Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke thënë se largimi i tij nga qeveria është një kusht i padiskutueshëm.

Nga Vlora në një takim me qytetarët ku i ftoi t'i bashkohen protestës së 13 prillit, kryedemokrati tha se qëndrimi i Ramës në krye të qeverisë është fatura më e rëndë për vendin e ndërsa shprehu vendosmërinë e opozitës për një betejë pa kthim deri në krijimin e një qeverie tranzitore.

"Nuk do të lejojmë që ato gra dhe zonja që dergjen sot në spital të jenë dukuria e përditshme e një shteti policor kriminal. Nuk do të lejojmë më të vazhdojë dhunimi, intimidimi, grabitja e shqiptarëve të pafajshëm. Pra, për t’i dhënë fund pasigurisë dhe për t’u zotuar se në Shqipëri, ky popull, nën këtë Zot, dhe nën lidershipin e opozitës së bashkuar, me në krye Partinë Demokratike të Shqipërisë, nuk do të pranojë më asgjë më pak se standartet evropiane të demokracisë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe të drejtësisë evropiane. Ne kemi dalë nga strofka politike e krimit, ne jemi sot e gjithë ditën, deri në fitoren e kësaj beteje, në krahun e qytetarëve të thjeshtë e të lirë të këtij vendi.E pra më lejoni të them këtu para jush, qartë e prerë, se nuk ka, as nuk ka për të patur asnjë çedim nga objektivat e Partisë Demokratike të sanksionuara nga djegia e mandateve. Djegia e mandateve është hapi më moral, politik dhe legjitim. Nuk ka kompromis dhe dialog me Edi Ramën. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar. Plani ynë për pensionin minimal në krye të katër vjetëve jo më pak se 250 mijë lekë të vjetra në muaj, plani ynë për dyfishimin e ndihmës ekonomike dhe për t’i arkivuar sirenat e urisë në arkivat e zeza të Edi Ramës dhe të bandës së tij hajdute, plani ynë për të kthyer Shqipërinë plot me resurse në zemër të Europës, Shqipërinë e pasur, por të vjedhur, jo në një mallkim, por në një bekim për çdo vlonjat, për çdo shqiptar”, tha Basha.