Lisi i madh, të cilin jo vetëm një pjesë e madhe e tiranasve e mbajnë mend, por shumë qytetarë kanë shijuar edhe kafenenë poshtë hijes së tij, tashmë nuk është më. Që prej disa ditësh, në vend të lisit hijerëndë, që ndodhej në lulishten përballë Galerisë së Arteve, duket vetëm disa cm nga trungu i tij. Të gjithë kësaj lulishte tashmë duket sikur i mungon diçka, që në të vërtetë është lisi i vjetër. Tiranasit e vjetër e njohin si “Lisi i Et’hem Beut”, ndërsa thonë që ai kishte një moshë rreth 200 vjeçare. Megjithatë sipas burimeve pranë bashkisë së Tiranës, lisi është prerë disa ditë më parë nga punëtorët e gjelbërimit të këtij institucioni, pasi ishte bërë një rrezik për jetën e qytetarëve. “Kishim marrë disa sinjalizime të herëpashershme për këtë pemë. Ai kishte filluar të thahej, madje disa herë degët e tij të poshtme ishin thyer dhe rrëzuar për tokë. Për të shmangur çdo lloj tragjedie të mundshme, ne atëherë vendosëm që ishte më mirë ta prisnim. Duhet të kemi parasysh se edhe njerëzit nuk rrojnë përgjithnjë”, - na thonë ata, duke sqaruar se vendimi erdhi me qëllimin e vetëm për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Ndërsa roja i Galerisë së Arteve na tregon se i ka parë punonjësit ditën që e kanë prerë, po ashtu siç na konfirmon se herë pas herë degë të lisit 200-vjeçar thyheshin dhe binin përtokë. “Mu këput shpirti atë ditë kur i pashë punonjësit e bashkisë duke e prerë lisin. Mu duk sikur mu shkëput një gjë nga zemra. Gjithë jetën time e mbaj mend aty dhe tani më duket vendi bosh”, - na tregon roja që ndodhet në hyrje të Galerisë së Arteve.

(ek/shqiptarja.com)