LEZHE-Kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu përmes një urdhri u kërkon të gjitha bizneseve që janë hapur në këto kohë emergjence që nëse nuk ruhet distanca prej 1 metër nga çdo person të mos shërbehet. Gjithashtu, në urdhër kërkohet që çdo person që shërben, apo që kërkon shërbim të jetë i pajisur me maskë mbrojtëse.

Bashkia Lezhë thotë se nisur nga problemet e vërejtura në mosrespektimin e masave shtrënguese tërheq vëmendjen dhe urdhëron të gjitha njësitë tregtare, bankat, farmacitë dhe çdo njësi tjetër shërbim të marrin katër masa urgjente.

"Te mos shërbehet nëse nuk ruhet distanca prej 1 metër nga çdo person që kërkon shërbim deri në respektim e distancave sociale. Çdo person që shërben, apo që kërkon shërbim të jetë i pajisur me maskë mbrojtëse. Në të kundërt të mos jepet shërbim për personat që nuk e zbatojnë deri në marrjen e masave mbrojtëse.

Të mos lejohen grumbullime njerëzish sidomos e vëne re kjo ne njësite tregtare fruta-perime ku as shitësit dhe as blerësit rezultojnë që nuk respektojnë asnjë masë mbrojtëse duke lejuar grumbullime të rrezikshme në kundërshtim me rregullat e vendosura nga qeveria. Në raste të mos zbatimit të rregullave të vendosura nga qeveria do penalizohen nga ana e policisë së rendit dhe asaj bashkiake me gjoba, dhe për përsëritësit deri në bllokim të aktivitetit duke e konsideruar rrezik për komunitetin" mbyllet njoftimi.

Udhëzimi i Bashkisë Lezhë