TIRANË- Kryedemokrati Lulzim Basha ka sulmuar sërish kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e Partisë Socialiste. Përmes një deklarate të bërë pasditen e sotme Basha tha se në grupin e Rilindjes vepron kodi i heshtjes që në zhargonin mafioz njihet si "omerta", teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se me heshtjen e tij mbron dhe promovon kriminelët dhe hajdutët që i përdor për të vjedhur zgjedhjet.

"Si në çdo organizatë kriminale, edhe në grupin e strukturuar kriminal të Rilindjes së Edi Ramës vepron kodi i heshtjes që në zhargonin mafioz njihet si "omerta". 

Omerta për bankimatin personal Dako, omerta për Pjetrin, omerta për Jorgo Kajmakun, omerta për milionat e vjedhura shqiptarëve dhe miliona të tjera të shpenzuara për luks pushtetarësh kur shqiptarët zhyten në papunësi dhe varfëri.

Me heshtjen e tij Edi Rama mbron dhe promovon kriminelë dhe hajdutë dhe i përdor ata për të vjedhur zgjedhjet, sepse bashkë me ta pasurohet duke vjedhur shqiptarët dhe pastruar paratë e krimit.

Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do të ketë as drejtësi dhe as demokraci, as punësim as mirëqënie sepse pushtetarët e korruptuar, kriminelët dhe oligarkët do të vjedhin dhe dhunojnë shqiptarët.

Hajduti Psiqik përbën rrezik për jetën, mirëqenien dhe sigurinë e çdo familje. Ai dhe krimi i organizuar janë të pandashëm. Që të shpëtojmë Shqipërinë nga kriminelët me pushtet, duhet të largojmë Edi Ramën", shkruan Basha.

Foto e publikuar nga Basha