Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vijon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara me një sërë takimesh të nivelit të lartë, të fokusuara në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Të enjten ajo pati disa takime të rëndësishme në Senatin Amerikan, duke nisur me senatoren Elissa Slotkin, përfaqësuese e Michiganit.
Sipas njoftimit të Ministres në rrjete sociale, biseda u përqendrua te çështjet e sigurisë, bashkëpunimi ekonomik dhe politik mes dy vendeve ndërsa Senatorja Slotkin vlerësoi rolin aktiv të komunitetit shqiptar në Michigan dhe mbështeti kontributin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.
"Në senatin amerikan me senatoren Elissa Slotkin, mbi koordinimin strategjik për çështjet e sigurisë, bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve tona.Si përfaqësuese e Michiganit, Senatorja Slotkin vlerëson rolin aktiv të komunitetit të madh shqiptar në zonën e saj dhe mbështet kontributin e diasporës shqiptare në fuqizimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane" thuhet në njoftimin e Spiropalit në rrjete sociale
Ministrja u takua edhe me Senatorin Gary Peters themelues dhe bashkëkryetar i "Albanian Issues Caucus", që ruan një vëmendje të posaçme për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan.
"Shqipëria e konsideron gjithashtu këtë grup miqësie, një partner të besueshëm dhe konstruktiv për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët", shkroi Spiropali.
Spiropali u prit gjithashtu nga Senatori Steve Daines, Kryetar i Nënkomisionit për Europën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, mbështetës i Shqipërisë si dhe një njohës shumë i mirë i çështjeve të sigurisë rajonale.
Në takim, Spiropali theksoi se "Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë transatlantike, përfshirë mbështetjen dhe angazhimin për objektivin e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen në kuadër të NATO-s."
"Mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027, do të jetë një moment domethënës për forcimin e unitetit dhe kohezionit të Aleancës sonë", nënvizoi ajo.
Më herët gjatë kësaj jave, Spiropali u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Charles McLaughlin, Asistent Special i president Donald Trump, ku u diskutua bashkëpunimi Shqipëri–SHBA dhe përfshirja e Shqipërisë në nisma ndërkombëtare për sigurinë dhe paqen.
Ajo gjithashtu zhvilloi takime të tjera edhe në Kongresin Amerikan, ku u fol për bashkëpunimin në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në energji dhe infrastrukturë.
Komente








