TIRANE-Sërish Lulzim Basha dhe sërish në Durrës. Kryetari i PD-së sfidon përsëri ligjin që ndalon grumbullimet pasi jemi në kohë pandemie dhe deri në 23 qershor në gjendje të fatkeqësisë natyrore.

Por gjoba e parë në Durrës dhe e dyta te Teatri Kombëtar, liderit demokrat nuk i ka bërë përshtypje duke e shkelur sërish aktin normativ. Ditën e sotme nga zona e Kënetës në Durrës, Lulzim Basha ka postuar disa foto nga mitingu që zhvilloi me qytetarët.

Si reagim, kryeministri Edi Rama në twttiter, shpërndau postin e Bashës, ndërsa shkruan: "Të rrezikosh shëndetin dhe jetën e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni!", Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se kjo është papërgjegjshmëri, që Basha e bën për interesa personale.

Për kryedemokratin, rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është Ramavirusi.

"Pas dy muajve të mbyllur për shkak të koronavirusit të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është RAMAVIRUSI.

Në zonën e kënetës në Durrës takova qindra qytetarë të rrënuar nga pandemis ekonomike e qeverisë. Si kudo në Shqipëri, edhe këtu RAMAVIRUSI ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.

RAMAVIRUSI është pandemia që torturon tash 7 vjet shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7 vite si shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. Kur erdhi dita që njerëzit kishin më shumë nevojë për përkrahje nga buxheti, Edi Rama i braktisi.

Në vend që të ndihmonte qytetarët paratë vazhdoi ti çonte te oligarkët. Vetëm pardje thesari i shtetit pagoi 700 mijë euro të parave tuaja, të taksave tuaja për inceneratorin e Tiranës. Për ti hapur rrugë ndërtimit të kullave, shembi Teatrin dhe do të marrë 30 milionë euro borxh. Sepse interesi i Edi Ramës nuk janë qytetarët që sot janë në pamundësi.

Që ekonomia të rimëkëmbet pas shkatërrimit nga RAMAVIRUSI, që të ulet papunësia dhe shqiptarët të jetojnë në normalitet duhet urgjentisht një qeveri që mendon e kujdeset për njerëzit. Unë dhe Partia Demokratike kemi vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t'i shërbyer qytetarëve.

Vërtet nuk ka ende vaksinë për koronavirusin, por ka vaksinë për RAMAVIRUSIN dhe ky është bashkimi ynë për të sjellë ndryshimin që pret çdo shqiptar: një qeveri normale për t’i garantuar qytetarëve një jetë normale dhe me dinjitet" tha Basha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:51
Ish-Presidenti Nishani: Populli ka nisur të mblidhet në çdo cep të Shqipërisë dhe nuk mund të ndalet më!

Grumbullimin e qytetarëve në takimin e Bashës në Durrës për PD-në tregon zemërimin dhe urrejtjen e popullit. Në një reagim, ish-Presidenti Bujar Nishani thotë se Rama është tmerruar nga qytetarët, të cilët kanë nisur të mblidhet në çdo cep të Shqipërisë.

Reagimi i Bujar Nishanit

Takimi i Kryetarit të Opozitës me popullin që po zien e shpërthen nga zemërimi e urrejtja ndaj mafias që e vjedh, zhvat, varfëron dhe e poshtëron çdo ditë, e paska tmerruar Gangsterin.

Tani që pandemia është shuar anekënd Evropës, populli qenka në rrezik !!!

Kur pandemia ishte në kulmin e përhapjes dhe vrasjeve , Gangsteri i mblodhi njerëzit e pambrojtur në sallën më masive publike të vendit, Pallatin e Kongreseve !!!!

Keqbërësit duhet të kenë frikë !

Populli ka nisur të mblidhet në çdo cep të Shqipërisë dhe nuk mund të ndalet më !

Kombi nuk e pranon tradhtinë !

Shqiptarët do të jenë të pamëshirshëm ndaj të ligut !

 

Ora 13:05
Gazment Bardhi: Rama i tmerruar nga bashkimi i shqiptarëve, propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve

Kryeministrit Edi Rama i është përgjigjur, sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, sipas të cilit Ramën e tremb bashkimi i shqiptarëve, referuar këtu mitingu të Lulzim Bashës në Durrës. Sipas Bardhit, Edi Rama e përdori coronavirusin për të vjedhur qytetarët.

 “Propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve në çdo cep të vendit. Pushteti kriminal, që lë shqiptarët pa asnjë qindarkë ndihmë në ditën e tyre më të keqe, është drejt fundit.”, shkruan Bardhi.

Reagimi i Gazment Bardhit

Edi Rama nuk tmerrohet nga shndërrimi i QSUT-së në vatër infeksioni për dhjetëra pacientë, mjekë dhe infermierë.

Është fakt se sot vatra e vetme e infeksionit masiv është spitali, që duhet të ishte vendi më i sigurtë e ku masat të ishin me rigoroze.

Edi Rama nuk tmerrohet nga varfëria e shqiptarëve dhe nga papunësia masive e tyre.

Edi Rama e përdori coronavirusin për të shtypur, vjedhur dhe gënjyer qytetarët.  Është fakt se Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që vjedh me tendera sekret e koncesione për oligarkët, dhe urdhëron prishjen e Teatrit në mes të pandemisë.

Ndaj Edi Rama ka të drejtë të tmerrohet nga bashkimi i shqiptarëve, që i la pa asnjë ndihmë, pa asnjë mbrojtje, dhe i vodhi e varfëroi edhe gjatë izolimit.

Propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve në çdo cep të vendit. Pushteti kriminal, që lë shqiptarët pa asnjë qindarkë ndihmë në ditën e tyre më të keqe, është drejt fundit.

Ora 12:48
Manastirliu pas mitingut të Bashës: E tmerruar! Qytetarët të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie

1590830922_basha.jpg

Në lidhje me mitingun e organizuar nga kreu i PD, Lulzim Basha në Durrës ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila shprehet e tmerruar nga kjo shfaqje që sipas saj është papërgjegjshmëri.

Në një reagim në Facebook, Manastirliu i bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie, që Basha po e bën për interesa politike.

"Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh!

Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!

Zoti Basha mund t'i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t'i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!

U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!", shkruan Manastirliu.

Ora 12:09
Mitingu i Bashës në Durrës, Rama: Të rrezikosh shëndetin dhe jetën e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni!

Sipas kryeministrit Edi Rama, Lulzim Basha po rrezikon jetën e qytetarëve shqiptare. Në një postim në twitter Rama shkruan:  "Të rrezikosh shëndetin dhe jetën e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni!".

 Kryetari i PD-së sfidon përsëri ligjin që ndalon grumbullimet pasi jemi në kohë pandemie dhe deri në 23 qershor në gjendje të fatkeqësisë natyrore. 

Nga Durrësi, kryedemokrati Basha tha se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është Ramavirusi.