Kërkesa e aleatëve të qendrës së djathtë të Lulzim Bashës për një tryezë dialogu me të gjitha forcat politike për zgjidhjen e krizës, nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Përreth një orë në zyrën e Presidentit Ilir Meta, aleatët pas takimit me dyer të mbyllura, sqaruan publikisht se kreu i shtetit e mirëpriti kërkesën e tyre për të qenë negociator për tryezën e dialogut me krerët e partive. Në emër të aleatëve, Fatmir Mediu i Partisë Republikane, tha në një prononcim për mediat pas takimit, se Presidenti ndan të njëjtin qëndrim me ta se situata është problematike dhe se duhen bërë përpjekje për të ndalur që vendi të shkojë në përplasje të panevojshme.

"Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona, në vlerësim të kërkesës tonë do të marrë qëndrimet e veta në diskutim edhe me palët e tjera. Presidenti është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë, por ka edhe angazhimin që palët të gjejnë zgjidhje për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit", tha kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu. 

Sipas kryerepublikanit, Meta tashmë do të nisë diskutimet me palët e tjera politike, e referuar kësja pritet që Meta të thërrasë në takim edhe kryeministrin Edi Rama, si kryetar të Partisë Socialiste për të rënë dakord për tryezën e dialogut nën orgnaizimin e kreut të shtetit.

Opozita tashmë jo vetëm është jashtë Kuvendit me vendimin e djegies së mandateve, por po ashtu kanë bojkotuar edhe zgjedhjet administrative të 30 qershorit 2019.

Pas takimit zyra për shtyp e presidencës zbardhi takimin ku thuhet se "ka qenë Meta që më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit. Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

"Nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës", thuhet në njoftim

Duket se tashmë gjithçka pritet të jetë në vullnetin politik të palëve, ku nga njëra anë është mazhoranca e cila deklaron se zgjedhjet në 30 qershor do të zhvillohen normalisht, ndërsa opozita deklaron se nuk do të lejojë që të vazhdojnë zgjedhjet farsë.

Në takim me kreun e shtetit ishin; Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Nard Ndoka i PDK, Vangjel Dule i PBDNJ, Dashamir Shehi i LZHK dhe Agron Duka i PPA-së.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u tregua për herë të parë i hapur dje për t'u ulur në tryezë dialogu me kryeministrin Edi Rama, një thirrje e përsëritur e kreut të qeverisë, por që këtë radhë, lideri demokrat e artikuloi si dakordësi të plotë me aleatët e tij. Ndërsa kryeministri ende nuk është shprehur për ketë tryezë.

Presidenca zbardh takimin me aleatët e PD

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot me kërkesë të tyre kryetarët e partive politike të Grupimit të Qendrës së Djathtë, kryetarin e Partisë Republikane, .Fatmir Mediu, kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe dëgjoi me vëmendje çështjet e ngritura gjatë takimit.

Presidenti Meta shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi.

Kreu i Shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.

Presidenti Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës. 

Nëse kjo do të kishte ndodhur, kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa.

Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

Presidenti Meta thekson se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.

Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.

Kreu i Shtetit do të vazhdojë kontributin e Tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin europian

Aleatët e PD: Meta ndan të njëjtin shqetësim si ne, do të nisë diskutimet me palët e tjera për tryezën e dialogut

Aleatët e qendrës së djathtë dolën nga takimi me presidentin Ilir Meta me garancinë e dhënë prej tij se do të nisë edhe diskutimet me partitë e tjera politike për të mundësuar një tryezë dialogu mes të gjitha palëve për t'i dhënë zgjdhje krizës politike në vend, me opozitën jashtë Kuvendit dhe me vendimin për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

"Në emër të të gjithë kolegëve të grupit të qendrës së djathtë, dua të falenderoj presidentin për një diskutim të hapur në raport me kërkesën tonë. Ndajmë të njëjtin shqetësim që situata është problematike, dhe duhet të pengojmë mos të shkojmë në një konflikt.

Presidenti ka bërë gjithçka që reforma në drejtësi të jetë në përputhje me garantimin e pushtetit të pavarur të gjyqësorit, për të mos arritur në këtë ditë që nuk kemi gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë. Presidenti ka marrë iniciativa edhe me mazhorancësn dhe do të vazhdojë në këtë rrugë që të jenë zgjedhje pluraliste, sa më përfshirëse dhe të ndershme.

Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona, në vlerësim të kërkesës tonë do të marrë qëndrimet e veta në diskutim edhe me palët e tjera. Presidenti është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë, por ka edhe angazhimin që palët të gjejnë zgjidhje për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit", tha kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu