TIRANË - Sulmin që kryeministri Edi Rama i bën kandidatëve të djathtë për garën elektorale të 21 Qershorit, lideri i opozitës Lulzim Basha e ka përkthyer si shmangie që mazhoranca i bën përballjes me qytetarët për premtimet e pambajtura.
 
Gjatë një takimi me banorët e zonës së Petrelës dhe të Vorës, kryetari i Partisë Demokratike tha se qeveria jo vetëm që nuk mbajti premtimet si ulje të çmimit te naftës dhe subvencione, por votuan kundër dhe propozimeve të Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
 
basha ne petrele

“Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite? Ne i çuam propozimet  që ju të paguanit më pak kur blini farërat, fidanët, lëndët e tjera të para, propozuam të hiqej  taksa e qarkullimit, naftën që përdorni ju dhe këta i rrëzuan pa argument, prandaj nuk vijnë këtu  të flasin për këto probleme, harxhojnë orë e orë  të tëra duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët e opozitës. Pse e bëjnë këtë? Sepse po mos të bëjnë këtë, duhet të japin përgjigje për premtimet e pambajtuara, sepse po nuk bënë këtë, duhet t’ju ofrojnë ju një zgjidhje, po zgjidhje nuk kanë”
, tha Basha.
 
Qeverisja e majtë në këto 18 muaj sipas Bashës duhet t’i shërbejë si shembull qytetarëve për të orientuar votën e tyre në 21 Qershor.
 
basha ne petrele

Në 21 qershor, unë kërkoj që gjithsecili prej jush të mbajë mend tre gjëra. Nëse këta i mbajtën premtimet e para dy viteve apo jo? Nëse këta bënë diçka për t’i mbajtur premtimet apo jo? Dhe së treti, të vlerësoje nëse për ju, platforma  ime funksionon  dhe kjo është platforma e uljes së taksave,  kjo është platforma e uljes së çmimit të energjisë dhe e faljes së kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët, kjo është platforma e  rritjes së rrogave dhe pensioneve, kjo është platforma e subvencioneve  për bujqësinë, e uljes së çmimit të naftës. Në 21 qershor, me votën tuaj  ju do të mund të arrini atë që opozita nuk arriti dot në parlament, sepse këta kishin kartonat”, u shpreh Basha.
 
Në lidhje me incidentet ndaj opozitës, e vecanërisht bllokimin e aktivitetit të kompanisë së miellit të kandidatit për Bashkinë e Vorës Fiqiri Ismaili, që opozita e vlerësoi si sulm politik në prag zgjedhjesh, Basha tha se këto presione rrisin bashkimin e shqiptarëve për fitore, ndërsa garantoi se përgjegjësit do të marrin ndëshkimin ligjor.
 
basha ne petrele

“Edhe në këto ditë, në këto javë ku shqetësimi më i madh i shqiptarëve është papunësia, është varfëria nuk e kanë mendjen  as të ofrojnë zgjidhje për ju, as të hapin mundësi për ju, as të krijojnë punë për ju. Ditë e natë  janë vërsulur  me tatimorë,  janë vërsulur  me xhandarë, janë vërsulur me  banditë, u janë vërsulur aktivistëve të opozitës, u janë vërsulur kandidatëve të opozitës, u janë vërsulur punëdhënësve. Asgjë nuk do të na bëni, përveçse do të shtoni vendosmërinë tonë, guximin tonë, bashkimin tonë për fitore, nuk do t’i shpëtoni llogaridhënies, ora e drejtësisë po afron
”, përfundoi lideri demokrat. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)