Bashkia e Tiranës vijon punën për rikualifikimin e shëtitores "Lasgush Poradeci" mbi digën e liqenit në Parkun e Madh. Së shpejti vrapuesit qytetarë do të kenë edhe pistën e re me tartan për vrapuesit në këtë segment që kompleton punimet e pistave dhe korsive të reja.
"Jo vetëm po i shtojmë bukurinë parkut, por edhe promovojmë një jetesë të shëndetshme e larg kafeneve,”- shkruan Veliaj. Bashkia e Tiranës po zbaton një nga projektet më të rëndësishme për rigjallërimin e Parkut të Liqenit, ndërtimin e një piste vrapimi dhe ecje përgjatë gjithë liqenit dhe një pistë të posaçme për çiklistët që preferojnë pedalimin në natyrë dhe freskinë e liqenit.
Punimet e Bashkisë Tiranë
Nëpërmjet këtij projekti synohet krijimi i një itinerari për këmbësorë të pandërprerë përqark Liqenit Artificial të Tiranës. Rehabilitimi i parkut të Liqenit të Madh ishte një nga detyrat e para të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës tre vite më parë. Nga një vend grumbullimi plehrash dhe i zaptuar nga lokalet, ai është tashmë një nga hapësirat më të gjelbëruara të kryeqytetit që vizitohet nga të gjitha grupmoshat që dëshirojnë të kalojnë disa momente çlodhëse dhe argëtuese në natyrë.