Edhe pse vetë deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe vëllai i Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj ka deklaruar se nuk është ndaluar nga policia e Vjenës, kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha ka reaguar duke shprehur keqardhjen e tij.

Basha ka thënë se Serbia po provokon Kosovën me fletë arreste ndaj liderëve të saj. Më pas kreu i opozitës dhe lideri i PD ka thënë se Austria duhet të refuzojë taktikën e konfliktit nga Beogradi.

"Me indinjatë mësova lajmin e ndalimit ne Vjenë të deputetit të Parlamentit të Kosovës z. Daut Haradinaj, një prej luftëtarëve më të spikatur të çlirimit të Kosovës, për shkak të një fletarresti nga Serbia. Është një tallje me faktorin ndërkombetar, me institucionet europiane dhe amerikane, që ndërsa Serbia flet për marrëveshje e bisedime me Kosovën,nga ana tjetër provokon Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar duke vijuar taktikën e dështuar të lëshimit të fletarresteve. U bëj thirrje autoriteteve të Austrise mike të refuzojne këtë taktikë konflikti në Ballkan të frymëzuar nga mendësi të vjetra që në të shkuarën hapën plagë për Ballkanin e që vënë në pikëpyetje vullnetin për të ardhmen europiane të rajonit tonë" ka deklaruar Basha.