Basha vuri në gojën e Trump
dhe Merkel fjalë të pathëna

TIRANE-Në fjalën e tij nga çadra, ditën e sotme, Lulzim Basha pretendoi se në vizitën e bërë në Uashington kishte marrë të gjithë mbështetjen e nevojshme për vazhdimin e protestave.

Kjo deklaratë u përgënjeshtrua menjëherë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, i vetmi zë zyrtar përfaqësues i presidentit Trump dhe ambasadës amerikane në Shqipëri.

Pa bërë asnjë interpretim, këto janë deklaratat e Bashës, vendosur përballë reagimeve të përfaqësuesve të SHBA-ve, Gjermanisë dhe Bashkimit Europian.Basha: “Kemi marrë mbështetje totale në Uashington dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian. Nuk do të ketë asnjë tërheqje”. Top Channel iu drejtua ambasadës së Shteteve të Bashkuara ne në Tiranë dhe e pyeti se në çadër zoti Basha duket se pretendon se ka mbështetjen e administratës Trump për protestën e PD. A është kjo e vërtetë?

Përgjigjja e një prej zëdhënësve të Ambasadës ishte kjo: “Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”.

Basha: “Shqipëria është me fat që ka mbështetjen e Gjermanisë në përpjekjet e saj për përparim dhe integrim europian. Dua ta siguroj Kancelaren dhe popullin gjerman se shqiptarët janë të vendosur të përqafojnë të gjitha vlerat europiane dhe të ndërtojnë një shoqëri të denjë për të gjithë, duke luftuar krimin, drogën, korrupsionin dhe duke e çliruar politikën prej tyre”.

Zëdhënësi i Merkel, Seibert: “Ajo që mund t’iu them është se qeveria federale e Gjermanisë mbështet kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Thirrjet për dhunë, që dëgjohen herë pas here, nuk mund dhe nuk duhet të jenë një nga mjetet për të imponuar pozicione politike kontroverse”.

Basha: “Sapo përfundova një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, znj.Federica Mogherini. Pata rastin ta njoh konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon; i krimit të gjithëpushtetshëm të lidhur me pushtetin politik, i drogës dhe parave të drogës, i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, i nxjerrjes së bandave dhe kriminelëve nga burgu me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike të niveleve të larta”.

Federica Mogherini: “Loja e futbollit bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj. Ndaj betejat duhet të bëhen brenda institucioneve, Parlamentit në këtë rast”./lexo.al

Redaksia Online
Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë