Bashkia e Tiranës, mamografi falas
për gratë në pamundësi ekonomike

Bashkia e Tiranës, mamografi falas<br />për gratë në pamundësi ekonomike
TIRANE - Në kuadër të muajit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, Bashkia e Tiranës, ne bashkëpunim me disa organizata jo qeveritare dhe institucione shëndetësore private do u mundësojë grave dhe vajzave të Tiranës në pamundësi ekonomike, bërjen falas të ekzaminimit të mamografisë.

Në bashkëpunim me organizatën YWCA dhe spitalin “Hygea”, ky shërbim u është ofruar sot grave dhe vajzave që marrin shërbime në qendrat sociale.

Nënkryetarja e Bashkisë Nevila Xhindi, u bëri apel vajzave dhe grave të kryeqytetit të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre dhe të mund të kryejnë ekzaminimin e mamografisë.

“Sot, jemi këtu në bashkëpunim me organizatën YWCA, në bashkëpunim me spitalin “Hygea” i cili bashkë me ambulancën sot do ketë një testim të zonjave që frekuentojnë qendrën tonë sociale dhe do të vazhdojë me një vizitë falas, mamografi në spital. I gjithë muaji do të jetë muaj sensibilizimi por jo vetëm. Ne do të marshojmë më 31 tetor, të gjithë bashkë në sheshin e madh, për të sensibilizuar çdo grua. Është shumë e rëndësishme për ne.

400 femra çdo vit identifikohen në Shqipëri me kancerin e gjirit. Është momenti që të paktën këtë muaj por edhe çdo ditë të jetës sonë të kemi mundësi të transmetojmë atë vlerë edukuese, ndërgjegjësuese, që sa më shumë të bëhen vizita, sa më shumë të jemi të kujdesshëm për jetën tonë, të jemi sa më shumë të shëndetshëm” deklaroi nënkryetarja Xhindi.

Nga ana e saj drejtoresha ekzekutive e YWCA, Donika Godaj theksoi se ky është viti i gjashtë që organizojnë këtë fushatë ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.

“Tashmë jemi bërë lider në këtë fushë dhe me shumë kënaqësi kemi bashkëpunuar me Bashkinë, spitalin “Hygea” gjatë gjithë këtyre viteve dhe kemi sjellë këtu sot “ambulancën e shpresës”. Është një ambulancë që ka qenë në zonat më të pazhvilluara të Tiranës e Durrësit, duke u ofruar të gjitha zonjave të këtyre zonave, mundësinë për t’u informuar, ndërgjegjësuar dhe edukuar e gjithashtu duke ofruar edhe ekzaminime, kuptohet sipas këshillës së mjekut. Do të doja t’ju ftoja të gjithëve ta ndiqni këtë fushatë e të jeni me ne në datën 31 tetor, në orën 12.00, në marshimin tradicional që ne bëjmë për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit e për të treguar solidaritet me ata që luftojnë kundër kësaj sëmundjeje si dhe për t’u kujtuar të gjitha zonjave se është shumë e rëndësishme të diagnostikohen e kontrollohen sa më shpesh”  u shpreh Godaj.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët