TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mblodhi sot në një takim Përfaqësuesit e Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme, ku nënvizoi edhe një herë fokusin tek shfrytëzimi i mëtejshëm të burimeve hidrike, pra ndërtimin e hidrocentraleve.

“Pa diskutim energjia hidrike mbetet shtylla kurrizore e sistemit energjetik shqiptarë, por jam i bindur që me pasurimin e burimeve dhe diversifikimin e tyre, në veçanti sa i përket energjisë diellore edhe asaj eolike, do bëjmë të mundur që edhe vlerën e energjisë hidrike ekzistuese dhe asaj në të ardhmen ta shumëfishojmë dh eta bëjmë që të punojë për ekonominë shqiptare”, tha Basha.

Basha kërkoi nga prodhuesit që të jenë aleatët e tij, për të çuar përpara sektorin e energjisë, për të ulur importin dhe për të rritur punësimin.

“Me një kërkesë të vetme ndaj jush, të jeni aleatët e mi, qeverisë, qeverisjes së ardhshme dhe shqiptarëve në atë mision, të rritjes së punësimit, të rritjes së konkurueshmërisë, të diversifikimit të eksportit shqiptar, eksportit të energjisë po kështu. Si aleat për të bërë të mundur që së bashku ta zhvillojmë këtë sektor i cili do ta bëjë Shqipërinë më të pastër, energjinë më të pakushtueshme, biznesin më konkurrues. Ku ju do t’u shohim si aleat për të bërë të mundur që së bashku ta zhvillojmë këtë sektor i cili do ta bëjë Shqipërinë më të pastër, energjinë më të pakushtueshme, biznesin më konkurrues dhe si rezultat do të jetë një nga levat e fuqishme të objektivit tonë për 110 mijë vende pune në katër vitet e mandatit tonë të parë”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati e vuri përsëri theksin tek liberalizimi i tregut të energjisë, ku nuk nguroi të korrigjonte edhe gabimin për bursën e energjisë, pasi nuk premtoi ngritje të saj por akuzoi qeverinë se dështoi në këtë drejtim.

“Ne do ta reformojmë këtë sektor duke bërë liberalizimin e vërtetë të tregut, jo atë në letër që na tundte virtualit edhe para dy ditësh kjo qeveri që dështoi me bursën e energjisë”, pohoi Basha.

Nëpërmjet programit të tyre, kryetari i PD-së tha se përfitojnë qytetarët dhe investitorët.

“Ne kemi humbur mundësi të jashtëzakonshme. Mundësi për të zhvilluar sektorin, mundësi për të investuar, mundësi për të përqafuar avancimin e shpejtë të teknologjisë. Dhe si rezultat i kësaj kush ka humbur? Keni humbur ju, sektori juaj, investitorët, ka humbur sipërmarrja shqiptare që paguan koston më të lartë të energjisë në rajon, dhe humbësi fundor por më i madh është qytetari shqiptar, është familja shqiptare. Ka humbur dhe shteti miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona, që do t’i përfitonte drejtpërdrejtë dhe indirekt nëse nuk do të ekzistonte kjo situatë. Kush ka përfituar? –një grusht të korruptuarish”, pohoi ai.

Pjesë e programit është edhe pagesa e energjisë me dy fasha, ku të gjitha familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat orë në muaj do të paguajnë më pak, ndërsa pjesa tjetër me çmim normal, vendim ky i aplikuar deri në 2013, e që u anulua nga qeveria Rama në vitin 2014, me argumentin se ishte abuziv.