'Bashkëqeverisja', Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Metës! Presidenca: Centralizim pushteti! Ministrja: S'ka kundërshti

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore ka rrëzuar sot dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin e projektligjit 'Për Bashkëqeverisjen'. Dekreti i Metës mori 3 vota pro dhe 11 kundër në Komision, ndërsa tashmë do t'i shkojë Kuvendit për t'u votuar.

Në mbledhjen e sotme në Komision pati jo pak debate, ku Këshilltari ligjor i Presidentit Meta, Bledar Dervishaj e argumentoi se problem i këtij projektligji është mbivendosja e  e kompetencave dhe centralizimi i pushtetit. Ai akuzoi se Këshilli i Ministrave e ka humbur idenë e parimeve kushtetuese, por shtoi se Kuvendi nuk duhej ta miratonte.

“Krijimi i një agjencie të re në varësi të kryeministrit nuk përputhet me rolin, misionin, dhe detyrat e administratës shtetërore. Një tjetër problem është mbivendosja e kompetencave, centralizimin e pushtetit. Një tjetër problematikë ka të bëjë me parashikimet e ligjit për të ruajtur autonominë e pushtetit vendor. Agjencia për dialog mund të marrë edhe kompetenca për pushtetin vendor. Një parashikim i tillë bie ndesh me decentralizimin e pushtetit vendor. Këshilli i Ministrave e ka humbur komplet idenë e parimeve kushtetuese, megjithatë është detyrë e Kuvendit që të distancohet. Kuvendi nuk duhet ta miratonte, por duhet të ishte udhëhequr nga parimi i shtetit të të drejtës, ndarjes së pushteteve, decentralizimit të pushtetit vendor. Cila është nevoja e krijimit të këtyre institucioneve? Është e pritshme të krijojnë ndonjë situatë pasigurie juridike. Një tjetër problematikë është se Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje merr edhe kompetenca propozuese të akteve para Këshillit të Ministrave, ndërkohë që një e drejtë e kësaj natyre i takon kryeministrit, ministrave", tha ai

Nga ana tjetër, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nismëtare e këtij ligji, tha se bëhet fjalë për mekanizma komplementare dhe jo zëvendësuese me institucionet e tjera. Sipas saj nuk ka mbivendosje dhe ligji nuk bie ndesh me ligjin për ndërmjetësin, sepse nuk trajton statusin dhe të drejtat e ndërmjetësve

“Presidenti nuk ka analizuar asnjë normë të ligjit që të bjerë në kundërshtim me parashikimet e kodit. Nuk merr përsipër të zëvendësojë parashikimet e kodit. Mekanizmat janë komplementare dhe alternative, jo zëvendësuese të institucioneve. Në ligj nuk ka as kundërshti, as mbivendosje, nuk cenohen parimet dhe dispozitat kushtetuese. Ligji nuk bie ndesh me ligjin për ndërmjetësin, sepse nuk trajton statusin dhe të drejtat e ndërmjetësve. Kontrolli që do kryejë agjencia nuk ndërhyn në procedurë apo përmbajtje në kontrollet e institucioneve të tjera. Nuk ka vend për diskutime për centralizimin. Sa i përket autonomisë vendore, parimi i autonomisë mbetet i cenuar. Njësitë qendrore përfshihen vetëm me marrëveshje, me shprehje të vullnetit të tyre. Arsyet e kthimit nga presidenti janë të pabazuara”, u shpreh Spiropali.

Meta e riktheu për rishqyrtim në Kuvend këtë projektligj me argumentat se "Krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash ndërmjet tyre duke shkelur sigurinë jurudike; Centralizon më shumë pushtet tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri; Bie ndesh me Jurisprudencen e Gjykates Kushtetuese; Bie ndesh me parimet e funksionimit te administrates shteterore te saksionuara ne Kode dhe Ligje te tjera".

Agjencia për dialog dhe bashkëqeverisje" është një platformë e re që është miratuar  në Kuvend më 19 tetor. Ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore. Ligji synon përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe ndëshkimin e atyre që shkelin detyrën dhe nuk japin shërbimin e duhur.  Gjithashtu, ligji përcakton mekanizma detyrues për shërbimet publike ndaj qytetarëve e sipërmarrjeve, si edhe sanksione financiare e administrative për zyrtarët që rezultojnë pengues të zgjidhjeve për qytetarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:39
Deputetët në Komisionin e Ligjeve ngatërrojnë Dashnor Sulën: Check up... a ketchup, dakord se nuk di mirë anglisht (VIDEO)

 

Teksa po fliste për 'Bashkëqeverisjen' dhe po jepte argumente se përse ai nuk duhej të miratohej, deputeti i PD-së Dashnor Sula u ngatërrua nga anëtarët e komisionit të ligjeve, ndërsa tentoi të krahasonte këtë projektligj me  programin e Kontrollit Mjekësor Bazë, check up. Ai e shqiptoi siç duhet, por deputetët i thanë se programi quhej ketchup dhe jo check up, korrigjim që Sula e pranoi me përulësi duke thënë se nuk di mirë anglisht.

"Ky problem është si check up-i Vilma Nushit në një kohë që trumbetohej nga qeveria që do i japim zgjidhje problematikës... nuk di mirë anglisht, check up... ketchup, dakord. Qeverisja propagandonte që do i japim fund problematikës së shëndetit të qytetarëve", tha ai.

Ora 11:28
'Bashkëqeverisja', Bushka: Nuk shkel autonominë e pushtetit vendor! Kuadër ligjor për të ndihmuar qytetarët

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka hedhur poshtë sot argumentet e Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu mbrapsht ligjin “Për Bashkëqeverisjen”. Meta argumentoi se ky projektligj shkel autonominë  e pushtetit vendor  dhe Kushtetutën, por sipas Bushkës, një gjë e tillë nuk ndodh për arsye se mekanizmat e parashikuar janë komplementare dhe alternative dhe jo detyruese. Po ashtu ajo theksoi se nuk ka mbivendosje me ligjin për ndërmjetësim, pasi në projektligj, ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është vullnetar, kërkon pëlqimin e palëve.

"Nuk kuptohet se ku është përplasja. Ligji nuk merr përsipër të zëvendësojë parashikimet e kodit të procedurave. Askund nuk tentohet të rregullohen norma apo të krijohen norma të ndryshme. Mekanizmat e parashikuar janë komplementare dhe alternative jo zëvendësuese të statutit të sanksionuar nga kodi. Ne i kemi ezauruar këto diskutime dhe vë re që flasim në parim dhe jo konkretisht se ku është problemi. Nuk ka kundërshti e as mbivendosje me parashikimet e kodit dhe për rrjedhojë nuk cenohen as parimet e dispozitat kushtetuese të përmendura nga Presidenti. Sa i përket çështjes se ligji për bashkëqeverisjen bie ndesh me ligjin për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, e para ndërmjetësimi sipas ligjit për bashkëqeverisjen është vullnetar, kërkon pëlqimin e dy palëve pjesëmarrësve. Ligji për bashkëqeverisjen e ka të parashikuar që nuk ka ndalim për ndërmjetësim, por është thelbi në këtë parashikim pëlqimi i palëve. Po të ishte detyrueshmëri, mund të vlenin argumentet, pro në këtë rast bie. Ndërmjetësimi nuk mund të kryhet për çështje që për nga përmbajtja janë të panegociueshme dhe ligji ka ndalime. Për zbatueshmërinë është e qartë që sa kohë palët kanë rënë dakord me vullnet, efektshmëria duhet të jetë e tillë që t'i shërbejë palët dhe  do të jetë titull ekzekutiv. Për qarkullimin e dokumenteve. Nuk mendoj që jemi në mbivendosje të kompetencave. Agjencia nuk shqyrton një çështje që është në gjykim nga gjykata, nuk ka asnjë dispozitë të ligjit që të bie ndesh me këtë, ky do ishte problemi. Nuk ndërhyhet në autonominë vendore. Kjo çështje ka rëndësi për përmirësimin e dhënies së shërbimit nga administrata dhe fuqizimin e qytetarit. Nisma të tilla janë pozitive dhe duhet të jemi të kujdesshëm mos të bien ndesh me ato që janë në fuqi dhe ligji e bën këtë, nuk ka përplasje", tha ajo.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Wafa: Gjashtë palestinezë të vrarë në Jenin, 10 të plagosur

Wafa: Gjashtë palestinezë të vrarë në Jenin, 10 të plagosur