Me 8 mijë banorët e qytetit dhe rreth 18 mijë banorët e bashkisë, Poliçani renditet ndër bashkitë e vogla në vend. Indeksi i kënaqësisë qytetare, që u mat nga një anketim, që realizoi PNUD nëpërmjet projektit STAR2, tregoi se qytetarët e Poliçanit janë më të kënaqurit në rang vendi me shërbimet që marrin prej bashkive të tyre sëbashku me Korçën dhe Vorën.
Por shtrirja e madhe gjeografike, distanca e fshatrave nga qendra e bashkisë, numri i vogël i këshilltarëve bashkiakë, indiferenca e qytetarëve ndaj punës dhe veprimtarisë të pushtetit vendor duket se e kanë larguar pushtetin nga qytetari.
Pikërisht me synimin për të nxitur reagimin qytetar, LëvizAlbania, mbështetur financiarisht nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka financuar projektin Ngritja dhe funksionimi i Komisionit Qytetar në bashkinë e Poliçanit.
Projekti po zbatohet nga organizata “Misionarë të të Drejtave Sociale” me qendër në Kuçovë. Projekti synon rritjen e transparencës së pushtetit vendor; stimulimin e qeverisjes së mirë dhe transparencës dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e transparences dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje publike.
Nga takimet dhe konsultimet e shumta me qytetarët janë përzgjedhur 25 përfaqësues nga të gjitha grupet e interesit ku 40 për qind e përbëjnë grate dhe vajzat, të cilët do të përfaqësojnë mendimin qytetar në marrëdhënie me këshillin bashkiak dhe administratën e bashkisë.
Për të institucionalizuar këtë komison është gjykuar firmosja e një memorandum bashkëpunimi ndërmjet bashkisë, këshillit bashkiak dhe komisionit qytetar të bashkisë Poliçan. Kryetari i bashkisë Adriatik Zotkaj, i cili është në mandatin e katërt që drejton bashkinë Poliçan, e ka mirëpritur këtë projekt dhe ka mbështetur zbatimin e tij.
Komente












