Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor në zgjedhjet e 11 majit do të jenë të përbëra nga 2 anëtarë të PS, dy të Partisë Demokratike, ndërsa nga një anëtar do të kenë Partia Socialdemokrate e Tom Doshit dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës.
Anëtari i shtatë do të ndahet mes dy partive të mëdha, ku në KZAZ-të me numër çift do t’i takojë socialistëve, ndërsa në KZAZ-të me numër tek do të propozohen nga Partia Demokratike. KZAZ-të kanë edhe Sekretarë të cilët propozohen nga partitë e mëdha, aty ku kryetari i përket PS do t’i shkojë demokratëve dhe në rastet kur drejton PD Sekretari do të jetë i socialistëve.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e KQZ, e cila i dha fund edhe debatit nëse Partia e Tom Doshit renditet si opozitë apo si shumicë.
Në vendimin e Ilirjan Celibashit, PSD u rendit si partia e dytë e shumicës qeverisëse, pas analizës që i bëri qëndrimeve me votë të partive në parlament dhe duke arritur në konkluzionin se partia e Doshit ka mbajtur qëndrime pro qeverisë. E njëjta ndarje u bë edhe përcaktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit.
Në total në të gjithë vendin në zgjedhjet e 11 majit do të ketë 93 KZAZ.