TIRANE- Kryetari i PD-së Lulzim Basha i cilësoi si blofe të kryeministrit Edi Rama deklaratat se në 30 Qershor do të ketë zgjedhje lokale dhe se do të shkarkojë Presidentin e Republikës Ilir Meta, pasi anuloi dekretin. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha tha se zgjedhjet nuk do të mbahen më as 30 qershor as 30 gusht dhe askush nuk do të shkarkojë presidentin, duke qartësuar se asgjë nuk do të ndodhë nësë Rama vazhdon të jetë kryeministër. "Eshtë e qartë për këdo, se në kushtet e sotme nuk ka asnjë mundësi që vullneti i popullit të diktojë parlamentin dhe qeverisjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik. Përpjekjet e mia, përpjekjet e Partisë Demokratike nuk janë përpjekje për pazare tavolinash apo negociata datash. Beteja jonë është betejë për lirinë e votës. Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.

Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë: Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit. Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme.

Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët. Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit. Ky, është fakti më i rëndësishëm politik i gjashtë viteve të fundit: fakti që provoi shkrirjen në një të krimit, Partisë Socialiste dhe qeverisjes socialiste" tha ai.

Kreu i opozitës tha se Presidenti nuk mund të shkarkohet, pasi nuk ka gjykatë Kushtetuese për ta gjykuar. "Meqë disa socialistë sot kanë dëshirë të flasin për shkarkimin e Presidentit, kam një pyetje për ta? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milonë euro për llogari të Edi Ramës, duke fallsifikuar edhe dokumentat zyrtare të qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris?".

Basha vlerësoi aktin e kreut të shtetit për të anuluar 30 Qershorin duke shtyrë zgjedhjet pa afat, ndërsa shtoi se vendimin mund ta gjykojë vetëm Kushtetuesja, të cilën sipas tij e shkatërroi Rama.  "Vendimi i Presidentit i shërben opinionit publik. E mbështes atë, por fjala i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese. Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Përtej cdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet" tha ai

Në fund, kryedemokrati theksoi se aksioni opozitar do të vijojë. "Përpjekjet tona nuk janë për pazare datash, po betejë për lirinë e votës. Nuk do të bëj kompromis me askënd deri sa kjo të arrihet. Vullneti i njerëzve dhe politika në shërbim të këtij vullneti. Beteja jonë vijon me vendosmëri, asnjë hap pas deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin. Ajo që iu garantoj sot është se në fund do të fitojë Shqipëria dhe shqiptarët. Do të ketë edhe të humbur, por ata janë një grup i vogël pushtetarësh, kriminelësh dhe oligarkësh" përfundoi ai.