TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha dje se projektet e Bashkisë për terminalin multimodal dhe ndërtimin e bulevardit të ri do të fillojnë së shpejti duke bërë me dije se javën e ardhshme do të bëhet tenderimi për ndërtimin e terminalit. Ai paralajmëroi se qeveria do të bëjë shpronësimin e truallit për ndërtimin e bulevardit të ri. Kontrata për ndërtimin e bulevardit, sipas Bashës do të lidhet javën e ardhshme kur do të përcaktohet edhe firma fituese për ndërtimin e tij.

“Qeveria do të kalojë aktet e nevojshme për shpronësimin, po kështu gjatë javës do të lidhen kontratat me fituesit pasi të merren miratimet e nevojshme nga organizatat që bëjnë financimin. Javën e ardhshme në nisim procesin e koncesionimit të terminalit.

Terminali do të ndërtohet nëpërmjet një formule konçesioni, me fonde private dhe në këtë terminal do të strehohet stacioni i ri i trenit, stacioni i tramit për linjën hyrje e qytetit-bulevardi i ri-Zogu i Parë- Dëshmorët e Kombit-Nënë Tereza, do të strehohen të gjitha autobusët interurbane dhe furgonat e licensuar”, tha Basha. Ai konfirmoi edhe ngërçin politik në të cilin ndodhet Këshilli Bashkiak.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)