TIRANË, 4 Shtator/ATSH/.- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të enjten se "partneriteti strategjik me qendrën e djathtë gjermane është në themel të modernizimit të Partisë Demokratike".
I ftuar në konferencën e organizuar nga Albanian Policy Center mbi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane dhe bashkëpunimin mes qendrës së djathtë shqiptare dhe asaj gjermane, Basha u shpreh se "ndërtimi i një platforme politike sipas modelit të lidershipit gjerman është aspiratë e hershme e shqiptarëve".
Ai vlerësoi partneritetin e ngushtë me CDU dhe CSU, partitë e qendrës së djathtë gjermane, në nivel bilateral si edhe në kuadrin e familjes së Partive Popullore të Europës. "Për fatin e madh të Shqipërisë, partia simotër gjermane e CDU-së i është përgjigjur krahëhapur kërkesës tonë për të na dhënë përvojën e saj të suksesit, për të na ndihmuar pa rezerva në ndërtimin e një alternative dobiprurëse për vendin", tha Basha.
Duke u ndalur te situata politike në vend dhe bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës, Basha tha se "me këtë gjest politik duam të ngremë nivelin e ndërgjegjësimit të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me gjendjen në Shqipëri".
Por ne, vijoi Basha, po vazhdojmë e do të vazhdojmë opozitën tonë të vendosur çdo ditë, për çdo projektligj, për çdo akt, për çdo vendim, për çdo veprim të qeverisë dhe shumicës. "Ne nuk jemi këtu në një betejë opinionesh me kundërshtarët tanë. Jemi në një betejë ekzistenciale për ruajtjen e standardeve demokratike, dhe këtë duhet ta fitojmë për Shqipërinë dhe për Europën", u shpreh Basha./m.m/