Një ditë pasi u zgjodhën anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë, kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim me Bujar Nishani, Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Enriketa Papa dhe Mark Marku. Takimi që ka zgjatur për rreth 90 minuta, ka pasur në fokus punë  e këtij komisioni dhe kriteret e vlerësimit të emrave të propozuara për kandidatë, ku do të përcaktojnë dhe listën e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Pas takimit, Genc Ruli e konsideroi ngritjen e këtij komisioni një hapje dhe pjekuri të partisë. Në një deklaratë për mediat, Ruli tha se "ky proces është një politikë e hapjes, unë jam njeri që kam pasur qëndrime kritike ndaj lidershipit për shkak se i gjykoja ndryshe si duheshin zhvilluar proceset në atë kohë. Kjo është një shenjë e pjekurisë dhe mendje-hapjes së partisë sot. Unë kam qenë disa herë kritik ndaj lidershipit të PD, vlerësimi ynë kur ka qenë i ndryshëm e kam thënë dhe i kam qëndruar mendimit tim".

Edhe për Besnik Mustafajn ky komision është një risi politike në këto 30 vite demokraci. Ai tha se propozimet e demokratëve janë serioze dhe ka prurje të jashtëzakonshme. Mustafaj tha se shpreson që në fund të këtij procesi, të dal i paturpëruar, sepse është detyra më e vështirë, më delikate dhe më komplekse që ka marrë ndonjëherë përsipër.

"Nuk jam zëdhënësi i Komisionit, por mund të them përshtypjet e mia personale të cilat janë shumë optimiste. Është një proces i ri, i panjohur në historinë politike të Shqipërisë së këtyre 30 viteve. Unë konstatova se ka një prurje jashtëzakonisht të pasur, çka tregon se propozimet e demokratëve në të gjithë Shqipërinë kanë qenë serioze. Ne jemi seriozisht të angazhuar për të zgjedhur vlerat më të mira të këtij kontigjenti që përbëjnë burime njerëzore të mëdha, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë. Gjërat janë në vazhdim, unë shpresoj që, në fund të këtij procesi, të dal i paturpëruar, sepse është detyra më e vështirë, më delikate dhe më komplekse që kam marrë ndonjëherë përsipër" tha Mustafaj.

Basha, teksa shprehu mbështetjen në punë  e komisionit, tha se PD në zgjedhjet e ardhshme do të përfaqësohet nga elita politike, akademike dhe publike. Ai shprehu besimin se Komisioni i Vlerësimit është faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme dhe do cilësohet si epoka e demokratizimit të partive politike.

"PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike. Nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj. Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme do të jetë epoka e re në demokratizimin e partive politike shqiptare. Modeli ynë, ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlamentin e ardhshëm dhe drejtuesve në nivel vendor dhe qendror, do të jetë dhe modeli për qeverisjen e ardhshme, ku zëri i qytetarëve do të jetë parësor në vendimmarrjet për Shqipërinë, për shqiptarët, për zhvillim dhe punësim, si prioritet kryesor i imi dhe i PD", tha Basha.