Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit akuzoi Sali Berishën se është bërë bashkë me Ramën për çështjen e inceneratorëve, pasi sipas tij duket qartë se Partia Socialiste kërkon ta zhbëjë si çështje ndërsa grupi i Berishës ta minimizojnë.
Është e qartë se jemi në 2 grupe, një pakicë e përbërë nga 2 komponentë, regjimi dhe patericat e regjimit dhe një parti politike përballë tyre. Gjendemi në një breshëri shpifjesh nga Partia Socialiste dhe Sali Berisha", tha Basha. Ai tha se PD zbërtheu mekanizmin si janë vjedhur 400 mln euro.
“Fokusi ka qenë tek afera, që është vjedhja më e madhe e ndodhur në këto 30 vite. Komisioni Hetimor është i rëndësishëm, sepse ne kemi gjashtë vite e që denoncojmë. Komisioni ka bërë atë çfarë denoncimet e opozitës dhe të gazetarëve nuk arrinin ta bënin të plotë, ka zbërthyer mekanizmin si janë vjedhur këto para. Mekanizmi është i denjë për skenarët e mafies, ku të përfshirë janë gjysma e kabinetit qeveritarë, sekretari i kryeministrisë, drejtorë të rëndësishëm", tha Basha.
Basha tha gjithashtu se se gjysma e kabinetit qeveritar është e përfshirë në skandalin e Inceneratorëve. Ai u shpreh se ministrat tashmë janë në pritje për të mësuar se kush do të jetë kurbani i radhës.
“Komisioni ka bërë atë çka denoncimet e opozitës, të gazetarëve dhe të medias nuk arrinin dot ta bënin të plotë. Ka zbërthyer mekanizmin se si janë vjedhur këto para. Dhe mekanizmi është një mekanizëm i denjë për skenarët e mafies. Të përfshirë janë gjysma e kabinetit qeveritar, të gjithë zyrtarët e lartë, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, drejtorët më të lartë të shtetit, agjencive të shtetit të përfshirë drejtpërsëdrejti ose përmes dëshmive të tyre, siç ishte dëshmia e drejtoreshës së Prokurimeve, e cila praktikisht tha se inceneratori i Elbasanit është prokuruar pa prokurim, pra pa pasur një procedurë prokurimi”, theksoi Basha.
Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj komisionit hetimor ku thotë se nuk dëshiron të hetojë çështjen dhe merren me Klodjan Zoton e Stella Gugallja që sipas tij janë ushtarë në këtë aferë kriminale. Ai tha se kjo çështje zgjidhet vetëm me reagim popullor duke bërë thirrje për protesta.
Partia Demokratike ka reaguar ndaj sulmeve që Sali Berisha i bëri komisionit hetimor për inceneratorët nga foltorja e Kuvendit. PD shkruan se personat “non grata” dhe të korruptuar nuk mund të hedh poshtë punë e komisionit.
PD shkruan se qëllimi i vetëm i personave “non grata” është të mbrojë të korruptuarit.
“Përpjekjet e “non gratave” të shpallura dhe të pashpallura për të sulmuar komisionin kanë për qëllim mbrojtjen e individëve të korruptuar në këmbim të mbështetjes financiare dhe elektorale. Aleanca e të korruptuarve nuk do ta ndal PD-në t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj afere. Çdo ditë është dhe më e qartë se si janë përfshirë ministra e funksionarë të lartë në shkelje të çdo ligji. Një ndër ta është Arben Ahmetaj.Koncesioni i inceneratorit të Elbasanit i është dhënë “Albtek Energy” me “negocim pa shpallje”, procedurë që ligji nuk e parashikon.Arben Ahmetaj ka dhënë miratimin për t’i dhënë koncesionin kompanisë “Albtek Energy” me një procedurë që është në kundërshtim me ligjin.
Të tre inceneratorët nuk kanë pasur leje mjedisore. Koncensoni iu dha një kompanie që nuk ka asnjë ditë eksperiencë në fushën e incenerimit. Edhe sot vazhdojmë të paguajmë para për procedura korruptive, për kontrata korruptive.430 milionë euro kanë shkuar në xhepat e pushtetarëve të lidhur me Klodian Zoton, Mirel Mertirin, Stela Gugallën. Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Arben Ahmetaj, Damjan Gjiknuri, Lefter Koka, Erjon Veliaj kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.” thuhet në reagimin e PD.