Tirana është bashkia e parë në rajon që përfiton nga fondet e Bankës Europiane të Investimeve për mbështetjen e nevojave që kryeqyteti ka për strehimin social.
"EIB Global ka siguruar 2 milionë euro për asistencë teknike për Bashkinë e Tiranës, që do të përdoren për projektin e parë që do suportojë banesat sociale në rajonin e Ballkanit Perëndimor", tha Matteo Rivellini, Drejtori i BEI.
"Kanë qenë dy vjet bisedime dhe negociata dhe ju falënderoj shumë që zgjodhët Tiranën. E di që në Ballkan ka plot qytete të tjera që gjithashtu, punojnë, duan të ecin përpara, po faleminderit që na dhatë besimin", tha Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë.
Gjatë pritjes së drejtuesit të BEI, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me programin e kredive të buta.
“Është një mundësi për t’i thënë dikujt, po të jap një dorë, po të jap një shtysë, po të jap disa financa, duke të hequr pjesën e interesit dhe në vend të paguash qira në një qytet që vetëm rrit vlerën e pronës, ke mundësi të blesh pak nga shtëpia jote", tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se programi i fuqizuar social do shërbejë edhe për të gjithë ata që preken nga projekte zhvillimore të Tiranës, si zgjerimi i Lanës, Unaza e Madhe etj.