturimi i Shqiponjës” vjen si një studim që ndërthur historinë, heraldikën dhe koleksionizmin, duke sjellë një këndvështrim të ri mbi simbolin që identifikon shqiptarët prej shekujsh.
Libri është i disponueshëm për shitje në “Bunk'Art 1” dhe “Bunk'Art 2”.
2. ALBANA NEXHIPI-LEKAJ, PËRKTHYESE
“IKANAKËT”, ROMAN PËR PËRKATËSINË DHE PRANIMIN E VETES
Një histori për kërkimin e vetes, për miqësinë, dashurinë dhe rrënjët që na ndjekin kudo. “Ikanakët”, romani i autorit italian Mario Desiati, fitues i Çmimit Strega 2022, vjen tashmë edhe në shqip. Një vepër që ka prekur mijëra lexues në Europë dhe që sjell portretin e një brezi që zgjodhi të largohej nga shtëpia për të gjetur vendin e vet në botë.
Në qendër të romanit janë Klaudia dhe Françeskoja, dy të rinj të rritur në provincën konservatore të Pulias. Klaudia është rebele, jokonformiste dhe e vendosur të jetojë sipas rregullave të saj. Françeskoja është i turpshëm, i përmbajtur dhe i ndarë mes edukimit fetar dhe dëshirës për të kuptuar veten. Miqësia e tyre bëhet forca që i bashkon, por edhe sfida që i detyron të përballen me frikërat dhe zgjedhjet e jetës.
“Romani në fillim të duket si një histori dashurie mes dy të rinjve, por shumë shpejt kupton se është një histori dashurie për veten. Françesko përballet me paragjykimet, me tabutë dhe me nevojën për të kuptuar kush është në të vërtetë. Pikërisht kjo e bën librin kaq të fortë dhe tronditës. Është një rrëfim për ata që largohen nga rrënjët e tyre për të gjetur veten dhe që kuptojnë se, pavarësisht sa larg shkojnë, lidhja me rrënjët mbetet gjithmonë e fortë",- thotë Albana Nexhipi-Lekaj.
Nga Pulia në Milano e më pas në Berlin, qytetin që simbolizon lirinë dhe pranimin, rrugëtimi i dy protagonistëve është një udhëtim drejt identitetit. Klaudia largohet pa pushim në kërkim të vetes, ndërsa Françeskoja mbetet për vite i lidhur me të kaluarën, derisa vendos edhe ai të niset. Ribashkimi i tyre në Berlin shënon fillimin e një etape të re, ku të dy përpiqen të ndërtojnë jetën pa u fshehur pas frikërave apo pritshmërive të të tjerëve.
Me një stil poetik dhe një analizë të thellë psikologjike, Mario Desiati trajton temat e përkatësisë, seksualitetit, emigrimit dhe pranimit të vetes. “Ikanakët” nuk është vetëm historia e dy miqve, por edhe rrëfimi i një brezi europian që sfidoi kufijtë gjeografikë, paragjykimet dhe konvencionet për të jetuar me më shumë liri.
Një roman për identitetin, dëshirën dhe guximin për të jetuar pa maska. "Ikanakët" fton lexuesin të reflektojë mbi pyetjen më të vështirë dhe njëherazi më universale: sa larg duhet të shkojmë për të gjetur veten.
3. AIDA BARO, PËRKTHYESE
PANDA DHE DRAGOI, NJË UDHËTIM MES STINËVE TË JETËS
Një histori e ngrohtë miqësie, reflektimi dhe zbulimi të vetvetes vjen për lexuesit shqiptarë përmes librit “Panda e Madhe dhe Dragoi i Vogël”, bestseller i Sunday Times nga autori britanik James Norbury. I sjellë në shqip nga përkthyesja Aida Baro dhe botuar nga Dita Books, libri fton lexuesit e çdo moshe në një udhëtim filozofik përmes stinëve të jetës.
Të humbur në mjegullën e dimrit, Panda dhe Dragoi i Vogël nisin një aventurë që zgjat një vit të tërë. Nga pranvera në pranverë, dy miqtë përballen me sfida, pasiguri, gëzime dhe trishtime, duke zbuluar vlera universale si miqësia, prania pranë njëri-tjetrit dhe lidhja e ngushtë me natyrën.
“Libri ‘Panda e Madhe dhe Dragoi i Vogël’ është një libër i jashtëzakonshëm, shumë i mrekullueshëm si për të rriturit edhe për fëmijët. Është rrugëtimi i dy miqve shumë të afërt, një Panda dhe një Dragua, të cilët së bashku kalojnë nëpër stinët e jetës dhe zbulojnë gjëra që në kushte normale nuk do t’i kishin zbuluar",- AIda Baro.
Përmes dialogëve të shkurtër dhe ilustrimeve plot ndjenjë, autori përcjell mendime të thella mbi jetën. Çdo faqe përmban reflektime që ngjajnë me “pilula filozofike”, të afta të ndalin lexuesin për një moment dhe ta ftojnë të mendojë mbi përvojat e veta.
“Libri është i përbërë nga disa pilula filozofike, të cilat në një farë mënyre përmbledhin esencën e njohurisë njerëzore në pak rreshta. Nuk është një libër fetar, por një libër metafizik që na lidh me qenien tonë dhe me mësnyrën se si e përjetojmë jetën",- thotë Baro.
Një nga temat më të ndjera të librit është vetmia dhe mënyra si ajo mund të kapërcehet përmes pranisë së dikujt pranë nesh. Panda dhe Dragoi tregojnë se shpesh nuk nevojiten gjeste të mëdha për të ndihmuar një mik, por thjesht të jesh aty në momentet më të vështira.
“Ka një moment kur Dragoi thotë se ndihet sikur është në një pus të errët dhe nuk di si të dalë prej tij. Panda i përgjigjet: ‘Do të vij të ulem pranë teje derisa të qetësohesh.’ Ky është një mesazh shumë i fortë, sepse na kujton se kemi nevojë për praninë e njerëzve në jetën tonë',-thotë Baro.
Botimi vjen në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, duke u ofruar lexuesve mundësinë të shijojnë tekstin në të dyja versionet. Sipas botuesve, kjo zgjedhje synon të afrojë veçanërisht të rinjtë me leximin dhe njëkohësisht të vlerësojë pasurinë e gjuhës shqipe.
Te rubrika e poezisë, vargjet e mrekullueshme shkruar nga Atë Gjergj Fishta, një emër i madh dhe një figurë e rëndësishme e historisë, trashëgimisë dhe kulturës shqiptare.
Melodia e Vargut nga Sonila Strakosha
Atdheut
N'ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon,
N'ty mendoj kur soset dita,
Terri botën kur e mblon.
Veç se ty te shoh un n'andërr,
Veç se ty, cuet, t'kam n'mendim;
Ndër t'vështira ti m'je qandërr,
Për ty i lehtë m'vjen çdo ndëshkim.
Tjera brigje, fusha e zalle
Unë kam pa, larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle,
N'tjera lule syu m'u rrek;
Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s'rri,
Ma i kulluet nji lum s'dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.
N'ty ma i bukur lulzon Prielli,
Janë ma t'kandshme stinë e mot;
N'ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambël t'Madhit Zot.
Pa ty lules s'm'i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m'bjen:
Mue pa ty nuk m'del prendvera,
Pa ty dielli nuk m'shkelxen.
Dersa t'mundem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s'kam me t'harrue,
Edhe n'vorr me t'përmend e kam.
Komente



