TIRANË - Përfaqësues të Green Line janë takuar me kryebashkiakun Lulzim Basha në qendër të Tiranës, te lulishtja e re përpara Muzeut Historik Kombëtar. Vullnerët e Greenline janë në prag të Ditës së Pastrimit të Shqipërisë, e paracaktuar si 22 nëntori, kur do të nisë aksioni për pastrimin e Shqipërisë në një ditë, me pjesëmarrjen e 100 mijë vullnetarëve në gjithë vendin.

Ata kanë bërë thirrje sot që të gjithë të dalin të pastrojnë para pallateve tona, ambienteve tona. Ta kthejnë Shqipërinë një vend më të bukur për të jetuar. Basha ka përgëzuar këtë nismë të të rinjve dhe ka kujtuar se prej dy vjetësh nëntori është muaji i pastrimit vullnetar. Ai ka treguar se prej dy javësh bashkia po bën punë për eliminimin e inerteve në disa pika si afër Medresesë, shkaktuar edhe nga papërgjegjshmëria e bashkisë, siç ishte pas përfundimit të Pedonales ku gurët u lanë aty.

Basha ka bërë të ditur një lajm të gëzueshëm, të eliminimit të katastrofës mjedisore tek lumi i i Tiranës, që me përçmim njihet si Bregu i Lumit. “Lajmi është që këtë javë autoritetet financuese të projektit të Bulevardit të Ri miratuan nisjen e punimeve të lumit, punime të cilat do eliminojnë mijëra qindra metra kub ndotje, hedhur për më shumë se 3 dekada. Do të bëjmë të mundur që në lumin e Tiranës mos hidhet asnjë pikë nga ujërat e zeza, që depozitoheshin në këtë lumë. Në përfundim të projektit, lumi do kthehet siç ka qenë dikur, një arterie blu, me gjelbërim në të dyja brigjet, me akses për të moshuarit, qytetarët. Nga një katastrofë ekologjike do të kemi një zonë rekreacioni”, shpjegoi Basha, i cili i pyetur mbi faktin se aty vazhdojnë të hidhen inerte ka shtuar se “Policia Bashkiake ndjek masa ndëshkuese ndaj tyre që derdhin inerte”.

Ai u ka bërë në fund thirrje qytetarëve që t’i bashkangjiten nismës së Greenline për Shqipëri më të pastër. “Ta kthejmë në një standard të parë të arritur të përkatësisë dhe identitt tonë europian”, tha Basha.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)