Pas takimit me kreun e PD-së në Shqipëri Lulzim Bashën, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shprehu mirënjohjen për kontributin që ai ka dhënë në njohjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare në kohën kur ai ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Thaçi thotë se ndër të tjera me Bashën biseduan për situatën në Shqipëri dhe Kosovë. Më konkretisht ai është shprehur:
"Sot ishte një kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim të vjetër, ish-Ministrin e Jashtëm, kryetarin e Tiranës edhe tani kryetarin e Opozitës në Shqipërisë, Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë zotin Basha, të cilin e falenderoj për kontributin e tij për lirinë edhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për procesin e konsoldimit të shtetit të Kosvës dhe atë të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat të ndryshme ndërkombëtare, ku roli i zotit Basha si Ministër i Jashtëm ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka qenë një kontribut shumë frytdhënës. Për këtë i jam shumë shumë mirnjohës! Sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë në Shqipëri për mundësitë e bashkëpunimit edhe më të mirë, një bashkëpunim vllazëror mes instuticioneve tona edhe njerëzëve tonë.
Destinacioni edhe i Kosovës është që të jemi pjesë sa më shpejt e NATO-s edhe e Bashkimit Europian. Mendoj se çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvoja personale e kontributit të zotit Basha në këtë proces, në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, është i rëndësishëm për ne si institucionet e vendit dhe besoj se këto përvoja veç i kam diskutuar edhe në takim me kryeministrin Hoti, por edhe me liderët e tjerë partiakë. Natyrisht, është e rëndësishme që të vazhdohet që të kemi një konsensus sa më të gjerë në angazhimet për perspektivë europiane për hapat konkretë, në veçanti e thashë për liberalizimin e vizave dhe aktet e dialogut. Diskutuam edhe për dialogun mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Për ne, është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim, e para mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më përfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politike, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur, ndërsa gjithashtu është jetike për ne dhe faktorin ndërkombëtar të jetë i koordinuar së pari Bashkimi Europian, por edhe një koordinim i ngushtë mes Ëashington-it dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurtë, i besueshëm, pastaj edhe i pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe që duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, se në aspektin teknik e kemi diskutuar tani e 9 vite, 2011-2018, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më të shpejtë që është e mundur. Edhe një herë i nderuar zoti Basha, faleminderit për ardhjen tuaj, vizitën tuaj në shtëpinë tonë, ju faleminderit shumë!"-u shpreh Thaçi.
Ndërkohë pas takimit me Thaçin, Lulzim Basha ka deklaruar se bashkërendimi do ta fuqizojë dhe do ta përshpejtojë procesin e dialogut me syninim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
"Faleminderit zoti President! Është gjithmonë një kënaqësi të takohemi. Ju falenderoj për mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe mendime mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, në Shqipëri dhe hapat që po hidhen në drejtim të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që kanë qëllim dhe objektiv final njohjen reciproke. I shpreh mbështetjen time presidentit Thaçi për qëndrimet konsekuente të tij si kreu i shtetit në mbështetje të dialogut, në mbështetje të kohezionit të gjithë forcave politike në Kosovë. Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi i të gjithë forcave politike të Kosovës, bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosoven në sfidat në të cilat po përballet aktualisht. Po kështu, si parti e orientimit Euroatlantik, kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative ne raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën Europiane dhe Euroatlantike të gjithë vendeve të rajonit që e dëshirojne këtë dhe në veçanti sa i përket dialogut besoj dhe shpreh bindjen se një bashkërendim i tillë do ta fuqizojë, do ta përshpejtojë procesin e dialogut me syninim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Shpreha mbështetjen totale timen dhe te Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe të politikës në Kosovë, në vevcanti për ata që kanë sakrifikuar këto 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që u duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fruteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për presidentin Thaçi dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ju Faleminderit!"-deklaroi Basha.
Lajmi kryesor: