Një ditë pasi kryetarët e bashkive që drejtohen nga opozita kërkuan lirimin e ambjenteve ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, policia e shtetit ka nisur ruajtjen e tyre.

Një mjet i komisariatit të Policisë Mat është dislokuar pranë pallatit të Sportit "Ferit Hysa". Disa efektivë të policisë së rendit qëndrojnë aty që prej pasdites së premte duke mbrojtur zyrat ku janë vendosur materialet zgjedhore deri në këto momente.

Ditën e djeshme bashkitë e drejtuara nga PD dhe LSI i dërguan një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku kërkojnë që të lirohen hapësirat që janë përcaktuar për vendosjen e KZAZ-ve për zgjedhjet lokale, pas dekretit të Presidentit Meta për të anuluar 30 Qershorin.

Kjo situatë ka bërë që kryetarët e bashkive t'i drejtohen me një reagim kryeministrit Edi Rama, ku thonë se nëse Presidenti Ilir Meta do të shpallë një datë të re zgjedhjet, atëherë janë gati për të respektuar ligjin.