TIRANE - Tre shkresa zyrtare se e pret në takim te zyrat e “Avokatit të Popullit”, katër herë inspektorët e këtij institucioni i kanë trokitur në derë te policia bashkiake, për të marrë sqarime në lidhje me çështjen e romëve, por ai asnjëherë as nuk i ka pritur në takim e as është paraqitur në takim. Florenc Hoxha, kreu i policisë bashkiake të Tiranës, kështu ka vepruar edhe gjatë ditës së djeshme, kur ka refuzuar kërkesën e radhës së “Avokatit të Popullit”, të bërë publik edhe në media që prej së premtes, për një takim gjatë ditës së djeshme.

Në këtë takim ai duhet të japë sqarime për procedurën ligjore që ka ndjekur për largimin e romëve nga kazanët e mbeturinave. Kështu, beteja e nisur nga policia bashkiake kundrejt komunitet rom, për kazanët e mbeturinave, po rrezikon të krijojë një precedent në marrëdhëniet e bashkisë së Tiranës me “Avokatin e Popullit”. Kjo pasi kryepolici i bashkisë, Florenc Hoxha, sërish dje, ka refuzuar kërkesën e shtatë të mbërritur nga institucioni i “Avokatit”, ku i kërkohen sqarime për procedurën që ai ka ndjekur në ‘gjuetinë’ ndaj romëve që mbledhin mbeturina në kazanët e plehrave të Tiranës. Takimi ishte caktuar për në orën 10:00, por në zyrën Igli Totozanit nuk ka trokitur askush. Megjithatë Totozani shprehet i bindur se Florenc Hoxha, duhet të ketë pasur ndonjë angazhim tjetër që nuk është paraqitur, pasi nuk ka arsye që ai të refuzojë një takim me “Avokatin e Popullit”. “Kjo nuk është një sfidë mes “Avokatit të Popullit” dhe policisë bashkiake. Unë jam i bindur që zoti Hoxha, do të ketë pasur angazhime të tjera, ndaj nuk është paraqitur. Jam shumë i sigurtë që ai do të vijë në takim, pasi nuk ka arsye të refuzojë kërkesën e një institucioni zyrtar”, - ka deklaruar për gazetën “Shqiptarja.com”, Igli Totozani. Totozani na shpjegon se ekspertët e institucionit të “Avokatit të Popullit”, po punojnë për të gjetur zgjidhjen e duhur për këtë çështje.

“Zoti Hoxha në cilësinë e kryeinspektorit të policisë Bashkiakë është thirrur sot në zyrën time për të dhënë sqarimi mbi bazën ligjore ku është bazuar ky organ, për llogari të hetimit administrativ që ne jemi duke zhvilluar si institucion. Kjo vjen për faktin se që nga fillimi i kësaj historie, pra që nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut ne kemi dërguar 3 shkresa zyrtare, z.Hoxha, për të na dhënë përgjigje dhe informacion lidhur me aktin që justifikon, pra aktin juridik që justifikon këtë aktivitet, por mbetet momenti i rëndësishëm i hetimit administrativ. Në këtë kuadër, si një institucion kushtetues, ligji ne na parashikon, na lejon, na krijon mundësinë që të dëgjojmë të gjitha palët dhe të gjithë ata zyrtarë që në një farë mënyrë janë përfshirë në një aktivitet për të cilin qytetarët kanë vërejtje, kanë bërë denoncime, kanë bërë ankesa. Kështu, në zbatim të këtij ligji, mbasi ne kemi dëgjuar njërën palë, shoqërinë civile, komunitetit rom, të cilët kanë vuajtur nga ky proces, jemi të detyruar, për të qenë të paanshëm dhe në mënyrë sa më korrekte ligjore dhe institucionale, të dëgjojmë edhe palën tjetër, që është policia bashkiake, dhe në mënyrë të veçantë kryeinspektorin e policisë bashkiake, i cili ishte thirrur sot në këtë takim për të diskutuar me ekspertët tanë që po bëjnë hetimin administrativ dhe për t’u përgjigjur pyetjeve që ata kishin ndaj tij.

Mendoj që policia bashkiake nuk ka arritur të lexojë si duhet ligjin e “Avokatit të Popullit”, sipas të cilit ne kemi të drejtë që për hetimin administrativ të thërrasim këdo. Sigurisht, ekspertët të cilët po merren me hetimin administrativ, janë duke gjykuar dhe besoj shumë shpejt, ndoshta dhe brenda ditës së sotme mund të kemi një përgjigje publike, zyrtare, institucionale ndaj policisë bashkiake”, - ka deklaruar gjatë ditës së djeshme për A1 Report, “Avokati i Popullit”, Igli Totozani. Ndërkohë që gjatë ditës së premte “Avokati i popullit” deklaroi se Florenc Hoxha, kishte refuzuar katër herë në takim inspektorët e këtij institucioni, të cilët kishin vajtur në zyrat e kreut të policisë bashkiake për ta takuar, por ai nuk i ka pritur asnjëherë. Përveç kësaj ai i ka nisur edhe tre shkresa zyrtare, ku i ka kërkuar që të paraqitet për takim te “Avokati i Popullit”, por ai sërish ka refuzuar.

Ligji i “Avokatit”: Për ata që nuk bashkëpunojnë, kërkohet largimi nga detyra
Por ligji për “Avokatin e Popullit” e ka të përcaktuar qartë se çfarë ndodh në rast se personat nuk pranojnë të bashkëpunojnë me të. Kështu në nenin 22/1, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, parashikohen sanksione deri ën largimin nga puna. “Refuzimi për të bashkëpunuar me “Avokatin e Popullit” nga nëpunësi civil, funksionari ose autoriteti publik përbën shkak që “Avokati i Popullit” të kërkojë nga autoriteti kompetent fillimin e procedurës administrative dhe marrjen e masave disiplinore deri në largimin nga puna ose nga shërbimi civil”, - përcakton neni 22/1 i këtij ligji. Ndërsa në nenin 22 theksohet detyrimi i organeve të administratës për t’ju përgjigjur rekomandimeve të “Avokatit të Popullit”.

“Organet, të cilave “Avokati i Popullit” u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim. Përgjigjja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ”, - thuhet në nenin 22.
(ek/gm/Shqiptarja.com)

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të Shqiptarja.com)