Bashkëpunimi Kulturor, Shqipëria
e Kina firmosin marrëveshjen

Bashkëpunimi Kulturor, Shqipëria<br />e Kina firmosin marrëveshjen
Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor, Shqipëria dhe Kina kanë firmosur marrëveshjen e përbashkët 5 -vjeçare. Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Ministrisë së Kulturës në Tiranë nga ministrja Mirela Kumbaro dhe zëvendës ministri kinez i kulturës Ding Wei. Ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh nga ana e saj se: “Marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës dhe miqësia tradicionale mes Kinës e Shqipërisë po shndërrohen në projekte konkrete bashkëpunimi, jo vetëm në kulturë, por edhe në fushën ekonomike, për të bërë të mundur tërheqjen e sa më shumë investimeve kineze në Shqipëri.

Forcimi i këtyre marrëdhënieve është shprehje e vullnetit të dy qeverive tona, por edhe një angazhim i dy ministrave të kulturës. Këto marrëdhënie përkthehen sot në një instrument të rëndësishëm zhvillimi, që është nënshkrimi i këtij bashkëpunimi kulturor”. Zëvendësministri kinez i Kulturës, u shpreh se njohja e dy vendeve bëhet më e thjeshtë duke bashkëpunuar në art dhe kulturë. “Kultura dhe arti, janë mënyra më efektive për të kuptuar dhe njohur dy popujt tanë. Ndodhemi këtu për të nënshkruar këtë marrëveshje bashkëpunimi 5- vjeçar të kulturës, e cila mbulon edhe fusha të tjera, si drama, filmi, artet pamore, etj”.

Ministrja Kumbaro u shpreh se bashkëpunimet kulturore me Kinën po zhvillohen edhe më tej në kuadër të nismës 16+1. Ajo kujtoi se: “Një program i rëndësishëm në fushën e librit ka filluar midis dy qeverive midis dy vendeve me një mbështetje të rëndësishme financiare nga ana e qeverisë së Kinës për botimin e rreth 25 librave të përkthyer nga letërsia kineze në shqip dhe anasjelltas në bashkëpunim me shoqatën e botuesve. Rreth dy javë më parë një delegacion shqiptare me përfaqësues të artit dhe kulturës ishte pjesëmarrës në forumin për menaxhim të artit në Pekin, ndërsa sapo përfundoi pjesëmarrja shqiptare në forumin e librit në Budapest.

” Me anë të kësaj marrëveshje bashkëpunimi dy ministritë mbështesin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis institucioneve, organizatave profesionale dhe atyre jofitimprurëse në fushën e kulturës dhe artit, në shkëmbimin e përvojave më të mira dhe realizimin e politikave në të gjitha fushat dhe nivelet kulturore, për të nxitur më tej ndërveprimin kulturor mes palëve. Marrëveshja qartëson bashkëpunime dhe pjesëmarrje në festivale në fushat: Teatër, film, kërcim, art pamor, muzikë, cirk dhe veprimtari të tjera kulturore.

Marrëveshja kulturore do të shtrihet edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku të dy ministritë angazhohen për bashkëpunimin midis institucioneve shqiptare dhe kineze për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe do të inkurajojnë shkëmbimin dhe bashkëpunimin e ekspertëve në këtë fushë. Palët do të mbështesin shkëmbimin e ndërsjellë të përvojës, duke përfshirë shkëmbimin e specialistëve në fushën e restaurimit, ruajtjes, mbrojtjes dhe popullarizimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe reshje shiu lokale, parashikimi i motit për sot

Vranësira dhe reshje shiu lokale, parashikimi i motit për sot