TIRANE- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo ka njoftuar se shumë shpejt do të nis shpërndarja e banesave sociale. Janë 385 banesa sociale që pritet të ndahen për qytetarët, por numri i kërkesave për përfitimin e tyre është 3 herë më i lartë. Rreth 1200 kërkesa të paraqitura në këtë institucion po shqyrtohen për të bërë përzgjedhjen e personave që janë më shumë në nevojë dhe plotësojnë kriteret e vendosura. Bashkia e Tiranës i ka propozuar Këshillit Bashkiak kriteret për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale të këtyre banesave të cilat sipas nënkryetarit të Bashkisë do t’i propozohen për miratim në mbledhjen më të afërt Këshillit Bashkiak.

Bozdo ka vizituar ditën e djeshme grupin e banesave sociale për të parë më nga afër kushtet e tyre. “E kemi marrë në dorëzim këtë qendër shumë vonë, për arsye se ka pasur problematikë të akumuluar, zhvendosja e linjës 110 KW të tensionit të lartë, mos furnizimi i banesave me ujë dhe me energji elektrike në mënyrë të rregullt, dhe për më tepër pastaj na u desh edhe të paguanim të gjitha borxhet e akumuluara për këtë projekt nga administrata e kaluar, TVSH-ja, kostot lokale por edhe pagesat për energjinë elektrike dhe për ujin është përballuar nga administrata e Bashkisë Tiranë.

Sot ne i kemi propozuar Këshillit Bashkiak kriteret thelbësore për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale, dhe vendosjen e të ardhurave minimale dhe maksimale për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që duan të marrin këtë shërbim dhe përfitojnë nga këto banesa sociale”, ka sqaruar nënkryetari Bozdo. Bashkia ka përcaktuar dy nivele qeraje që shkojnë në logjikën e nivelit të të ardhurave të banorëve. “Ky program i banesave sociale do të  bashkërendohet në të njëjtën kohë me programin e subvencionimit të qerasë. Pra, në qoftë se kemi një familje me të ardhura të ulëta që nuk kap nivelin minimal të të ardhurave, atëherë përfiton qeranë më të ulët duke u subvencionuar nga Bashkia.

Pra, kemi të bëjmë me një konvergjencë të dy programeve dhe kjo është arsyeja që unë mendoj që ky program gjithashtu do të jetë shumë i suksesshëm” u shpreh  Bozdo. Aplikimet nga qytetarët për përfitimin e banesave sociale kanë nisur që nga viti 2007 kur edhe u premtua për herë të parë ndërtimi i tyre. Shpërndarja e banesave do të bëhet duke vlerësuar nevojat e secilit aplikant, ndaj edhe nënkryetari Bozdo ka bërë thirrje për qytetarët që kanë aplikuar që të rifreskojnë dokumentacionin në mënyrë që të mos penalizohen për çështje proceduriale.

Shkrimi u publikua sot (8.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)