Çelësi i fitores së Partisë Demokratike në Tiranë për zgjedhjet 2027 do të vinte nëse në fletën e votimit nuk do të shfaqej logoja e saj.

Në një lidhje direkte me “Frontline” në Report Tv, Spahiu thotë se vota kundër Partisë Socialiste është më e madhe, por ajo fiton avantazh në raport me opozitën.

“Vota antisocialiste në Tiranë ka më shumë se vota socialiste. Nëse do të kishim një ligj që do t’i rrëzonte socialistët nga pushteti sot, do të ishte një ligj teorik ku të votohej ai kandidati i PS pa kundërshtar, por t’i thuhej popullit, e doni këtë kandidatin e PS, po apo jo? Jo kundër PS do të ishte 80%. Kur vijmë në praktikë, sa futen këto logot opozitare, fillon skema e socialistëve dhe funksionon. Me atë 80% kundër PS, me mekanizmin elektoral, fillojnë ata dhe provojnë fitoren”, tha Spahiu.

Juristi thotë se maji 2027 është i favorshëm për opozitën për shkak të klimës politike e socio-ekonomike, por ka disa pengesa. Sipas tij, një zgjidhje që do të sillte bashkimin e opozitës, do të ishte sistemi me balotazh.

“Mendoj që maji është një muaj historik për opozitën sepse në këto 2 dekadat e fundit nuk ka pasur ndonjëherë atmosferë politike më të përshtatshme sesa për partitë opozitare. Nuk mbaj mend që të ketë kushte kaq të favorshme politike, sociale, ekonomike. A janë kushtet e tjera? Mendoj që jo. Infrastruktura zgjedhore dhe ligji për zgjedhjet lokale është kurth me të vërtetë që unë nuk e kam kuptuar pse nuk kanë arritur ta zhbllokojnë. Një kërkesë që do të ishte çelësi minimal që ta çonte drejt bashkimit opozitar dhe fitores, është futja e sistemit me balotazh. Shqipëria është e vetmja që s’e njeh. Në Shqipëri mjafton të dalësh parti e parë dhe me 20% shpallesh fitues”, tha Spahiu.