Bashkia e Tiranës: Stacioni i ri
i trenit, brenda terminalit të ri

Bashkia e Tiranës: Stacioni i ri<br />i trenit, brenda terminalit të ri
TIRANË - Pas kronikës së transmetuar nga Tv-A1Report për mungesën e transparencës në projektin për zhvendosjen e Stacionit të Trenit dhe krijimit të terminalit të ri, ka reaguar dhe Bashkia e Tiranës me anë të një njoftimi për shtyp.

Bashkia shpjegon projektin dhe të dhënat teknike për terminalin e ri të pasagjerve, i cili do të ndërtohet në dalje të Tiranës në afërsi të kompleksit të njohur si "Malajzjani". Në këtë terminal do të krijohen dhe lidhjet për shërbimin e transportit publik dhe për të hyrë më pas në kryeqytet.

Por mbeten ende pa përgjigje pyetjet se, ç’do të bëhet me sipërfaqen ku shtrihet aktualisht stacioni i vjetër i trenit dhe me hapësirat rreth tij, të cilat janë të konsiderueshme në sipërfaqe katrorë, si dhe në një pozicion që lidh kryeqytetin me periferinë.

Përciptazi është informuar pak kohë më parë, se do të ketë një zgjerim të bulevardit, por pa dhënë asnjë shpjegim teknik deri në çfarë gjatësie, si do të urbanizohet kjo sipërfaqe dhe si do të zgjerohet kjo pjesë e qytetit.

Pikërisht për këto pyetje, pritet tashmë cili do të jetë qëndrimi i Bashkisë së Tiranës në të drejtën e informimit publik, por dhe në detyrimin për t’i shpjeguar qytetarëve se çfarë pritet të ndodhë me këtë pjesë të qytetit.

NJOFTIMI I BASHKISË SË TIRANËS PËR TERMINALIN DHE STACIONIN E TRENIT
Sipas njoftimit zyrtar, dalë edhe në faqen online të bashkisë, Bashkia e Tiranës dhe BERZH javën e ardhshme nisin procedurat koncesionare, për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve.

Studimi i fizibilitetit për terminalin e ri të pasagjerëve në Tiranë u hartua nga kompania italiane “Ital-Ferr”, me një fond prej 500 mijë eurosh, të akorduar nga BERZH.

Në këtë terminal, i cili është i pari, që do të ndërtohet në Shqipëri me sipërfaqe  80.000m², do të vendoset stacioni i ri i trenit dhe stacioni i tramit, i cili do të bëjë transportin e udhëtarëve nga terminali multimodal përgjatë bulevardit të ri, deri në sheshin “Nënë Tereza”.

Terminali është  pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban, i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë.

Në terminal parashikohet:

-           Në katin përdhe, stacioni i  tramvajit dhe trenit, depoja e tramvajit si dhe qendra
            e pajisjeve hekurudhore;
-           stacion  për autobusët ndërkombëtarë, në pronësi të kompanive të transportit
            shqiptar;
-           stacion për autobusë ndërqytetas;
-           stacion për autobusët ndërkombëtarë, në pronësi nga kompanitë e huaja të transportit;
-           taksi-van, zonë parkimi dhe një tarracë në formë katrore publike, në kufi në perëndim me terminalin e autobusëve urbanë;
-           parkimi i autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve;
-           linjë për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana;
-          rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj, në territorin e terminalit; ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të       mjeteve të transportit; ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve.

Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë:

-     autobusë të linjave ndërkombëtare – 34
-     autobusë të linjave ndërqytetës – 57
-     autobusë të linjave urbane – 15
-     mikrobusë – 48
-     parkim autobusësh – 26
-     taksi – 20
-     parkim i automjeteve private – 100

Nga ky terminal parashikohet të nisen:

-           automjete - 10 000
-           mikrobusë - 3 700
-           autobusë - 900
-           autobusë ndërkombëtarë - 100
-           autobusë urbanë – 180

Në 5-vjeçarin e parë (2020) pritet një rritje e kapacitetit prej 20%;
Në 5-vjeçarin e dytë (2025) kemi një rritje prej 25%, krahasuar me 2020;
Në 5-vjeçarin e katërt (2035) kemi pothuajse dyfishim, krahasuar me 2025;

Në terminal është parashikuar dhe parkim nëntokësor, si një zgjidhje tepër efiçiente dhe e përshtatshme, për realizimin e plotë në funksionimin e këtij terminali, i cili do të funksionojë për parkim makinash private dhe autobusë.

terminali i ri
(Në foto: Projekti i terminalit të ri të Tiranës).

Redaksia Online
(a.r./mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca