Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po zhvillon një vizitë dy ditore në Kosovë pas ftesës nga kryeministri Avdullah Hoti. Basha do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës së Kosovës, i shoqëruar nga Edi Paloka, nënkryetar i PD-së. Sot ai do të zhvillojë një takim me Hotin, më pas me presidentin  e Kosovës Hashim Thaçin, si edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin e Ramush Haradinajn. Ndërsa nesër, Basha do të takohet me Kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri. Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe do të zhvillojë homazhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.

Axhenda e plotë e Lulzim Bashës në Kosovë:
Të hënën më 20 Korrik 2020, Kryetari Basha do të takohet me:
Ora 11.00- Takim me Kryeministrin Avdullah Hoti
Ora 12.00 -Takim me Presidentin Hashim Thaçi

Ora 13.00- Takim/drekë pune me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin
Ora 15.00- Takim me Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani

Ora 16.00- Takim me Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK
Ora 17.00 - Takim me Fatmir Limaj, Kryetari i Partisë Nisma për Kosovën 
Ora 17:45 - Takim me drejtuesit e LDK-së       
Ora 18:30 - Takim me drejtuesit e PDK-së

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Basha takim me Haradinajn: Në dialogun Kosovë-Serbi i domosdoshëm koordinimi mes SHBA dhe BE

Basha gjatë ditës së sotme ka takuar edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Ramush Haradinaj. Basha tha se gjatë bisedës vëllazërore shkëmbyen ide dhe mendime në lidhje me situatën që po kalojnë Shqipëria dhe Kosova. Temë e diskutimit të tyre ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, që sipas Bashës është i domosdoshëm koordinimi mes partnerëve strategjikë SHBA dhe BE në këtë proces, i cili si produkt final duhet të ketë njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

"Diskutuam për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e një koordinimi mes partnerëve tanë strategjik SHBA dhe BE në këtë proces, i cili si produkt final duhet të ketë njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ndamë të njëjtin qëndrim se tërësia territoriale e Kosovës, e cila u fitua me gjak është e panegociueshme dhe e padiskutueshme. Ndamë mendime të vyera për mënyrat e bashkëpunimit dhe ndihmës që duhet dhe mund të japë Shqipëria në këtë proces, por në asnjë rast ajo nuk mund dhe nuk duhet të flasë në emër të Kosovës. Folëm për sfidat ekonomike që kanë përpara të dy vendet tona, për projekte të përbashkëta që do t'i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Folëm konkretisht për disa projekte mes të cilave edhe ato që mundësojnë akses konkret, dhe jo në letër të Kosovës në portet shqiptare.  Në këto ditë të vështira për ekonominë dhe turizmin shqiptar, janë qytetarët e Kosovës që po ndihmojnë operatorët turistikë, dhe po i japin sado pak frymëmarrje ekonomisë dhe ndjehem i keqardhur që në këto ditë të vështira edhe për ta, u duhet të paguajnë tarifën në Rrugën e Kombit. Përsërita zotimin time se kjo rrugë që i afron shqiptarët nuk mund dhe nuk do t'i pengojë më tarifa të lëvizin lirisht në të dy anët e kufirit", tha Basha.

Ora 19:14
Basha takim me Limajn: Mbështetje të vendimeve të institucioneve të Kosovës, gatishmëri nga PD-ja

Gjatë vizitës në Kosovë, Basha zhvilloi një takim edhe me kryetarin e partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limajn. Ai tha se rikonfirmon qëndrimin dhe gatishmërinë e tij personale dhe të PD-së për të qëndruar në dispozicion e në mbështetje të vendimeve të institucioneve dhe të forcave politike të Kosovës në përballjen me sfidat aktuale.

"Gjithmonë kënaqësi të kem mundësinë të takohem me Fatmir Limaj, një politikan i sprovuar dhe një nga njerëzit që ka sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e, më pas, e ka vazhduar sakrificën e tij personale duke qenë i pari në kalvarin e atyre, që lirinë dhe pavarësinë e Kosovës u është dashur ta mbrojnë edhe pas përfundimit të luftës, edhe pas shpalljes së pavarësisë. Vizita ime te kryetari i Nismës nuk është thjesht dhe vetëm në kuadrin e takimeve me kryetarët e partive politike në Kosovë, por është dhe rikthim tek një mik, tek i cili, shpeshherë, gjej jo vetëm këshillën, por dhe interpretim të qartë të realitetit politik në Kosovë, por dhe të zhvillimeve politike në hapësirën mbarëshqiptare, por dhe frymëzimin për të cilin të gjithë kemi nevojë dhe i cili buron nga instikti i brendshëm i dikujt që, gjithmonë interesat e vendit interesat e popullit, interesat kombëtarë i ka vënë mbi interesat personale.  Ndaj dua ta falenderoj për bisedën e sotme dhe të rikonfirmoj qëndrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike dhe timin personal për të qëndruar plotësisht në dispozicion dhe në mbështetje të vendimeve të institucioneve, por dhe të forcave politike të Kosovës në përballjen me sfidat aktuale, të cilat jam i sigurt që, mbështetur në përvojën e akumuluar ndër vite, do të dinë t'i përballin me mençuri, me maturi dhe me vendosmëri. Me këtë dua të them se do të kenë sot dhe nesër përkrahjen time, të Partisë Demokratike dhe të gjithë autoriteteve shtetërore të Shqipërisë në të ardhmen. Ju faleminderit!", tha Basha.

Ora 17:29
Basha takim me Kurtin në Kosovë: Bashkëpunim mes dy vendeve, projekte e nisma konkrete, jo ide që mbeten në letër

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Lulzim Basha ka zhvilluar edhe një takim me  kryetarin e VV Albin Kurti, ku sipas tij, u diskutua për zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe rajonale. Basha theksoi se është shumë e rëndësishme që Shqipëria dhe Kosova të koordinojnë përpjekjet dhe të ndërmarrin nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes së situatës së COVID-19. Kreu i PD-së tha se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.

"U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t'u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë. Ndamë të njëjtin mendim, se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër. E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t'i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj. Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë", tha Basha.

Ora 16:19
Basha: Dialogu, rruga e vetme për të ecur para! Osmani: PD një zë i çmuar kundër ndryshimit të kufijve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me kryetaren e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani , që më pas u shoqërua me një konferencë të përbashkët për shtyp. Basha tha se dialogu dhe vazhdimi i tij është e vetmja rrugë për të ecur para dhe në fund të arrihet rezultati i njohjes reciproke të Kosovës si shtet i pavarur. Basha gjithashtu ftoi shtetasi e Kosovës që të kalojën pushimet në bregdetin shqiptar dhe se çmimet dhe mikpritja janë një arsye pse duhet të vijnë në Shqipëri.

"Ky takim është një kënaqësi për mua. Procesi i dialogut është i rëndësishëm, për mua dhe PD mbështetja totale e institucioneve të Kosovë dhe forca politike është orientimi dhe parimi i qëndrimeve tona. Dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara deri në njohjen reciproke të pavarësisë së Kosovës. Ajo që është e rëndësishme është se siç jemi bashkë në gëzime të jemi bashkë dhe në sfida. Ndihma më e mirë  që Shqipëria duhet të jap është mbështetja në investimet dhe projektet e mëdha dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Ftoj kosovarët ti drejtohen plazheve të bukura të Shqipërisë, që janë dhe plazhet e tyre. Sigurisht pandemia ka ndikuar në këtë sektor, mikpritja dhe çmimet janë një arsye që të afroheni dhe jo të largoheni", tha Basha.

Nga ana e saj Vjosa Osmani u shpreh se Basha dhe PD janë një zë i çmuar kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh dhe se çdokush në Shqipëri duhet të flasë me zë po kaq të qartë.  

"Kënaqësi të pres zotin Basha në shtëpinë e tij të dytë në Prishtinë. Patëm një diskutim të mirë për sukseset që kemi arritur në të kaluarën dhe si mund ta rrisim bashkëpunimin tani.  Është e nevojshme që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre në shumë aspekte. Ka shumë hapësirë ku mund të përmirësojmë raportet tona biletarale, veçanërisht në aspektin ndërkombëtar.   Një bashkërendim në politikën e jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë ka patur gjithnjë sukses, kur ai ka qenë i sinqertë dhe ka qenë në linjë të plotë me interesin e shtetit dhe qytetarëve tanë.  Falenderova zotin Basha për zërin e çmuar tijin dhe të PD kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Është tejet e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë më zë po kaq të qartë sa të Bashës.  Idetë për ndryshim kufijsh shkojnë kundër interesit të Republikës së Kosovës dhe kundër investimit ndërkombëtar që Kosova të jetë shtet i suksesshëm në kufijtë e saj aktualë si shtet sovran", u shpreh Osmani.

Ora 14:22
Basha: Kënaqësi që takova dy her brenda pak ditëve Hotin, jam nip Kosove

Pas përfundimit të takimit me kryemninistrin e Kosovës kreu i PD-së Lulzim Basha thotë se për të është kënaqësi që takoi dy herë brenda pak ditësh Hotin, i cili sipas tij ka ndihmuar shumë qytetarët në kohën e pandemisë. Basha thotë se për të Kosova është e veçantë, pasi përveç se ka punuar për disa vite atje është edhe nip në shtetin tjetër shqiptar.

"Kënaqësi dhe vlerësim i veçantë të takohem dy herë brenda pak ditëve me Kryeministrin e Kosovës, për më tepër në momentet kur Kosova po përjeton zhvillime të rëndësishme.

Si nip i Kosovës, Qytetar Nderi i Prishtinës, por edhe për shkak se kam punuar për shumë vite në këtë vend, është gjithmonë kënaqësi të rikthehem në Prishtinë.

Situata e rënduar e shkaktuar nga COVID-19, është emergjente për të dy vendet. Është e rëndësishme që situata të vendoset nën kontroll sa më shpejt, dhe për këtë Kryeministri i Kosovës më njohu me masat e fundit për decentralizimin e testimeve për COVID-19.

Përgëzova zotin Hoti për ndihmën ekonomike që qeveria e Kosovës i ka dhënë qytetarëve të saj, duke qenë vend lider në rajon për mbështetjen e ofruar ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Gjatë bisedës i shpreha Kryeministrit Hoti, vlerësimin për kontributin dhe vendimmarrjen për procesin e dialogut me Serbinë. Lidership-i i Kosovës, me këtë vendim ka treguar largpamësi, forcë dhe kohezion.
Ky dialog duhet të ketë si përfundim njohjen reciproke të Kosovës. Unë dhe PD do të ofrojmë të gjithë mbështetjen tonë, dhe jemi gati të kontribuojmë aty ku lidership-i i Kosovës mendon se është i nevojshëm.
Ashtu siç kemi bashkëpunuar për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë sot në opozitë dhe nesër në qeverisjen e vendit, për të garantuar arritjen e objektivave të qytetarëve të Kosovës, duke nisur me liberalizimin e vizave, proces të cilin ne e kurorëzuam me sukses në vitin 2010, anëtarësimin në OKB, NATO dhe avancimin në procesin e integrimit në BE.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në fjalë dhe në letra. Ai duhet konkretizuar me vepra. Dhe një nga vendimet e mia të para si Kryeministër i Shqipërisë do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit dhe rivënia e saj pa asnjë ndalesë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së të dy vendeve.

Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale të shumta për bashkëpunim mes dy vendeve, dhe ne duhet të punojmë fort që rinia e Shqipërisë dhe Kosovës të mos largohen, por të jetojnë e punojnë në vendin e tyre,"-shkruan Basha në 'facebook'.

Ora 13:58
'Nuk mbahet maska ashtu o qyq', Braçe ironi me Bashën: Boll pe hundën tënde


Erion Braçe ka bërë ironi me kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili sot dhe nesër do jetë në Kosovë për vizitë zyrtare dhe që është detyruar të mbajë maskë për COVID-19, pasi Kosova e ka detyrim diçka të tillë edhe në ambient të hapur.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale Braçe thotë se Basha nuk di të vë as maskën dhe kjo pasi në Shqipëri nuk e mban edhe kur ndodhet në një dhomë të vogël.

Komenti i Erion Braçes:  

NUK MBAHET MASKA KESHTU OR QYQ! BOLL PE HUNDEN TENDE!

E shihni, ky qe ju flet per Coronavirusin, qe shan e mallkon cdo dite, qe ben mjekun-infeksionistin, epidemiologun etj, qe ben shpetimtarin e qe uleret cdo dite beni si them une e beni si bej une, NUK DI TE VENDOS AS MASKEN NE SURRATIN E TIJ!

Pra, mire qe duhet te shkonte ne Kosove qe te vinte maske sepse ketu as ne ambjente te vogla sa nje dhome nuk e vinte, por ky nuk di as si ta vendose masken! 

Ky do ju mbroje, ky do ju shpetoje! Deri tani gjithkush ka thene per te se SHEH VEC HUNDEN E TIJ! 

Ja ku e keni, vec hunden e tij pa, ndaj ai e kish hunden jashte e kryeministri i Kosoves brenda maskes!

Ora 13:56
Basha takohet me Thaçin, presidenti i Kosovës: Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për konsolidimin e shtetit tonë

Pas takimit me kreun e PD-së në Shqipëri Lulzim Bashën, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shprehu mirënjohjen për kontributin që ai ka dhënë në njohjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare në kohën kur ai ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Thaçi thotë se ndër të tjera me Bashën biseduan për situatën në Shqipëri dhe Kosovë. Më konkretisht ai është shprehur:

"Sot ishte një kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim të vjetër, ish-Ministrin e Jashtëm, kryetarin e Tiranës edhe tani kryetarin e Opozitës në Shqipërisë, Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë zotin Basha, të cilin e falenderoj për kontributin e tij për lirinë edhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për procesin e konsoldimit të shtetit të Kosvës dhe atë të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat të ndryshme ndërkombëtare, ku roli i zotit Basha si Ministër i Jashtëm ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka qenë një kontribut shumë frytdhënës. Për këtë i jam shumë shumë mirnjohës! Sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë në Shqipëri për mundësitë e bashkëpunimit edhe më të mirë, një bashkëpunim vllazëror mes instuticioneve tona edhe njerëzëve tonë.

Destinacioni edhe i Kosovës është që të jemi pjesë sa më shpejt e NATO-s edhe e Bashkimit Europian. Mendoj se çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvoja personale e kontributit të zotit Basha në këtë proces, në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, është i rëndësishëm për ne si institucionet e vendit dhe besoj se këto përvoja veç i kam diskutuar edhe në takim me kryeministrin Hoti, por edhe me liderët e tjerë partiakë. Natyrisht, është e rëndësishme që të vazhdohet që të kemi një konsensus sa më të gjerë në angazhimet për perspektivë europiane për hapat konkretë, në veçanti e thashë për liberalizimin e vizave dhe aktet e dialogut. Diskutuam edhe për dialogun mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Për ne, është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim, e para mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më përfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politike, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur, ndërsa gjithashtu është jetike për ne dhe faktorin ndërkombëtar të jetë i koordinuar së pari Bashkimi Europian, por edhe një koordinim i ngushtë mes Ëashington-it dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurtë, i besueshëm, pastaj edhe i pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe që duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, se në aspektin teknik e kemi diskutuar tani e 9 vite, 2011-2018, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më të shpejtë që është e mundur. Edhe një herë i nderuar zoti Basha, faleminderit për ardhjen tuaj, vizitën tuaj në shtëpinë tonë, ju faleminderit shumë!"-u shpreh Thaçi.

Ndërkohë pas takimit me Thaçin, Lulzim Basha ka deklaruar se bashkërendimi do ta fuqizojë dhe do ta përshpejtojë procesin e dialogut me syninim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

"Faleminderit zoti President! Është gjithmonë një kënaqësi të takohemi. Ju falenderoj për mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe mendime mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, në Shqipëri dhe hapat që po hidhen në drejtim të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që kanë qëllim dhe objektiv final njohjen reciproke. I shpreh mbështetjen time presidentit Thaçi për qëndrimet konsekuente të tij si kreu i shtetit në mbështetje të dialogut, në mbështetje të kohezionit të gjithë forcave politike në Kosovë. Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi i të gjithë forcave politike të Kosovës, bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosoven në sfidat në të cilat po përballet aktualisht. Po kështu,  si parti e orientimit Euroatlantik,  kam theksuar  bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe Bashkimit Europian, ka qenë  dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative ne raport me stabilizimin përfundimtar  dhe perspektivën Europiane  dhe Euroatlantike të gjithë vendeve të rajonit që e dëshirojne këtë dhe në veçanti sa i përket dialogut besoj dhe shpreh bindjen se një bashkërendim i tillë  do ta fuqizojë, do ta përshpejtojë procesin e dialogut me syninim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Shpreha mbështetjen totale timen dhe te Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe të politikës në Kosovë, në vevcanti për ata që kanë sakrifikuar këto 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që u duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fruteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për presidentin Thaçi dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ju Faleminderit!"-deklaroi Basha.

Ora 11:47
Basha në Kosovë: Kur të vij në pushtet do të heq tarifën në Rrugën e Kombit (VIDEO)

Lulzim Basha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hoti kanë zhvilluar një konferencë për mediat. Kryetari i PD-së premtoi se nëse vjen në pushtet një ndër vendim e para që do të marrë do të jetë heqja e tarifës së Rrugës së Kombit.

"Një ndër vendimet e para që do të marrë si kryeministër do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit. Një vendim i padrejtë që rrënon në ekonomi dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik. Vizita ime është paksa e vonuar, por vij pas një ftese të kryeministrit Hoti, por edhe presidentit Thaçi, Osmanit dhe krerëve të partive politike në Kosovë" tha ai.