Vendimi i PD ka ardhur në mbledhjen e grupit parlamentar që është zhvilluar për incidentin e ndodhur në ambientet e brenda Parlamentit, mes deputetit demokrat, Gent Strazimiri dhe deputetët socialistë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka.
Konfliktin e ndodhur mes deputetit demokrat, Strazimiri dhe me ata socialistë Ndreu dhe Ndoka, kreu i PD, Basha e cilëson si një goditje të opozitës si edhe një tentativë për t’i mbyllur asaj gojën. Më tej Basha u shpreh se ky veprim është një urdhër i dhënë nga Rama banditëve të veshur me mandatin e deputetit.
Basha ka theksuar se pavarësisht denoncimeve të bëra nga ana e opozitës për çështje të ndryshme nuk ka pasur reflektim, madje lidhur me luftën kundër narkotrafikut ai shprehet se u shndërrua në një shfaqje të turpshme.
Pas daljes nga mbledhja e grupit parlamentar të PD, Basha është shprehur se do të vijojnë përballjen me shumicën, jo për intersat e veta, por për të mos lejuar zëvendësimin e vlerave evropiane me realitetin e krimit të organizuar.
“Strazimiri shprehu gjendjen e mjerueshme të rendit në Shqipëri dhe përgjegjësitë politike të dyshes Rama-Meta. Rama menjëherë urdhëroi banditët të dhunonin fizikisht deputetin dhe fjalën e lirë. Janë më shumë se 10 muaj që opozita denoncon zhbërjen e shtetit dhe të Policisë së Shtetit. Rikthimet në detyrë të personave me lidhje me krimin, por asnjë reflektim. Denoncuam lidhjet e tyre me narko-trafikun, por në vend të një reflektimi, lufta kundër narko-trafikut u shndërrua në një shfaqje të turpshme. Opozita ka marrë një vendim të përballet me çdo kusht dhe çdo çmim, jo për interesat e veta por për të mos lejuar zëvendësimin e vlerave evropiane me realitetin e krimit të organizuar që dukshëm është kapur dhe shndërruar në instrument politik të dyshes Rama-Meta. Sot në parlament u dha prova më skajore, dyshja Rama-Meta ka krijuar një skenar dhune për t’i mbyllur gojën opozitës, e kanë të kotë, ne do vazhdojmë të denoncojmë, ti përballim me fytyrën e krimit që po merr peng aspiratat e atyre që i kanë votuar. Përballje dhëmbë për dhëmbë deri sa e keqja të mposhtet dhe e mira të triumfojë. Ndërpresim të gjitha marrëdhëniet me këtë strehë të krimit, përballemi me kriminelët e veshur me pushtet politik. Do zhgënjehen ata që mendojnë se na mbyllim gojën. PD janë në këmbë dhe në ballë të një beteje që do ta fitojmë.”- tha Basha.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)