/ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, Najeeb Abdulrahman Al-Bader, me rastin e përfundimit të mandatit si ambasador i Kuvajtit në Shqipëri.
Gjatë takimit, Basha i shprehu mirënjohjen e tij të thellë ambasadorit të Kuvajtit për punën e tij konstruktive në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kuvajtit në të gjitha fushat.
Kryetari i PD-së dhe ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, shprehu vlerësimet e tij për shtetin mik dhe popullin e Kuvajtit, ambasadën e Kuvajtit në Tiranë dhe Z. Al-Bader personalisht për mbështetjen dhe kontributin e Tij për qytetin dhe qytetarët e Tiranës gjatë kohës së mandatit të Bashes si kryetar i bashkisë.
Duke përgëzuar punën e ambasadorit në promovimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit mes dy vendeve, Basha shprehu dëshirën e tij për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen.
Nga ana e tij, ambasadori i Kuvajtit, Najeeb Al-Bader, riafirmoi lidhjet e ngushta të miqësisë midis Kuvajtit dhe Shqipërisë, të cilat, vuri në dukje ai, kanë dëshmuar zhvillime të mëdha në të gjitha fushat gjatë viteve të fundit, duke pasqyruar kështu marrëdhëniet historike që lidhin dy vendet dhe popujt mike.
Në përfundim, Al-Bader e falënderoi Bashen për bashkëpunimin e frytshëm dhe e siguroi atë për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi midis dy institucioneve dhe vendeve me dëshirën për të arritur qëllimet dhe aspiratat e përbashkëta.