Basha sfidon ndërkombëtarët: 
Vetingu hap negociatat? Bullshit

Basha sfidon ndërkombëtarët: <br />Vetingu hap negociatat? Bullshit
TIRANË - Nga çadra e protestës, që ka hyrë sot në ditën e 15, kreu i opozitës Lulzim Basha ka ngritur tonet, ku ka sfiduar ndërkombëtarët duke i cilësuar si broçkulla deklaratat e tyre që theksojnë, se zbatimi i Vettingut është kusht për hapjen e negociatave. Sipas Bashës, dialogu mes maxhorancës dhe opozitës do të bëhet vetëm për qeveri teknike. Kryedemokrati tha se zgjedhje me këtë qeveri nuk do të ketë.

Një zëri me turmën, Basha ka brohotitur në anglisht ''Bullshit'', shqip, (broçkulla).
 
''Bullshit, bullshit, bullshit, broçkullat mbaji për vete'',-kjo ka qënë thirrja e Bashës së bashkë me protestuesit në çadrën përpara Kryeministrisë.

Ky reagim vjen pak orë pasi Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini u shpreh dje gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama se pas zbatimit të ligjit të Vettingut, do të ketë edhe hapje të negociatave të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. 

"Ne jemi gati, të çelim negociatat kur Vettingu të fillojë. E keni radhën ju, ne jemi të gatshëm ta shikojmë, të shohim ritimin e kësaj reforme'',-u shpreh dje Mogherini. 

Kryetari i PD-së i është kundërpërgjigjur edhe deklaratës së fundit të kryeministrit Rama, ku u shpreh se nuk do të ketë bisedime apo negociata.

''Zgjidhja do të jetë, vetëm largimi i Ramës'',-u shpreh Basha. 
 
Basha ka deklaruar gjithashtu nga çadra e cilësuar prej tyre si ''Çadra e lirisë'', se nuk do të ketë zgjedhje as me ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin, pasi sipas tij ministri është garantues i drogës dhe krimit.
 
''Nuk jemi mbledhur për pushtetin e askujt. Nuk jemi mbledhur për të negociuar me politikën e korrupsionit. Më 18 shkurt qytetarët e mbledhur morën një vendim. Vendimi nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Nuk ka bisedime nuk ka negociata, por një dialog për qeveri teknike. Ne do të jemi opozita deri sa qytetarët shqiptarë të vendosin në këtë vend. Por harroje se do bësh zgjedhje me ministrin e Brendshëm që njihet si garantues i drogët dhe krimit. Harroje se do të kesh zgjedhje me kriminelë kryetarë bashkish. Kjo republikë do të shembet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Hapi i parë është qeveria teknike'',-u shpreh Basha. 

Kujtojmë se Rama deklaroi sot se nuk do të ketë negociata me opozitën për qeverinë teknike. Ai u shpreh se është i gatshëm të ulet të bisedojë me opozitën, për kërkesat të cilat janë realiste dhe konkrete

''Me opozitën nuk kemi çfarë negociojme, por kemi çfarë bisedojmë. Opozita është e mirëseardhur për t'i dëgjuar propozimet realiste dhe konkrete. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të bisedojmë për çdo gjë tjetër pa asnjë lloj problemi. E vetmja gjë që nuk vendosim ajo çfarë me kushtetutë i takon sovranit. I takon popullit që me votën e saj të vendosë se kush do të qeverisë. Populli cakton kush është në qeveri'',-u shpreh Rama per mediat pas firmosjes se Peticionit pro Vettingut.

Protesta e opozitës është futur sot në ditën e pesëmbëdhjetë, ku kërkesa e tyre është largimi i Ramës dhe formimi i qeverisë teknike. 



FJALA E PLOTE E LULZIM BASHES
Dita e 15-të e protestës ka zbardhur me premtimin e pranverës që po vjen dhe kjo do të jetë pranvera e parë e Republikës së Re dhe fitore së çdo qytetari shqiptar.

Unë dua të falënderoj sot në këtë ditë të 15-të të kësaj maratone të lirisë ata qindra-mijëra qytetarë shqiptarë, gjithsecilin prej jush që ndodhet sot në këtë shesh të lirisë dhe qindra-mijëra të tjerë që kanë qenë këtu ditë e natë për kauzën e madhe të lirisë, demokracisë së vërtetë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Këtu jemi mbledhur për të hedhur themelet e Republikës së Re dhe kjo vjen përmes një transformimi gjigand, një transformimi të thellë, një transformimi të jashtëzakonshëm të vlerave mbi të cilat ngrihet republika e re.

Këtu jemi mbledhur për të konfirmuar mbështetjen tonë totale për zgjedhje të lira dhe të ndershme si themeli i Republikës së Re.

Për konkurencën e lirë dhe të ndershme midis njerëzve, midis profesioneve, midis subjekteve në treg dhe midis subjekteve politike si themeli i Republikës së Re europiane, perendimore dhe euroatlantike.

Nuk jemi mbledhur këtu për pushtetin e askujt, nuk jemi mbledhur këtu për të negociuar e për të bërë pazare me pushtetin e inkriminuar të republikës së vjetër.

Më 18 shkurt qytetarët e mbledhur në bashkimin më të madh popullor morën një vendim dhe kjo lëvizje e përditshme dhe e përnatshme është monumneti i këtij vendimi. Vendimi është: nuk ka zgjedhje me Edi Ramën dhe qeverinë e tij të krimit dhe korrupsionit e drogës.

Nuk ka bisedime, nuk ka negociata, ka vetëm dialog për të përcaktuar largimin e tyre dhe ardhjen e një qeverie teknike, teknike që padyshim kërkon mbështetje dhe vullnet të gjërë politik. Por, do të jetë qeveri teknike, nuk do të negociojmë futjen tonë në qeveri, jo. Ne do të jemi opozita derisa qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe të ndershme do të vendosin se kush do të qeverisë në këtë vend.

Por harroje se do të bësh zgjedhje me ministrin tënd të Brendshëm që njihet botërisht si mbrojtës dhe garantues i drogës dhe i krimit.

Harroje, se do të bësh zgjedhje me zotërinë tënde që gdhihesh dhe ngrysesh me narkotrafikantë e kriminelë sa në zyrë, sa në restorante, sa në hotele e sa në vrimat ku futesh.

Harroje se do të kesh zgjedhje me kriminelët kryetarë bashkish, me kriminelët në Parlamet. Kjo republikë e vjetër që sot ekziston vetëm si fasadë do të shembet me çdo kusht e me çdo çmim.

Hapi i parë është qeveria teknike dhe padyshim në qoftë se je i gatshëm të dëgjosh zërin e qytetarëve të tu, ti duhet të kontribuosh një orë e më parë për t’i lënë vendin qeverisë teknike.

Përndryshe, vala popullore do të rrethojë, vala popullore do të rrëzojë.

Jemi të vendosur, jemi të përgjegjshëm por jemi të vendosur, lëri lojërat! Lojërat nuk të shpëtojnë.

A ka shqiptarë ta besojë se ti qenke i interesuar për vetingun dhe drejtësinë e vërtetë kur ke në kabinetin tënd ministra që e kanë vendin para drejtësisë për aferat e tmerrshme korruptive, për vjedhjet dhe megavjedhjet që u kanë bërë shqiptarëve dhe për krime, siç janë vjedhjet në shëndetësi të kryehajdutit me çizme Ilir Beqaj, bashkë me ty?

E dinë shqiptarët që sot shëndetësia e famshme falas shpenzon për çdo shqiptar vetëm 250 dollarë për frymë në vit?

A e dini sa shpenzon Maqedonia? 560 dollarë, më shumë se dyfishin shpenzojnë fqinjët tanë për shëndetin e qytetarëve tyre.

Se 560 shërbehen, kthehen në ilaçe dhe shërbime në Maqedoni. Kurse këtu edhe këto 250 vidhen dhe shpërdorohen. Vidhen me check-up-in, check-up-i është banka personale e Edi Ramës me rojtare Vilma Nushin. Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë që shënohen sikur po harxhohen për shëndetësinë por përfundojnë në xhepat e Vilma Nushit dhe kryeministrit hajdut.

Sterilizimi për të cilin harxhoi miliona euro në vit është një skemë vjedhje e pastër, vjedhje e pastër e një investimi të bërë me paratë tuaja. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të cilat qytetarët po paguajnë dy herë, një herë kur investuan dhe trajnuan personelin shëndetësor dhe një herë për koncensionarin, atë kompaninë me një murator në Itali, partnerin e kryehajdutit me çizme Ilir Beqaj. Kjo është një skemë e pastër vjedhje, është hajdutëri e pastër. Dhe ngaqë ndodh mbi kurrizin e shëndetit të shqiptarëve, është një krim, është një krim i përditshëm.

Të gjithë ju i keni parë faktet e këtyre aferave. Të gjithë ju i keni ndjerë në shpinën tuaj, në shtëpinë tuaj, në shëndetin tuaj dhe tek të afërmit tuaj, pasojat e këtyre aferave.

Kurrë shëndetësia nuk ka qenë në ditë më të keqe. Kurrë shëndetësia nuk ka qenë në gjendje më të zezë. Arsyeja është e thjeshtë, në vend që të investonte për spitale, për pajisje, për personal shëndetësor të mirëtrajnuar e në shërbim të qytetarëve, Edi Rama dhe ministrat e tij të korruptuar me një grusht oligarkësh u janë vërsulur parave të shëndetësisë për t’i futur në xhepat e tyre, për t’i futur në kontot e tyre bankare. Kjo është e vërteta e tmerrshme, kjo është hajdutëria, ky është krimi i vërtetë me të ashtuquajturën shëndetësi falas.

Ne kemi një platformë të plotë për shëndetësinë shqiptare. Partia Demokratike ka punuar me njerëzit më të përgatitur për këtë platformë dhe platforma jonë do të kthejë paratë e shqiptarëve tek shërbimet shëndetësore.

Paratë që do të paguhen si taksa për shërbime shëndetësore nuk do të harxhohen për një grusht oligarkësh, nuk do të firojnë për një grusht koncensionarësh, nuk do të vidhen nga grusht qeveritarësh të korruptuar. Por do të harxhohen vetëm për shërbimin ndaj pacientëve shqiptarë dhe familjarëve të tyre.

Ne do të rrisim buxhetin për shëndetësinë. Ne do të rrisim kujdesin për institucionet e shëndetësisë në mënyrë që ata të kujdesen me dinjitet për shqiptarët.

Dhe unë pres me padurim rastin që së bashku me ekipin tim t’u prezantojmë në detaje zgjidhjet tona që do t’u japin shqiptarëve shërbime shëndetësore dinjitoze, të paktën të përmbushim standardet që përmbush Ballkani, se sot këta hajdutë e kanë çuar në Afrikë.

E kuptoni tani, se do ta bëjë vetingun si sytë e vetë. Ta bëjë që Ilir Beqja ti shpëtojë drejtësisë që konçensionarët hajdutë vazhdojnë të vjedhin paratë tuaja dhe që ministrat e tjerë të korruptuar e të lidhura me krimin, të vazhdojnë të livadhisin. Prandaj u fut sot në çadrën e korrupsionit të shoqërisë civile, çadrën e bërë njësh me krimin, çadrën e bërë njësh me korrupsionin, për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve.

Nëse e do vetingun hap rrugën për qeveri teknik dhe do të ketë veting të vërtetë me prokurorë dhe gjyqtarë të pakapur që do të nisin menjëherë investigimet për korrupsionin, krimin dhe politikën e lidhur me të. Veting që të mbrosh Ilir Beqën, veting që të mbrosh Sajmir Tahirin, veting që të mbrosh Damian Gjiknurin, veting që të mbrosh Arben Ahmetajn, veting që të mbrosh veten tënde dhe bandat me të cilat rrethohesh, nuk ke për të pasur kurrë.

Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe drejtësi e pakapur shkojnë bashkë. Kush ju thotë se mund të ketë drejtësi të pastër ndërkohë që kriminelët vazhdojnë të jenë në parlament, bashki dhe kërcënojnë zgjedhjet me krimin e drogën e tyre, ju mashtron. Por ju e dini këtë. Ju e dini fare mirë.
 
Erdhën këtu personalitetet europiane dhe u treguan qartë shqiptarëve se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa luftë kundër krimit, pa luftë kundër drogës, pa luftë kundër korrupsionit dhe pa drejtësi të vërtetë e të pakapur, dyert e Europës nuk mund të hapen për Shqipërinë. Ju e dëgjuat këtë mesazh.

E gjithë bota e dëgjoi këtë mesazh tani po na thonë bëjeni vetingun se do të hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë, bullshit. Broçkullat ti mbajnë për vete, koha kur shqiptarëve u jepnin bar dhe gënjeshtra kanë mbaruar një herë e mirë. Këta janë shqiptarët sot, këta janë shqiptarët e mi, këta janë europianët e mi; mbajini broçkullat për vete.

Lërini lojërat politike, lërini keqpërdorimet dhe gënjeshtrat me Europën që mezi priskan të hapë dyert me vetingun. Europa i ka vënë kushtet dhe kushti i kushteve është demokracia.

S’ka drejtësi pa demokraci. Nuk ka veting pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën, me krimin në atë zyrë. Qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe veting.

Kjo është rruga dhe e vetmja rrugë, thirri mendjes, hape rrugën, ose përndryshe populli do ta hapë me fuqinë e bashkimit të pathyeshëm.


  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ditëlindja e veçantë e Rudina Hajdarit, feston me të bijën dhe partnerin e ri (VIDEO)

Ditëlindja e veçantë e Rudina Hajdarit, feston me të bijën dhe partnerin e ri (VIDEO)