Deklarata e plotë e Bashkisë Tiranë
Edi Rama, njeriu që betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak hapi edhe sot gjirizin e shpifjeve dhe sulmeve kundër Bashkisë së Tiranës.
Në vend të mashtrimeve që nuk i ha me askush, kryekarikatura e keqqeverisjes duhet t’i përgjigjet qytetarëve të Tiranës se pse ka bllokuar projektin e bulevardit të ri, ku përfshihen 7 parqe me mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e tij? Pse ka bllokuar garancinë sovrane për ndërtimin e tramit, projekti i të cilit është gati? Pse bllokon projektin e stacionit multimodal të pasagjerëve i cili pakëson ndotjen e ajrit në Tiranë me 6 ton gaz karbonik më pak në ditë?
Të gjitha këto projekte u shërbejnë interesave të qytetarëve pa dallim, por Edi Rama i bllokon sepse para tyre ai ka vënë si përherë interesat e tij dhe sekserëve të tij.
Kjo është e vërteta që nuk fshihet dot nga sulmet dhe shpifjet e lodhura të njeriut që dje shkatërroi Tiranën dhe sot po rrënon Shqipërinë.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)